Task Forca për ujërat larës: Kontrolle të rrepta, trajtimi i ujërave të ndotura detyrim për subjektet

06/02/2415:57

Shperndaje:

Task Forca për ujërat larës, Kumbaro e Balluku nga Durrësi/ Kontrolle të rrepta, trajtimi i ujërave të ndotura detyrim për subjektet

Në prag të sezonit veror 2024, është krijuar Task Forca e dedikuar për kontrollin e menaxhimit të ujërave të ndotura në sektorin e turizmit bregdetar, me qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e  cilësine e ujrave larës në plazhet buzë detit, liqeneve apo lumenjve, një rregullim i përbashkët i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në një komunikim publik me kryetarët e bashkive bregdetare dhe operatorëve turistikë në Durrës parashikuan kontrolle të rrepta në të gjithë territorin duke theksuar se subjektet kanë detyrimin që të vendosin impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura ose sisteme individuale, me qëllim trajtimin e ujërave të ndotura, sipas rregullores teknike.

“Vijmë për prezantimin e një akti normativ i cili nuk lindi nga hiçi, por mbas dy viteve punë, ku jemi përballur me sfidën shumë të madhe të rritjes së fluksit i cili ka ecur më shpejt dhe më shumë nga ç’mund ta kishim menduar, prandaj nëse nuk përgatitemi, do të prekë cilësinë e plazheve, cilësinë e rrugëve, cilësinë e ajrit dhe cilësinë e ujërave larës që është një prej arsyeve të mëdha pse turistët vijnë në Shqipëri. Sfida jonë nuk është nëse do të ketë më shumë turistë, sfida është si do t’i përgjigjemi këtij fluksi. Na duhet t’i përgjigjemi me masa të posaçme siç është akti normativ që kemi miratuar dhe zbatimin e të cilit po e nisim. Nuk mund t’i përgjigjemi më kësaj vëmendje kaq të madhe të tregut turistik ndërkombëtar me të njëjtën cilësi investimesh apo masa të marra para pesë viteve. Sfida jonë është jo vetëm t’i mirëpresim në hotele të mira, në restorante të mira e aktivitete, por me cilësinë e pastërtisë. Çdo njësi biznesi turistik duhet të ketë impiantin e vet dhe të marrë përgjegjësinë e trajtimit të ujërave të ndotura ”, u shpreh Kumbaro.

Në vijim të këtyre masave, ministrja Kumbaro përmendi edhe masat e marra për pastrimin e vijës bregdetare, ku do të mbështeten 8 bashki bregdetare me një operator shtesë pastrimi nga ana e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit duke kërkuar gjithashtu bashkëpunimin e bashkive për menaxhimin e mbetjeve nga hotelet duke mos lejuar përdorimin e koshave familjarë prej tyre, një praktikë e nisur prej dy vitesh. 

Nga ana e saj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zëvendëskryeministrja Balluku u shpreh se me pritshmëritë për vizitorët e huaj gjatë vitit 2024 duhen bashkërenduar punët.

“Konsiderojmë sot ditën e parë të fillimit të periudhës 90-ditore të zbatimit të aktit normative që u jep bizneseve të cilat preken kohën për të reaguar dhe vendosur impiantet e përpunimit të ujërave të ndotur. Pas 90 ditësh, Task Forcës e  cila do të drejtohet nga AKUK, i lind e drejta për të lënë edhe 60 ditë kohë para se të vendosë masën e parë administrative. Është një aksion me zero tolerancë, ku kërkojmë bashkëpunimin e kryetarëve të bashkisë, por para së gjithash u intereson bizneseve. Synojmë të arrijmë 95% të ujërave larës me cilësi të shkëlqyer”, u shpreh ministrja Balluku.

Kjo Task Forcë nën varësinë e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim monitorimin, inspektimin dhe marrjen e masave administrative të nevojshme për disiplinimin e shkarkimit të ujërave të ndotura vjen pas miratimit në fund të dhjetorit 2023 të Aktit Normativ “Për marrjen e masave urgjente për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së ujrave të ndotur që derdhen në ujëra larës”.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.