Programi Kombëtar i Strehimit/ 2 mijë kredi me interes 0%, ja kush mund të përfitojë

10/09/2620:50

Shperndaje:

Programi Kombëtar i Strehimit/ 2 mijë kredi me interes 0%, ja kush mund të përfitojë

Qeveria ka prezantuar Programin e ri Kombëtar të Strehimit, i cili pritet të nisë zbatimin në vitin 2027 dhe parashikon një sërë skemash mbështetëse për familjet dhe çiftet e reja që synojnë të blejnë një banesë.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se vetëm për çiftet e reja synohet të mbështeten rreth 4 mijë përfitues përmes kredive të lehtësuara.

 

Programi Kombëtar i Strehimit/ 2 mijë kredi me interes 0%, ja kush mund të përfitojë

 

 

Sipas skemës së prezantuar, do të ofrohen 2 mijë kredi me interes 0% për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro, ndërsa 2 mijë kredi të tjera me interes 3% do të jepen për apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro.

 

Ndryshime parashikohen edhe në kriteret financiare për përfituesit. Tavani i të ardhurave do të rritet në 280 mijë lekë neto në muaj, ndërsa kufiri maksimal i kredisë do të zgjerohet nga 12.5 milionë lekë aktualisht, në rreth 17-20 milionë lekë.

 

Gjatë prezantimit, Rama e cilësoi nismën jo vetëm si një program financiar, por si një reformë të re të mënyrës se si shteti do t’i qaset strehimit.

Sipas tij, vështirësia për të siguruar një banesë është kthyer në një problem gjithnjë e më të madh, veçanërisht për të rinjtë dhe familjet e reja, ndërsa fenomeni nuk kufizohet vetëm në Shqipëri, por është i pranishëm në shumë vende europiane.

 

Gjashtë programe për strehimin

 

Reforma e re do të mbështetet në gjashtë programe, duke nisur me banesat sociale me qira. Ndryshe nga modeli aktual, sigurimi i këtyre banesave nuk do të varet vetëm nga ndërtimet e reja.

Qeveria synon të përdorë disa forma njëkohësisht: ndërtimin e banesave të reja, blerjen e apartamenteve drejtpërdrejt në treg, përshtatjen e pronave shtetërore apo objekteve të konfiskuara, bonusin e qirasë, si dhe partneritetin publik-privat.

 

Programi i dytë lidhet me sigurimin e banesave me kosto të ulët, ku shteti do të ndërhyjë përmes subvencionimit të kredive.

Një tjetër pjesë e reformës do të fokusohet te përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, ndërhyrjet në zonat informale dhe përshtatja e objekteve ekzistuese për t’i kthyer ato në banesa sociale.

 

Rama theksoi se synimi është të shmanget krijimi i blloqeve të veçuara të banimit vetëm për familjet në vështirësi ekonomike.

“Nuk duam të ndërtojmë blloqe banimi vetëm për njerëz të varfër, por lagje dinjitoze për të gjitha shtresat e shoqërisë”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se familjet në nevojë do të kenë nivel më të lartë mbështetjeje, ndërsa kategoritë me më shumë mundësi financiare do të kenë alternativa për blerjen e banesave.

 

Bashkitë ftohen të propozojnë zona

 

Programi pritet të nisë fillimisht në Tiranë, ndërsa paralelisht po shqyrtohen zona të tjera në bashki të ndryshme të vendit. Bashkitë janë ftuar të paraqesin propozime për territoret ku mund të zhvillohen projektet e reja të strehimit.

Reforma parashikon gjithashtu një bashkërendim më të madh institucional. Agjencia e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Enti Kombëtar i Banesave dhe bashkitë pritet të funksionojnë në mënyrë të koordinuar për zbatimin e programeve.

 

Një tjetër skemë do t’u kushtohet familjeve të prekura nga fatkeqësitë natyrore. Qeveria synon krijimin e një infrastrukture banesash të përkohshme, që mund të vihet menjëherë në dispozicion të personave që humbasin ose duhet të largohen nga banesat për shkak të përmbytjeve, zjarreve apo fatkeqësive të tjera.

Sipas Ramës, krahas forcimit të kapaciteteve për përballimin e emergjencave, nevojitet edhe një sistem që garanton strehim të përkohshëm për familjet e prekura deri në normalizimin e situatës.

 

Programi i gjashtë do të fokusohet te banesat e përshtatura për familjet që kanë persona me aftësi të kufizuara, me synimin që objektet dhe infrastruktura e tyre të plotësojnë nevojat specifike të kësaj kategorie.

 

Programi i ri Kombëtar i Strehimit pritet të marrë formë konkrete gjatë vitit 2027, ndërsa zbatimi i skemave do të përcaktojë edhe mënyrën e aplikimit, kriteret përfundimtare dhe kategoritë që do të përfitojnë nga secili program. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Tmerr në Korfuz: 51-vjeçari shqiptar akuzohet për përdhunimin e mbesës së tij 8-vjeçare
Programi Kombëtar i Strehimit/ 2 mijë kredi me interes 0%, ja kush mund të përfitojë
Historia e futbollit në Sarandë dhe Delvinë/ Xhorxhi Vasili rrëfen një shekull traditë
Zjarr në Aliko, Finiq. Digjet sipërfaqe me pemë dhe shkurre, rrezikohen banesa
Amarino Restaurant & Hotel – Ksamil kërkon staf. Ofrohet akomodim
Market & Bakery PRODA në Metoq kërkon të punësojë KASIERE

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.