SARANDA INFO – SARANDA INFORMACION

17/02/2319:16

Shperndaje:

SARANDA Info

Saranda Info – Saranda shtrihet në pjesën jugperëndimore të vendit.
Ndodhet 262 km larg nga kryeqyteti i vendit, Tirana, 124 km nga Vlora dhe 61 km nga Gjirokastra.


1. Një përshkrim i shkurtër
Nuk ndodh shpesh që të gjesh në të njëjtin vend site arkeologjike shumë të lashta, të rrethuara nga një det shumë i bukur, ku banojnë njerëz mikpritës në një klimë të jashtëzakonshme. Kjo është Saranda, që shtrihet buzë Detit Jon, ku Virgjili rrëfen për zbarkimin e Eneas; një vend magjepsës plot histori dhe legjenda.
Falë klimës së saj të butë, ia vlen të vizitohet Saranda dhe Shqipëria e Jugut, hotelet mund të prenotohen në çdo periudhë të vitit. Periudha shumë të këshillueshme janë pranvera dhe vjeshta, për ata që duan të bëjnë ekskursione, ndërsa për ata që duan detin, periudha ideale është nga fundi i majit deri në fund të shtatorit.
2. Pozita Gjeografike
SARANDA shtrihet në pjesën jugperëndimore të vendit. Ndodhet 262 km larg nga kryeqyteti i vendit, Tirana, 124 km nga Vlora dhe 52 km nga Gjirokastra. Ajo kufizohet me Delvinën, Vlorën dhe Gjirokastrën dhe lidhet me Greqinë.


Saranda Info


Nëpërmjet ajrit: Nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë 262 km. Nga aeroporti i Korfuzit me target dhe më tej me rrugë detare drejt Sarandës, 30 min.
Nëpërmjet detit: Nga Shqipëria nëpërmjet porteve të Durrësit dhe të Vlorës, si dhe nga Greqia nëpërmjet porteve të Korfuzit, Igumenicës.
Nëpërmjet rrugës: Nëse vini nga veriu, verilindja, porti i Durrësit dhe gjithë Shqipëria qendrore, pasi keni mbërritur në Fier, ekzistojnë dy mundësi që nëpërmjet rrugëve automobilistike kombëtare të shkohet në Sarandë:
a. Nëpërmjet Levan, Tepelenës, Tunelit të Skërficës dhe Qafës së Muzinës.
b. Nëpërmjet Vlorës, qafës së Llogarasë, e më tej përgjatë Bregdetit të Jonit (Dhërmi, Vuno, Himarë, Borsh, Lukovë).
Nëse vini nga Greqia në rrugë tokësore mund të zgjidhni për të kaluar nga pikat kufitare të Kakavijës, Tri Urave (afër Përmetit) ose Qafë Botës (në skajin jugor të vendit afër Konispolit).
Nëse vini nga Shqipëria lindore, Maqedonia ose Greqia veriore (pika kufitare e Kapshticës), atëherë mund të kaloni nga Elbasani dhe Rrogozhina, duke ndjekur më pas njërin nga 2 degëzimet që fillojnë në Fier, ose të kaloni nga Korça, Erseka, Leskoviku, Përmeti, gryka e Këlcyrës, Uji i Ftohtë i Tepelenës, tuneli i Skërficës ose Qafa e Muzinës.


Saranda Info – Historia

Saranda Info


Për herë të parë në burimet antike qyteti përmendet në shekullin II para Krishtit me emrin Onhezmus. Ciceroni, oratori i famshëm romak, që kishte në rrethinat e Butrintit mikun e tij më të afërt, Pompon Atikun, kaloi këndej duke u kthyer nga Butrinti për në Romë. Qyteti duket se ka marrë një rëndësi relative në periudhën e “pax romana”. Straboni, gjeografi i famshëm romak i shekullit I para Krishtit, e përmend si një pikë të rëndësishme tranziti në lidhjet mes Romës dhe Greqisë. Në shekullin IV pas Krishtit qyteti u rrethua me mure mbrojtëse deri në dy metra të trashë. Në brendësi të këtij territori janë zbuluar mbetje banesash, por edhe një bazilikë paleokristiane e shekullit VI-të, me dysheme të zbukuruar me mozaik. Në 414-516 qyteti citohet në analet kishtare bizantine si qendër peshkopate. Në vitin 551, 50 anije të mbushura me gotë të ndodhura nga hordhitë ostrogote të Atilës që vinin nga toka plaçkitën e dogjën Onhezmin dhe Butrintin.

