Komisioni miraton ndryshimet në Kushtetutë: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore

14/07/2011:22

Shperndaje:


Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve kanë miratuar me konsensus të plotë, shumicë-opozitë parlamentare ndryshimet që do të bëhen në Kushtetutën e Shqipërisë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pra vitin e ardhshëm partitë do të shkojnë para votuesve me lista të hapura dhe rrjedhimisht pa koalicione parazgjedhore. Drafti me propozimet e opozitës parlamentare u miratua sot nen për nen dhe tani do të kalojnë në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku për ndryshimet Kushtetuese duhen 94 vota.

Por çfarë u miratua konkretisht sot? PS-ja dhe opozita parlamentare ranë dakord që në Kushtetutë të ndërhyhet për të sanksionuar hapjen e listave, pra votën parapëlqyese me dysheme 2/3. Kjo do të thotë se për 2/3 e listës që do të bëjnë partitë për zgjedhjet do të jenë votuesit që do ta përcaktojnë se kush do të futet në parlament, ndërsa 1/3 do të jetë në dorën e vetë subjekteve politike për përfaqësimin gjinor. Teknikisht kjo sjell ndryshimin e dy pikave 1 dhe 2 në nenet 64 dhe 68 të Kushtetutës që kanë të bëjnë me hapjen e listave, ndërkohë që ruhet sistemi proporcional rajonal. Me hapjen e listave rrjedhimisht ndalohen edhe koalicionet parazgjedhore.

Në amendimet e Kushtetutës është vendosur për herë të parë se me sistemin proporcional me konkurrim rajonal do të ketë prag kombëtar, por niveli do të vendoset në Kodin Zgjedhor, jo në Kushtetutë. Pra me listat e hapura do të ketë vetëm një prag se nuk ka më koalicione. Por dy palët në Kuvend, shumica dhe opozita ranë dakord që nuk do të ndërhyhet për ta përcaktuar në Kushtetutë sa do të jetë pragu, por më shumë gjasa do të arrijë në 3%.

Por cfarë do të sjellë kjo tani? Hapja e listave plotëson kërkesën e opozitës parlamentare për të votuar paktin e 5 qershorit mes PS-PD-LSI. Por PD-ja dhe aleatët e saj e kundërshtojnë hapjen e listave, pasi u ndalon koalicionet parazgjedhore. Kjo i detyron partitë e vogla që të futen në listën e partisë udhëheqëse, sikur ndodhi në 2017, kur kryetarët e partive aleate u përfshinë në listën e PD-së duke shkrirë logot. Me këtë lëvizje, Lulzim Basha tha se Edi Rama prishi paktin e 5 qershorit, por tashmë mbetet për t’u parë se cfarë do të ndodhë, teksa në 23 qershor përpos paktit për ‘Zgjedhoren’ pritet që të kalojnë edhe ndryshimet në Kushtetutë.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.