Rexhep Ismaili i jepet Lamtumira e fundit nga mijëra pjesëmarrës

09/05/2614:00

Shperndaje:

Rexhep Ismaili i jepet Lamtumira e fundit nga mijëra pjesëmarrës. Mijëra njerëz nga zona e Sarandës, qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe diaspora shqiptare, i dhanë sot lamtumirën e fundit Rexhep Ismaili, kryetaritShoqatës “Çamëria” dega Sarandë.

 

 

Në një atmosferë dhimbjeje dhe respekti të thellë, familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe bashkëkombas u mblodhën për të nderuar jetën dhe veprën e një njeriu që mbeti simbol i dinjitetit, besës dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare. Arkivoli i tij, i mbuluar me flamurin kombëtar shqiptar, u përcoll mes lotëve dhe homazheve të mijëra pjesëmarrësve që erdhën për t’i dhënë nderimin e fundit.

 

Rexhep Ismaili humbi jetën në një akt të rrallë burrërie dhe sakrifice, ku për të mbrojtur mikun në shtëpinë e tij, nuk nguroi të sakrifikojë jetën e vet. Ky gjest fisnik do të mbetet përherë në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan.

 

“Është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot” – Debati që shkaktoi vrasjen e Rexhep Ismaili

 

Largimi i tij është një humbje e madhe për komunitetin çam, për Sarandën dhe për gjithë shqiptarët.

 

Rexhepi lindi në vitin 1960 në fshatin Gjashtë të Sarandës. Prindërit e tij, Hatixheja dhe Serveti, ndjesë paçin, ishin me rrënjë nga Çamëria, të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore që në vitet e Luftës së Parë Botërore, 1914-1918, si shumica e banorëve që krijuan fshatin Gjashtë në ato vite.

 

I rritur dhe edukuar në një familje të madhe, me pesë vëllezër e tri motra, ai u dallua në shkollë e në jetë për dashurinë ndaj dijes, për guximin për të kapërcyer çdo vështirësi në jetë, për prirjen për të qenë lider kudo që ndodhej mes shokëve në shkollë, lojëra, shoqëri, punë, për dashurinë dhe krenarinë e origjinës së tij nga e bekuara Çamëri. Ai binte në sy për inteligjencën, aftësinë për të bërë çdo punë e profesion me këmbëngulje e aftësi të rralla, siç spikaste për miqësinë e shoqërinë e madhe me të gjithë, pa pyetur për origjinën krahinore apo besimin fetar. Besnik, i devotshëm, i gjendur për të gjithë, në familje e shoqëri.

 

Hekuran Halili: Rexhep Ismaili iku si kalorës i besës

 

Rexhep Ismaili ishte tipiku i njeriut që, kur ndjente dhimbjet e vështirësitë e tij, ndjente që ishte gjallë; kur ndjente dhimbjet dhe hallet e të tjerëve, bëhej copë për t’u ndodhur në krah e për t’i ndihmuar, ndjente se jetonte. Ishte kjo cilësi e ndërtimit të karakterit të tij që shumë miq e shokë i besuan dhe i kërkuan ndihmë në momente të vështira.
Rexhepi ishte nga ata njerëz që, sa herë e shihje, e takoje, gjithmonë të dukej i gëzuar, optimist, plot energji pozitive, që ta induktonte edhe ty me shumë dashuri, shumë thjesht e natyrshëm.

 

E dini pse ai përherë ishte kështu?! Sepse Rexhepi nuk priste asgjë nga asnjë, nga askush. Të gjitha çfarë iu deshën në jetë i siguroi me punën, djersën, sakrificën dhe aftësitë e veta.

 

Ai ishte nga ata njerëz që, para se të vdiste, diti ta jetonte jetën.

 

Por jeta e Rexhepit nuk mund të kuptohet pa dashurinë e dashurive të tij, pa Çamërinë, të cilës i kushtoi gjithçka. Që në krijimin e Shoqërisë “Çamëria”, Dega Sarandë, në vitin 1991, në moshën djaloshare, tridhjetë vjeç, ai u rreshtua në ballë të punëve dhe aktiviteteve të shumta që u bënë për të.

 

Që në zgjedhjet e para ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, më pas anëtar i Kryesisë, pastaj nënkryetar, sekretar dhe në vitet e fundit kryetar i shoqërisë “Çamëria”, dega Sarandë.

 

 

Rexhep Ismaili ishte dhe do të mbetet një prej zërave më të palëkundur të mbrojtësve më të spikatur të çështjes çame, si pjesë e pandarë e çështjes kombëtare shqiptare. Me guxim, me dinjitet, me përkushtim, me kujdes, pa lënduar askënd, në harmoni të plotë, me respektimin e ligjit kombëtar e ndërkombëtar, ai me shokët e tij u bënë ballë vështirësive të kohës, duke qëndruar në ballë të së vërtetës historike dhe të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Çamërisë.

 

Rexhepi jetoi me gjithë dashurinë për jetën. Kudo që punoi e veproi, të parin vuri shpirtin e drejtë njerëzor. U largua nga kjo jetë në mënyrë tragjike, të dhimbshme, por iku me nder.

 

Ai iku si kalorës i besës, virtytit më të bukur e më me vlerë të shqiptarëve, i nderimit për mikun që, kur të vjen brenda pragut të shtëpisë, është i paprekshëm. Kështu ishte edukuar që kur u mëkua me gjirin e nënës, nga sjellja e shembulli i babait, fisit, krahinës, përcjellë brez pas brezi. Fjala e tij e fundit ishte: “Në shtëpinë time vdes unë, pa u prekur miku…!”

 

Rexhep Ismaili la pas gruan, vajzën, djalin, por la edhe kujtimin e një njeriu dinjitoz, të besës, familjar shembullor, vëlla i rrallë, i kudondodhur në të mira e furtuna jete, biznesmen i suksesshëm, atdhetar i rrallë.

 

Humbja e Rexhepit është një goditje e rëndë jo vetëm për familjen, miqtë e shokët, bashkëpunëtorët e tij, por më gjerë, për gjithë shqiptarët e Çamërisë, bashkëfshatarët e Gjashtës, Metoqit, Shelegarit, Çukës, qytetarët sarandiotë, të cilët janë të tronditur e të prekur nga kjo ngjarje që nuk kishte asnjë arsye të ndodhte.

 

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Hekuran Halili: Rexhep Ismaili iku si kalorës i besës
Rexhep Ismaili i jepet Lamtumira e fundit nga mijëra pjesëmarrës
Drejtoria e Policisë Vlorë deklaratë për shtyp për vrasjen në Gjashtë të Rexhep Ismaili – VIDEO
Ramo Saranda Hotel & Restaurant kërkon Ndihmës Kuzhiniere dhe Sanitare
“Është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot” – Debati që shkaktoi vrasjen e Rexhep Ismaili
“Pëllumbat e Postës 2003” akuzojnë Fidel Ylli: Na kanë bllokuar pëllumbat në doganë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.