Qyteti Sarandes – Info

Një lulëzim të rëndësishëm qyteti përjetoi në shekullin X, kohë në të cilën u shndërrua në një liman të rëndësishëm të Temës së Nikeas. Në 1034 qyteti pushtohet nga bullgarët, të cilët u detyruan t’ia lëshojnë pas një gjysmë shekulli normanëve të Robert Giuskardit që vinin nga Sicilia. Këta rindërtuan edhe kështjellën. Në shekujt XII-XIII qëndruan për pak kohë edhe venecianët. Osmanët u shfaqën, për tu larguar pesëqind vjet më pas, në 1413. Rrënimin e fundit, si për ironi të fatit, e pësoi nga një sundimtar i famshëm shqiptar, Ali Pashë Tepelena. Në shekullin XIX-të Saranda kishte një zyrë doganore, një karantinë, një zyrë agjencie lundrimi, një han dhe disa lokale të shërbimit. Megjithatë jeta në bregun e mbushur me histori kishte nisur të rilindte. Krijimi i Shqipërisë së pavarur e gjeti Sarandën vetëm me afër 100 banorë. Zhvillimin më të madh duket se e mori në kohën e  Mbretit Zogu I, në vitet ‘30 të shekullit XX-të. Gjatë kohës së pushtimit Italian qyteti u pagëzua me emrin “Porto Eda”. Eda ishte vajza e dashur e Mussolinit, por në vitet e komunizmit qyteti mori përsëri emrin Saranda.

Info për Sarandën


5. Popullsia, Besimi, Ekonomia
Popullsia: Rrethi i Sarandës, veç qytetit përfshin edhe Bashkinë e Konispolit dhe Finiqit. Popullsia e rrethit zyrtarisht është 85 000 banorë, Krahas popullsisë me kombësi shqiptare, në rrethin e Sarandës jeton edhe një minoritet grek.
Besimi: Në Sarandë, ashtu si pothuaj kudo në Shqipëri, do të gjeni të kombinuara dy besime kryesore fetare: ortodoks dhe mysliman. Raportet mes dy feve kanë qenë gjithnjë shumë të paqta. Të shumta janë edhe martesat e përbashkëta.
Ekonomia: Në zhvillimin ekonomik të Sarandës sot rolin kryesor e luajnë turizmi, tregtia, transporti detar, peshkimi dhe industria e lehtë. Veçanërisht për qytetin e Sarandës si edhe për qendrat turistike të Ksamilit dhe Butrintit ka marrë rëndësi të veçantë zhvillimi i ekonomisë turistike.

Saranda Info

6. Tradita dhe Zakone
Veshja TradicionaleVeshjet popullore janë të larmishme tek çamët dhe labët. Të veçantat e Sarandës në traditën e veshjes dhe objekteve të tjera të kulturës popullore mund t’i gjeni duke vizituar Muzeun Etnografik, i cili ndodhet në qendër të qytetit. Adresa: Pranë Limanit, në shëtitoren kryesore të qytetit. Tel: +355 852 4600.
Këngët: Tipike është polifonia, e cila praktikohet më tepër tek labët dhe tek çamët si dhe këngët e luajtura me saze, veçanërisht më të përhapura në zonën e Delvinës.
Kuzhina: Kuzhina tradicionale e Sarandës, edhe pse ka ndryshuar me ndërhyrjen e kuzhinës greke, turke dhe italiane, ka karakteristikat dhe veçantinë e saj. Ndër gatimet më tipike janë: kukureci, paçja me vezë, byrekët, mishi i qengjit i pjekur etj. Njëkohësisht përveç gatimeve me bazë mishi, shumë të njohura janë gatimet me bazë peshku, ku përmendim peshkun e zgarës, qefulli dhe levrekun. Pija më karakteristike e Sarandës, sikundër në gjithë vendin, është rakia.
SARANDA

Media:   Saranda Web është portali më i madh që ofron informacione për gjithçka rreth Sarandës.


