Hap dyert “i rilindur” Pallati i Kulturës në Lezhë… Po me godinën e teatrit “Butrinti” të Sarandës çfarë bëhet?!

03/01/2418:16

Shperndaje:

Nga Vangjel Agora – Prej disa muajsh Pallati i Kulturës “Ded Ndue Lazri” i është nënshtruar një rikonstruksioni të thellë.Rikonstruksioni përfshiu këtë objekt në sallën e koncerteve, të leksioneve, sallën e valles, baletit, etj.

Ky rikonstruktim e kthehu Pallatin e Kulturës  në një shkollë edukimi e kulture, por edhe në një aksesor për turizmin dhe një brand që do të mbështesë artin, artistët dhe kulturën e lashtë të këtij qyteti.Pallati i Kultures dhe biblioteka publike e qytetit të Lezhës u rikonstruktuan  duke u kthyer në kushte bashkohore, ndërsa vlera e investimit kapi vlerën e 220 milion lekëve,.

Më gëzoi ky lajmë që vjen nga qyteti i Lezhës dhe çdo lajm që ka të bëjë me artin. Kjo më nxiti ti rri kthehem edhe një herë problemit me sallën ton të teatrit “Butrinti” sepse ka të bëjë me ndjenjat dhe kontributin tim dhe të kolegëve të  mijë  artist në këtë qytet duke shprehur kështu  dhe  ndjesinë e çdo qytetari që ka reaguar dhe  reagon me neglizhencën kaq vjeçare të institucionit përgjegjës për rikonstruksionin e godinës së teatrit.

Quhet Kino -Teatri “Butrinti” por vetëm emrin ka të tillë, sepse në godinën e tij këtu e 5 vjet nuk  prodhohet më art e kulturë. Kështu po ndodh në Sarandë, me ambientin e vetëm kulturor të këtij qyteti. Askush që ka vite që nuk ka hyrë, nuk mund ta mendojë situatën me të cilën do të përballet nëse hynë në teatër dhe nuk ka dijeni se për çfarë bëhet fjalë. Prej vitesh, degradimi thellohet në këtë tempull të kulturës për të ardhur deri më sot, kur mungojnë elementët më të domosdoshëm .Një sallë e amortizuar totalisht me të gjitha aksesorët e saj. Ndërsa ulesh në sallë si spektatorë duhet të kesh kujdes sepse kariket janë kalbur e mund të lësh në to ndonjë copë të fustanit ose të pantallonave.. Ambienti historikisht ka qenë i ftohtë në dimër  ndërsa në verë e pa durueshëm të interpretosh apo të ndjekësh një shfaqe.
Duket si paradoksale të mendohet, për një element që trupërisht i mungon kësaj godine, tualetet për spektatorët Ato kanë vite që nuk funksionojnë, si rezultat i mbylljes dhe tjetërsimit nga qiramarrësit e hollit të teatrit. Fatmirësisht  për spektatorët ,godina ndodhet shumë pranë bareve, duke i parë ato si zgjidhjen e vetme për të shpëtuar nga halli, ndërsa mund të kesh menduar vetëm për tu argëtuar.
Kanë qenë këto disa nga  kushte që kanë ndikuar edhe në uljen e performancës artistike vitet e fundit kur ajo funksiononte duke sjellë për pasojë edhe bojkotin nga spektatori.. Për kohën kur u ndërtua  kjo godinë ka qenë shumë i avancuar. Një nga godinat më të bukura dhe funksionale në vend. Kishte ambiente provash për formacione të vogla dhe të mëdha, vokale dhe orkestrale, ansamble. .Aty punonte trupa e estradës profesioniste, teatëri amator, banda frymore dhe përgatiteshin shumë aktivitete të ndryshme tematike dhe artistike. Kishte një magazinë të kompletuar me kostumografin  e premiera të ndryshme të estradës të vëna në skenë gjatë viteve, si dhe kostume popullore e instrumenta të  trevave etnografike të Sarandës., te cilat sot janë zhdukur ose ndodhen në gjendje të mjerueshme.
Sot kemi një godinë që ka vetëm një sallë aktivitetesh jo funksionale, sepse ambientet e tjera janë kthyer në zyra shtesë të bashkisë, pa sistem fonie, pa sistem ndriçimi, pa sistem ngrohje dhe ftohje, pa skenë të kompletuar profesionalisht. Me karike shumë të amortizuara për spektatorët. Pa kurim akustik të skenës dhe sallës, Një godinë teatri i plasaritur të cilës i ka rënë suvaja brenda sallës, pra gjithëshka  jashtë përdorimit


