Hekuran Halili: Rexhep Ismaili iku si kalorës i besës

09/05/2614:58

Shperndaje:

Hekuran Halili: Rexhep Ismaili iku si kalorës i besës, i nderimit për mikun që, kur të vjen brenda pragut të shtëpisë, është i paprekshëm. Fjala e Hekuran Halili, aktivist i Shoqatës Çamëria, Dega SarandëLamtumirë e parakohshme për Rexhep Isamili një bir të denjë sarandiot me rrënjë nga Çamëria.

 

Fjala e Hekuran Halili në Lamtumirën e fundit për Rexhep Ismaili

 

E nderuara familje e Rexhep Hatixhe Servet Ismaili, Lumturi, Rexhina, Relus! Të nderuar motra, vëllezër, mbesa, nipër, farefis, krushq, miq e shokë të tij! Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni të lamtumirës së fundit të Rexhepit tonë, një ceremoni sa e dhimbshme, aq edhe e parakohshme!

 

E kam të vështirë të gjej fjalën e duhur, të merituar, fjalën që flet, tregon për jetën e veprën e Rexhepit, fjalën që ngushëllon, mbasi jeta, puna, vepra e tij kërkojnë faqe e faqe të tëra për të folur e treguar. Ai jetën e jetoi shumë aktivisht, denjësisht, intensivisht.

 

Rexhepi lindi në vitin 1960 në fshatin Gjashtë të Sarandës. Prindërit e tij, Hatixheja dhe Serveti, ndjesë paçin, ishin me rrënjë nga Çamëria, të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore që në vitet e Luftës së Parë Botërore, 1914-1918, si shumica e banorëve që krijuan fshatin Gjashtë në ato vite.

 

I rritur dhe edukuar në një familje të madhe, me pesë vëllezër e tri motra, ai u dallua në shkollë e në jetë për dashurinë ndaj dijes, për guximin për të kapërcyer çdo vështirësi në jetë, për prirjen për të qenë lider kudo që ndodhej mes shokëve në shkollë, lojëra, shoqëri, punë, për dashurinë dhe krenarinë e origjinës së tij nga e bekuara Çamëri. Ai binte në sy për inteligjencën, aftësinë për të bërë çdo punë e profesion me këmbëngulje e aftësi të rralla, siç spikaste për miqësinë e shoqërinë e madhe me të gjithë, pa pyetur për origjinën krahinore apo besimin fetar. Besnik, i devotshëm, i gjendur për të gjithë, në familje e shoqëri.

 

Rexhepi ishte tipiku i njeriut që, kur ndjente dhimbjet e vështirësitë e tij, ndjente që ishte gjallë; kur ndjente dhimbjet dhe hallet e të tjerëve, bëhej copë për t’u ndodhur në krah e për t’i ndihmuar, ndjente se jetonte. Ishte kjo cilësi e ndërtimit të karakterit të tij që shumë miq e shokë i besuan dhe i kërkuan ndihmë në momente të vështira.

Rexhepi ishte nga ata njerëz që, sa herë e shihje, e takoje, gjithmonë të dukej i gëzuar, optimist, plot energji pozitive, që ta induktonte edhe ty me shumë dashuri, shumë thjesht e natyrshëm.

 

E dini pse ai përherë ishte kështu?! Sepse Rexhepi nuk priste asgjë nga asnjë, nga askush. Të gjitha çfarë iu deshën në jetë i siguroi me punën, djersën, sakrificën dhe aftësitë e veta.

 

Ai ishte nga ata njerëz që, para se të vdiste, diti ta jetonte jetën.

 

Por jeta e Rexhepit nuk mund të kuptohet pa dashurinë e dashurive të tij, pa Çamërinë, të cilës i kushtoi gjithçka. Që në krijimin e Shoqërisë “Çamëria”, Dega Sarandë, në vitin 1991, në moshën djaloshare, tridhjetë vjeç, ai u rreshtua në ballë të punëve dhe aktiviteteve të shumta që u bënë për të.

 

Që në zgjedhjet e para ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, më pas anëtar i Kryesisë, pastaj nënkryetar, sekretar dhe në vitet e fundit kryetar i shoqërisë “Çamëria”, dega Sarandë.

 

Rexhepi ishte dhe do të mbetet një prej zërave më të palëkundur të mbrojtësve më të spikatur të çështjes çame, si pjesë e pandarë e çështjes kombëtare shqiptare. Me guxim, me dinjitet, me përkushtim, me kujdes, pa lënduar askënd, në harmoni të plotë, me respektimin e ligjit kombëtar e ndërkombëtar, ai me shokët e tij u bënë ballë vështirësive të kohës, duke qëndruar në ballë të së vërtetës historike dhe të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Çamërisë.

 

Rexhepi jetoi me gjithë dashurinë për jetën. Kudo që punoi e veproi, të parin vuri shpirtin e drejtë njerëzor. U largua nga kjo jetë në mënyrë tragjike, të dhimbshme, por iku me nder.

 

Ai iku si kalorës i besës, virtytit më të bukur e më me vlerë të shqiptarëve, i nderimit për mikun që, kur të vjen brenda pragut të shtëpisë, është i paprekshëm. Kështu ishte edukuar që kur u mëkua me gjirin e nënës, nga sjellja e shembulli i babait, fisit, krahinës, përcjellë brez pas brezi. Fjala e tij e fundit ishte: “Në shtëpinë time vdes unë, pa u prekur miku…!”

 

Ai la pas gruan, vajzën, djalin, por la edhe kujtimin e një njeriu dinjitoz, të besës, familjar shembullor, vëlla i rrallë, i kudondodhur në të mira e furtuna jete, biznesmen i suksesshëm, atdhetar i rrallë.

 

Humbja e Rexhepit është një goditje e rëndë jo vetëm për familjen, miqtë e shokët, bashkëpunëtorët e tij, por më gjerë, për gjithë shqiptarët e Çamërisë, bashkëfshatarët e Gjashtës, Metoqit, Shelegarit, Çukës, qytetarët sarandiotë, të cilët janë të tronditur e të prekur nga kjo ngjarje që nuk kishte asnjë arsye të ndodhte.

 

Në momentet e dhimbjes së madhe që ka gjetur derën fisnike të Ismailenjve, në emrin tim, në emrin e gjithë bashkëfshatarëve, bashkëqytetarëve, të gjithë banorëve të Çamërisë kudo që ata jetojnë e punojnë, ju shpreh ngushëllimet më të përzemërta, më të thella, për të gjithë ju! Bëhuni të fortë. Të gjithë marrim një pjesë të dhimbjes nga dhimbja juaj e madhe, për t’ua lehtësuar atë.

 

Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tij, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje…

 

I paharruar Rexhepi ynë, të qoftë i lehtë dheu i varrit, u prehsh në amëshim, u prehsh në parajsë! Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Hekuran Halili: Rexhep Ismaili iku si kalorës i besës
Rexhep Ismaili i jepet Lamtumira e fundit nga mijëra pjesëmarrës
Drejtoria e Policisë Vlorë deklaratë për shtyp për vrasjen në Gjashtë të Rexhep Ismaili – VIDEO
Ramo Saranda Hotel & Restaurant kërkon Ndihmës Kuzhiniere dhe Sanitare
“Është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot” – Debati që shkaktoi vrasjen e Rexhep Ismaili
“Pëllumbat e Postës 2003” akuzojnë Fidel Ylli: Na kanë bllokuar pëllumbat në doganë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.