7. Vende për tu vizituar dhe info rreth Sarandes


Saranda dhe territori rreth saj janë absolutisht vendi më i pasur në Shqipëri me objekte të vjetra kulti. Kryesisht kisha që vijnë që nga periudha bizantine dhe disa më të hershme mbeten edhe sot e kësaj dite një nga pasuritë më të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore të vendit.

https://youtube.com/watch?v=1lv2sfbkqAs%3Ffeature%3Doembed

SARANDA

Kisha e Manastirit të 40 Shenjtorëve ndodhet në Lindje të Sarandës. Kisha ndodhet në vendin nga ku mund të shihni tërë Sarandën. Është ndërtuar  në shekullin XV. Një rast më shumë për t’u kredhur në një atmosferë gati-gati mistike.
Kisha e Manastirit të Shën Mërisë në Mesopotam ndodhet vetëm pak kilometra në rrugën që lidh Sarandën me hidrocentralin e Bistricës. Është ndërtuar në shekullin e XI-të nga perandori bizantin Konstantin Monomaku. Është nga monumentet më të rralla bizantine të shekujve XI-XIV-të. Nga manastiri i vjetër sot ruhen rrënoja të mureve rrethuese dhe një kullë në pjesën perëndimore. Manastiri është zhdukur thuajse krejtësisht. Kisha është një përzierje e stilit të vjetër bizantin me ndikim roman. Është ndërtuar në shekullin XII, kohë në të cilën ky territor ishte nën zotërimin e anzhuinëve.

SARANDA INFO


Xhamia e Gjin AleksitNë krejt zonën rreth e rrotull Sarandës do të hasni në shumë xhami. Porse ato janë kryesisht të reja. Një kuriozitet më vete përbën një xhami që i kushtohet një të krishteri. Ajo quhet “Xhamia e Gjin Aleksit” dhe është bashkë me disa varre të shenjta myslimane në mes të fshatit Rusan. Xhamia është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe në shekullin XVII-të dhe është ende funksionale. Xhamia gjendet në periferi të Delvinës.
Itinerare Jashtë Qytetit
Sarandë Butrint – Ksamil Që të shkoni në Butrint duhet të merrni rrugën që ju nxjerr nga jugu i qytetit të Sarandës. Butrinti është rreth 15 kilometra. Përgjatë rrugës do të kaloni një rradhë të gjatë hotelesh dhe pastaj do të hyni në Parkun Kombëtar të Butrinit në një rrip shkëmbor që është i vendosur mes liqenit të Butrintit dhe detit. Qyteti antik është i hapur për turistët prej orës 08.00 të mëngjesit gjatë të gjitha ditëve të javës. Për informacion:
Rr. “Skënderbeu”, Lgj. 1, te Muzeu Etnografik.

SARANDA info

Në fillim të parkut do të hasni një banesë romake që duhet të jetë e shekullit të II-të pas Krishtit dhe më pas një kolonadë për të cilën studiuesit mendojnë se duhet të jetë shumë më e hershme se banesa. Në krah të kolonadës do të shihni monumentin më të rëndësishëm të Butrintit, teatrin antik. Ky është ndërtuar në shekullin e IV para Krishtit dhe sot është në gjendje shumë të mirë. Në skenën e tij luhen gjatë stinës së verës shumë shfaqje. Aktiviteti më i njohur është Festivali Ballkanik i Teatrove që organizohet këtu për çdo vit, në muajin korrik. Në muret e teatrit do të keni mundësi të shihni shumë mbishkrime në latinisht. Kryesisht janë vendime për lirimin e skllevërve. Teatri i Butrintit mban afër 2 mijë spektatorë. Afër teatrit gjenden rrënojat e tempullit të Asklepit, apo Eskulapit, perëndisë antike të Shëndetit. Ka shumë të ngjarë që tempulli të jetë ngritur këtu pikërisht falë një burimi të cilit butrintasit e vjetër i blatonin fuqi magjike shëruese. Shumë statuja dhe dhurata të tjera të gjetura këtu i kanë shtyrë studiuesit të mendojnë se Asklepi ka qenë perëndia mbrojtëse e qytetit. Në lindje të teatrit, jo shumë larg tij gjendet baptisteri i Butrintit. Ky është ndërtuar në shekullin IV. Në mes të tij është salla e pagëzimit e rrethuar nga një numër kolonash që mbahen ende në këmbë. Dyshemeja është e shtruar me mozaik që paraqet 69 medaljone me simbole kishtare dhe skena të njohura, ekuaristinë dhe pagëzimin. Përveç vlerave arkeologjike, Butrinti ofron një kompleks të tërë natyror dhe gjeosistem te veçantë. Qyteti antik ndodhet mes një gjelbërimi natyral, buzë liqenit karakteristik, vetëm 3 km larg detit, me të cilin lidhet nëpërmjet kanalit të Vivarit.

