Drejtoria e Policisë Vlorë deklaratë për shtyp për vrasjen në Gjashtë të Rexhep Ismaili – VIDEO

08/05/2618:25

Shperndaje:

Drejtoria e Policisë Vlorë deklaratë për shtyp për vrasjen në Gjashtë të Rexhep Ismaili. Pas zbardhjes së ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e 7 majit 2026 në fshatin Gjashtë të Sarandës, Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, ka dalë sot në një deklaratë publike për mediat, ku ka bërë me dije detaje nga hetimet paraprake për vrasjen e biznesmenit Rexhep Ismaili në lokalin në pronësi të tij.

 

 

Sipas deklaratës së kreut të Policisë së Vlorës, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në ambientet e lokalit të viktimës, në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 66-vjeçari Rexhep Ismaili, ndërsa u plagos edhe shtetasi Kostandin Vogli.

 

Çela theksoi se falë veprimeve intensive dhe profesionale të specialistëve për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe strukturave të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar si dhe zbardhja paraprake e dinamikës së konfliktit.

 

Nga hetimet rezulton se në lokalin e viktimës kanë shkuar shtetasit Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, të cilët janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin Viktor Ruçi, viktima Rexhep Ismaili dhe persona të tjerë. Konflikti mes palëve ka nisur menjëherë me sende të forta.

 

Sipas Policisë, gjatë përplasjes së dhunshme, Rexhep Ismaili ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të personave të përfshirë në konflikt. Më pas, dyshohet se Lulzim Tabaku ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ndaj Ismailit, i cili humbi jetën në vendngjarje. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur në këmbë edhe Kostandin Vogli, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe do t’u nënshtrohet procedurave penale.

 

Policia bëri të ditur se pas ngjarjes të gjithë personat e përfshirë janë larguar nga vendi i krimit. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, H. Ismaili, ka fshehur armën automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më vonë u gjetën dhe u sekuestruan nga grupi hetimor në cilësinë e provës materiale.

 

Gjatë hetimeve janë sekuestruar gjithashtu një automjet tip “Audi Q8”, fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, si dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Në vijim të kontrolleve, në fshatin Nivicë është gjetur i braktisur motomjeti me të cilin dyshohet se është larguar autori i dyshuar, ndërsa në lagjen nr. 1 të Sarandës është bllokuar edhe një automjet tip “Audi”, që dyshohet se është përdorur nga personat e përfshirë në konflikt.

 

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia shpalli në kërkim Lulzim Tabakun, 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ndërsa Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla janë shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

 

Po ashtu, është proceduar penalisht edhe H. Ismaili, vëllai i viktimës.

 

Drejtori i Policisë së Vlorës deklaroi se hetimet intensive vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe për lokalizimin e kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit duke dhënë çdo informacion të vlefshëm.

 

“Policia e Qarkut Vlorë mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët”, u shpreh Çela në përfundim të deklaratës së tij.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Drejtoria e Policisë Vlorë deklaratë për shtyp për vrasjen në Gjashtë të Rexhep Ismaili – VIDEO
“Është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot” – Debati që shkaktoi vrasjen e Rexhep Ismaili
“Pëllumbat e Postës 2003” akuzojnë Fidel Ylli: Na kanë bllokuar pëllumbat në doganë
Vritet në ambjentin e biznesit Rexhep Ismaili
Debatet për ndarjen territoriale gjatë dëgjesës publike në Vlorë – VIDEO
Caffe Italia Sarandë kërkon të punësojë Punonjëse pastrimi

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.