Tre ditë më parë, banorët që jetojnë përbri rrugës Sarandë – Vlorë në fshatin Gjashtë u organizuan për të protestuar në zyrat e ujësjellësit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për furnizimin e pamjaftueshëm me ujë. Sipas banorëve, ata marrin ujë vetëm 30 minuta çdo dy ditë, një sasi e papërballueshme për nevojat e tyre të përditshme.
Protesta çoi në një takim me drejtorin e ujësjellësit, i cili premtoi se çështja e ujit do të zgjidhej së shpejti. Megjithatë, sot, Saranda Web ka kontaktuar përsëri me banorët për të verifikuar nëse problemi i tyre u zgjidh dhe nëse premtimet e përfaqësuesve të ujësjellësit u mbajtën.
Fatkeqësisht, banorët kanë raportuar se situata nuk ka ndryshuar dhe se premtimet e dhëna gjatë protestës kanë qenë të rreme. Ata kanë shprehur zhgënjimin e tyre, duke theksuar se tani nuk mund të kontaktojnë as me përfaqësuesit e ujësjellësit, pasi tani nuk u hapin as telefonin.
Saranda Web do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë çështje dhe të informojë publikun për zhvillimet e mëtejshme, duke bërë thirrje për një zgjidhje të menjëhershme të problemit të ujit që po përballen banorët e Gjashtë.