Saranda Informacione – Ksamili

Ksamili është një qendër e re banimi. Në Ksamil dhe në 3 ishujt e vegjël përballë tij ka mjaft plazhe të mrekullueshëm, të cilët ju mund t’i zbuloni deri në orët e vona të pasdites, duke udhëtuar me varkat e shumta që e ofrojnë këtë shërbim. Janë ishuj të vegjël shkëmborë pranë njëri-tjetrit, të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft mirë të zhvilluar. Në ujin detar gjallon një faunë e florë mjaft e pasur të mbrojtura nga konventat Ndërkombëtare, ku Shqipëria aderon. Përbën një zonë unikale dhe mjaft përfaqësuese e bregdetit shkëmbor jonik shqiptar. Monumenti në fjalë është në gjendje të mirë. Ai ka vlera turistike, shkencore, biologjike. Për të shkuar tek ky monument merret rruga automobilistike Sarandë-Ksamil, Ksamil-Ishuj me lundrim.

Saranda Information Syri i Kalter

Sarandë- Mesopotam – Syri i Kaltër Mesopotami ndodhet në krah të rrugës që lidh Sarandën me Gjirokastrën. Në të mund të shkohet edhe nga ana e Delvinës, nga e cila e ndajnë vetëm katër kilometra. Ky është një fshat shumë i gjelbër, i vendosur në krah të lumit Bistrica. Monumenti më i rëndësishëm në Mesopotam është Manastiri i Shën Kollit i shekullit XI. Siluetën e mureve dhe të kishës së tij do ta shihni vetëm pak qindra metra larg rrugës kryesore. Pasi të keni lënë pas hidrocentralin e Bistricës, ndiqni rrugën majtas, e cila pas dy kilometrash do t’ju çojë në një nga vendet më të bukura të Shqipërisë, në atë që quhet “Syri i Kaltër”. Është vendi i vetëm ku është takuar deri më sot një lloj i ri për Shqipërinë, lakuriqi i natës (Myotis bechsteinii). Ka vlera turistike, shkencore, estetike, dhe çlodhëse. Ky është vendburimi i lumit Bistrica, ka një burim kryesor me diametër prej gjashtë metrash me ujë të kthjellët që nuk shteron kurrë dhe anash tij ka edhe një numër shumë të madh burimesh. Është shpallur “Pasuri e Rrallë Natyrore” dhe mbrohet nga shteti shqiptar. Burimi është i rrethuar nga pyje të virgjër.

SARANDA – Info

Sarandë – Kakome – Shën Vasil – Nivicë – Lukovë – BorshItinerari që po ju propozojmë tani është njëri ndër më interesantët jo vetëm në Sarandë, por për krejt Shqipërinë. Ky është udhëtimi përgjatë rrugës që lidh Vlorën me Sarandën në drejtim të Veriut. Pasi të keni lënë pas lagjet periferike, gjithnjë e më tepër në zgjerim të Sarandës stacioni juaj i parë do të jetë Gjiri i Kakomesë. Përfaqëson një gji të vogël detar, por mjaft piktoresk. Në këtë gji po bëhen përpjekje nga investitorë të huaj e vendas për të ngritur një fshat turistik për turistë cilësorë të Evropës Perëndimore dhe Veriore. Nëse jeni në Gjirin e Kakomesë mos harroni të vizitoni edhe dy pika të rëndësishme turistike. Këto janë fshatrat Shën Vasil dhe Nivicë. Për të shkuar drejt tyre duhet të ktheheni nëpër të njëjtën rrugë që përshkuat më parë. Në fakt fshati ka ekzistuar falë një manastiri që është ngritur në kujtim të shenjtit në shekullin XVII. Jo shumë larg nga fshati ndodhet plazhi i bukur i Krorëzës.

