Mbledhje e Këshillit Bashkiak Sarandë, në fokus sezoni turistik, siguria publike dhe çmimet për zonat bregdetare

29/05/2611:24

Shperndaje:

Mbledhje e Këshillit Bashkiak Sarandë, në fokus sezoni turistik, siguria publike dhe çmimet për zonat bregdetare

Sot, më 29 maj 2026, në orën 12:00, në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak Sarandë, do të zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit të Bashkisë, ku pritet të diskutohen një sërë çështjesh me rëndësi për qytetin dhe njësinë administrative Ksamil.

 


Në krye të rendit të ditës janë masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe garantimin e sigurisë publike. Përfaqësues të Komisariatit të Policisë Sarandë do të raportojnë mbi angazhimet dhe masat e ndërmarra për periudhën verore, ndërsa administrata e Bashkisë do të paraqesë raportin mbi përgatitjet për sezonin turistik 2026.

 

Këshilltarët do të informohen gjithashtu mbi procesin e inventarizimit të pemëve dhe hapësirave publike në Sarandë dhe Ksamil, si dhe mbi problematikat e konstatuara gjatë zbatimit të projekteve publike, veçanërisht në lidhje me cilësinë e punimeve dhe standardet e sigurisë rrugore.

 

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me ecurinë e procesit të trajtimit të kërkesave për përfundimin e kalimit të pronësisë në kuadër të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 329, datë 22 maj 2019.

 

Në mbledhje do të shqyrtohen dhe miratohen disa projektvendime me karakter social dhe ekonomik, përfshirë përdorimin e fondit të kushtëzuar për ndihmën ekonomike, dhënien e ndihmës ekonomike nga të ardhurat e Bashkisë për muajin prill 2026, si dhe lista përfundimtare e familjeve përfituese nga programi i subvencionimit të qirasë në tregun e lirë për vitin 2026.

 

Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe ndryshimet në strukturën e ndërmarrjes së shërbimeve publike, shtesa dhe ndryshime në rregulloren e kundërvajtjeve administrative në territorin e Bashkisë Sarandë, si dhe kërkesa për transferimin në pronësi të Bashkisë të një sipërfaqeje trualli prej 8,911 metrash katrorë.

 

Vëmendje të veçantë pritet të marrin dy projektvendime që lidhen drejtpërdrejt me sezonin turistik: miratimi i çmimeve maksimale për zonat bregdetare të Bashkisë Sarandë dhe Ksamilit, si dhe miratimi i vendbazimeve të mjeteve lundruese dhe korridoreve të lëvizjes së tyre.

 

Mbledhja do të përmbyllet me shqyrtimin e një projektvendimi për korrigjimin e gabimeve materiale në dokumentacionin e administratës vendore.

 

Ky është një nga takimet më të rëndësishme të Këshillit Bashkiak në prag të sezonit veror, pasi pritet të merren vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në administrimin e plazheve, aktivitetin turistik dhe shërbimet publike në Sarandë dhe Ksamil. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Protesta e pronarëve të mjeteve ujore në Ksamil ndërpret mbledhjen e Këshillit Bashkiak Sarandë
Restorant & Pizzeri Il Pomodoro në Sarandë kërkon staf për sezonin
Mbledhje e Këshillit Bashkiak Sarandë, në fokus sezoni turistik, siguria publike dhe çmimet për zonat bregdetare
BUZË Hotel në Sarandë kërkon Kamarier/e dhe Punonjëse Lavanderie
Rrihen pronarët e “Pikës së Vogël” në Manastir, konflikti mes ortakëve të “Finman” degradoi në dhunë
Nga dhimbja te shpresa, familja e Fatjon Zhupës hyn në shtëpinë e re falë bujarisë së Monopol Lounge

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.