Reagon për herë të parë Eli Fara: Më kanë cënuar privatësisë, përballem me gjykime e fyerje

Eli Fara reagon pas cenimit të privatësisë: Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem

Këngëtarja Eli Fara ka reaguar pas publikimit në internet të pamjeve private, duke shprehur dhimbjen për cenimin e privatësisë dhe për gjykimet që, sipas saj, kanë prekur edhe familjen.

Në reagimin e saj, Fara thekson se të qenit artiste nuk ia heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet. Ajo shprehet se çështjen do t’ia lërë drejtësisë, ndërsa i kërkon publikut të ndalojë shpërndarjen e materialeve.

“Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem”, shkruan këngëtarja, duke nënvizuar se përgjegjësia u përket personave që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e të tjerëve.

Ndërkohë, kompozitori Adrian Hila është proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa hetimet vijojnë edhe për identifikimin e personit që ka shpërndarë materialet. Procedimi nuk përbën përcaktim të fajësisë.

Reagimi i plotë i Eli Farës:

Kam kaluar një jetë në skenë, duke ndarë me publikun këngën dhe dashurinë për artin. Sot po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time.

Në këtë shoqëri, grave u kërkohet shpesh të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre. U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim. Sot po e përjetoj vetë sa e rëndë është të shohësh jetën tënde private të kthyer në spektakël dhe të ndiesh se, për disa njerëz, çdo gjë që ke ndërtuar vlen më pak se një moment intim.

Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem. Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një njeriu. Intimiteti i një gruaje nuk është leje për ta poshtëruar.

Të qenit artiste nuk ma heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet. Këtë të drejtë e ka çdo grua, pavarësisht emrit, profesionit apo zgjedhjeve të saj. Këtë çështje do t’ia lë në dorë drejtësisë. Nga publiku kërkoj njerëzillëk dhe ndalimin e shpërndarjes. Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni.

Falënderoj nga zemra familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur, publikisht apo privatisht. Dashuria dhe mirëkuptimi juaj më japin forcë. Do të marr kohën që më duhet dhe do të vazhdoj përpara, me dinjitet dhe me kokën lart.

E juaja, Eli Fara

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Protesta e studentëve në Tiranë LIVE / Ndiqni transmetimin e drejtpërdrejtë nga Reuters
Lexoni më shumë
Nxënësit e “Hasan Tahsinit” bojkotojnë mësimin në Sarandë, thirrje bashkëmoshatarëve të bashkohen
Lexoni më shumë
Rama reagon pas protestave të studentëve: Hajdeni të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje
Lexoni më shumë
Nxënës dhe studentë paralajmërojnë bojkot dhe protesta edhe në Sarandë
Lexoni më shumë
Kumbaro reagon pas protestave të nxënësve dhe studentëve: Jemi të hapur për dialog
Lexoni më shumë
Tirana në bojkot dhe protestë, në Sarandë nxënësit dhe studentët vijojnë normalisht mësimin
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.