Jo shumë larg, vetëm 10 vite më parë, në skenën e teatrit, me kushte minimale, krahas premierave të estradës viheshin në skenë edhe  shumë  aktivitete artistike, si mbrëmje tematike, konkurse e koncerte të ndryshme. Por sot prej rreth 5 vitesh, kjo godinë vetëm tretet nga brenda edhe nga jashtë. Degradimi i saj vijon dhe ndërhyrjet sporadike që janë bërë gjatë viteve, nuk kanë bërë asgjë më shumë se arnime pa vlera për të ndryshuar fatin e këtij “tempulli të artit” në qytetin e Sarandës. Ndërsa hymë në brendësi të godinës kupton hallin e artistëve .Karike të kalbura e të amortizuar tej mase. Dikur kishte rreth 450 vende në sallë, ndërsa sot një pjesë e tyre janë hequr për arse se janë shkatruar.
Dyert tregojnë moshën e tyre, dritaret  diku me xhama të thyer, janë dëshmi për problematikën që e shoqëron vëzhgimin  tonë e ku sigurisht ka shumë lagështi. Vendet ku dikur vendoseshin prozhektorët, sot duken si zgavra të hapur dhe pa asgjë brenda, shumë errësirë dhe pak ambiente të shfrytëzueshme për artin. Gjatë këtyre viteve  janë larguar shumë prej artistëve, një pjesë e tyre  kanë dal në pension, por edhe spektatorët ose thënë më mirë artdashësit, një pjesë e tyre që i rikthehen qytetit muajve të verës, mbeten të zhgënjyer duke parë degradimin e godinës dhe mungesën e vëmendjes.
Ka 30 vite që artistët ndjehen të lënë pas dore,”me tranzicionin”. Godina e teatrit u tentua të pushtohej nga individë, gjatë vitit 1997-të,vetëm falë vëmendjes dhe këmbënguljes së personelit artistike që punonte atje, godina shpëtoj. Arti dhe kultura lokale kaloi një tranzicion shkatërrues duke u shkëputur totalisht në mënyrën më të çorganizuar nga Ministria e Kulturës, dhe institucioneve të tjera kombëtare të specializuara dhe të profilozuara në fushën e artit dhe të kulturës, duke kaluar përfundimisht në varësi të këshillit bashkiak i cili asnjëherë nuk pati vëmendjen e duhur për kulturën dhe artistët.. Në këtë institucion në pozicionin drejtues, u tentua të afroheshin njerëz jashtë profilit, duke detyruar specialistët dhe profesionistët të largohen, duke sjellë kështu stopimin , por dhe duke i çuar në regres, të gjitha mënyrat dhe format e edukimit të brezit të ri të artistëve si dhe jetës artistike dhe kulturore të komunitetit. Për 30 vite institucioni i kulturës ka pasur një  mbështetje shumë të vogël dhe shumë herë sporadike financiare nga Bashkia nga e cila varet.

Rikonstruksioni i godinës sot do të ishte një zgjidhje e mirë për të ndryshuar edhe raportet në art dhe për të kthyer spektatorët në sallë por domosdoshmërish për të pasur gjërat më kryesore moderne për një sallë teatri si: Sisteme ajrimi dhe kondicionimi, dhoma ndërrimi (kabinat e artistëve) të kompletuar, tualete, një skenë dinjitoze me të gjitha aksesorët përkatëse dhe ulse të rehatshme  për spektatorët, pra një teatër që të ketë një sallë  të kompletuar, studio provash për të gjitha gjinitë dhe grupet muzikore dhe të teatriti. ku të ketë mundësi për shfaqen e çdo llojë aktiviteti artistik të ardhur nga brenda dhe jashtë vendit.

Është momenti i duhur tani në fillim të këtij viti nisur edhe nga një fjalë që qarkullon se diçka do të bëhet edhe me godinën e teatrit nga stafi i ri i Bashkisë së Sarandës, të tërheqim vëmendjen përpara se të fillojë investimi, që kryetari i bashkisë dhe grupi që do të mbikëqyrë rikonstruksionin e godinës dhe firma përkatëse, të ketë edhe konsulencen e artistëve të Sarandës që kanë dhënë kontributin e tyre ne atë godinë për rreth 40 vjet, dhe që janë njohësit më të mirë se si mundë të jetë  një godinë teatri sot në kohet moderne në funksion të artistëve por edhe të spektatorëve. Krahas kësaj, kjo godinë dhe ky institucion ka nevoje të reformohet me një organikë të përbërë nga specialist të artit që ti shërbejnë godinës, po mbi të gjitha të jetë në gjendje dhe e aftë profesionalisht të ndërtoje aktivitete kulturore dhe artistike gjithë vjetore në shërbim të komunitetit dhe në funksion të turizmit gjatë stinës verore, sepse ndonëse është e lavdërueshme puna që bënë bashkia në sjelljen e këngëtarëve dhe grupeve të ndryshme artistike gjate festave të fund vitit dhe sezonit turistik, nuk mundet të thuash se  kjo është zgjidhja dhe të kufizohet më kaq. Saranda ndër vite ka pasur një traditë kulturore dhe artistë të njohur që i kanë servirur qytetarëve aktivitete dinjitoze artistike me jehonë në të gjithë vendin. Banorët e këtij qyteti kanë nevojë të argëtohen gjatë gjithë vitit. Sidomos gjatë muajve të vjeshtës dhe të dimrit.  Po kështu rinia dhe fëmijët kanë nevojë të shpërfaqin talentin e tyre në aktivitete të ndryshme që do të duhet të konceptoj dhe realizoj stafi artistik i institucionit të reformuar duke ju krijuar mundësin atyre të  performojn në mënyrë periodike.

Po e mbyllë shkrimin tim me premtimin e dhënë përpara banorëve nga kryetari i bashkisë së Lezhes Pjerin Ndreu para rikonstruktimit të pallatit të kulturës në Lezhë. Një fjalë e mbajtur dhe sot e bërë realitet, që shpresojë dhe besojë se do të nxis dhe ndihmojë përgjegjësit e institucionit të Bashkisë Sarandë të veprojnë edhe ata sa më shpejtë duke realizuar dhe respektuar gjithshka që është shkruar më lart ne rikonstruksionin e godinës së teatrit.


“Unë do të bëj çmos që të tjetërsohet ai pallat. Ai është një dhimbje koke për bashkinë dhe nuk mund të bashkëjetojmë me të në këto kushte që ndodhet. Pikë së pari duhet një projekt që nuk ekziston. Do të rialokojmë fonde për të realizuar një projekt ambicioz dhe konkurrues mbi të gjitha për atë pallat. Nëse do të bëjmë me qeverinë, me donatorë apo me fonde bashkie këtë”.

Andej nga veriu thonë “U kry”


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.