SARANDA – Informacione te tjera

Nivica është një fshat jo bregdetar, fare afër Shën Vasilit, është fshat i njohur që përmendet që herët në dokumente historike. Veçanërisht ka qenë i famshëm për ushtarët që i dërgonte në ushtritë e huaja që nga Venediku dhe deri në Spanjë. Nëse vazhdoni përgjatë rrugës kryesore brenda më pak se gjysmë ore do të ndodheni në një fshat tjetër të njohur, në Lukovë.

Lukova duket se ka qenë një vendbanim shumë i hershëm. Arkeologët kanë gjetur në vendin që quhet Kodra e Gashnjarit rrënoja të një fortifikimi të kohës së bronzit.

Gjurmë të një kalaje të vjetër që besohet të jetë e shekullit III-II-të para Krishtit janë gjetur edhe në vendin që fshatarët e quajnë “Qafa e Pazarit”. Megjithëse sot të dëmtuara, ju mund të ndaleni në atë që quhet “Ballkoni i Bregdetit” për të parë dhe përfytyruar punën e madhe që u bë në Lukovë dhe rreth saj. Pas 15 kilometrash do të arrini në një fshat tjetër me bukuri të rrallë, në Borsh. Rruga që do të përshkoni është një atraksion turistik më vete, gjatë të gjithë kohës do të keni në krahun tuaj të majtë siluetën e Korfuzit të rrethuar nga ujërat blu të Jonit.

SARANDA – Informohu për gjithcka

Borshi është një nga fshatrat më të mëdhenj të kësaj zone. Shumë interesant është të shkoni në Borshin e vjetër, rrënojat e të cilit shtrihen mbi një majë shkëmbore afër 300 metra të lartë. Ajo që do t’ju bëjë përshtypje që poshtë nga rruga kryesore është një kështjellë e vjetër. Kjo është kështjella e Sopotit, të cilën vendasit e quajnë edhe “Kalaja e Grekut”. Është një vend shumë strategjik, nga kjo kala mund të shihet Joni deri shumë larg në horizont. Në qendër të Borshit do t’ju tërheqë vëmendjen edhe një burim me ujëra të bollshme që zbret nga mali. Nëse zbrisni poshtë përmes shtëpive të fshatarëve drejt detit, do të arrini në mes të rrugës dhe detit, në një hidrocentral të vogël që furnizon me energji të gjithë zonën.

Do të kini rast të shihni me sytë tuaj se si energjia e ujërave, me të cilat ishit freskuar ca më lart, tani shndërrohet në energji elektrike. Poshtë në fushë, pasi të keni kaluar një plantacion të gjerë me ullinj e agrume, do të mbërrini në zhavorrin e bardhë të plazhit të Borshit, i gjatë disa kilometra. Tani mos mendoni më për gjë tjetër. Kridhuni në Jon dhe gëzoni këtë parajsë të mbetur ende të paprekur. SARANDA – Info / SARANDA WEB

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

BURGER KING® Sarandë kërkon STAF RESTORANTI / Punonjës në Kuzhinë
Deputeti Niko Kuri: Zgjedhjet për kryetarin e MEGA do të zhvillohen më 23 Nëntor
MEGA reagon pas zhvillimeve të fundit: Të respektohet statuti, s’ka zgjedhje në 23 Nëntor
Bashkia Sarandë gënjen jo vetëm qytetarët, por edhe këshilltarët – VIDEO
BURGER KING kërkon të punësojë Asistent Menaxher  dhe Pergjegjës Turni
Greqi plan masash për të mbështetur të rinjtë dhe të papunët

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.