Transporti urban drejt terminalit kthehet në problem, pa orare dhe me pritje të gjata
Transporti urban drejt terminalit kthehet në problem, pa orare dhe me pritje të gjata. Më shumë se një muaj e gjysmë nga nisja e funksionimit të terminalit të ri të autobusëve në Sarandë, problemet për qytetarët dhe udhëtarët vijojnë. Përveç vështirësive të evidentuara me hyrje-daljen e autobusëve dhe ndikimit që terminali ka në rëndimin e trafikut të automjeteve, një tjetër shqetësim lidhet me transportin urban që duhet të lidhë qytetin me terminalin.

Problemi kryesor mbetet mungesa e një orari të afishuar dhe të qartë për linjën urbane drejt terminalit. Qytetarët nuk kanë informacion se në çfarë ore kalon urbani dhe sa shpesh kryhet shërbimi, duke u detyruar të presin në stacione pa ditur se kur do të mbërrijë autobusi.
Sipas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, pritja në disa raste arrin deri në një orë. Situata bëhet edhe më problematike për ata që duhet të kapin një autobus ndërqytetas në një orar të caktuar. Ka pasur raste kur udhëtarët, për shkak të vonesës së urbanit, kanë mbërritur me vonesë në terminal dhe kanë humbur autobusin drejt destinacionit të tyre.
Pamjet tregojnë qytetarë dhe turistë të shumtë që presin përgjatë rrugës, në një periudhë kur Saranda ka fluks të lartë vizitorësh dhe nevoja për një transport publik të organizuar është edhe më e madhe.
Zhvendosja e nisjeve të autobusëve në një terminal të ri kërkon domosdoshmërisht edhe një lidhje funksionale me pjesën tjetër të qytetit. Nuk mjafton vetëm përcaktimi i vendit ku nisen autobusët, nëse qytetarëve nuk u garantohet mundësia për të mbërritur atje në kohë.
Afishimi i menjëhershëm i orareve në çdo stacion, përcaktimi i një frekuence të rregullt të urbanit dhe respektimi i saj janë masa minimale që do të shmangnin pritjet e gjata dhe rastet kur qytetarët humbasin autobusin në terminal.
Pas më shumë se një muaji e gjysmë funksionim, kjo nuk mund të konsiderohet më një problem i ditëve të para. Qytetarët kanë nevojë të dinë saktësisht kur kalon urbani dhe sa kohë u duhet për të mbërritur në terminal, në mënyrë që një udhëtim i zakonshëm të mos kthehet në pritje dhe pasiguri. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit