Skënder Hita takim në Policinë e Sarandës: Denonconi çdo kërcënim apo presion që ju bëjnë bandat

20/05/2613:57

Shperndaje:

Skënder Hita takim në Policinë e Sarandës: Denonconi çdo kërcënim apo presion që ju bëjnë bandat

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku kërkoi reagim të menjëhershëm për përmirësimin e situatës së sigurisë dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te Policia.

 

 

Gjatë fjalës së tij, Hita u shpreh se situata në Sarandë është e papranueshme dhe mbajti përgjegjëse strukturat vendore për gjendjen aktuale. Ai kërkoi reflektim të menjëhershëm, profesionalizëm dhe reagim më të fortë ndaj kriminalitetit, duke theksuar se çdo punonjës policie që favorizon apo mban lidhje me grupet kriminale do të përjashtohet nga radhët e Policisë dhe do të përballet me drejtësinë.

 

“Është e papranueshme situata në Sarandë dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Kërkohet reflektim, përgjegjësi dhe rikthim i besimit të qytetarëve te Policia”, mësohet të ketë deklaruar ai.

 

Drejtori i Përgjithshëm kërkoi që strukturat policore të godasin me forcë grupet kriminale, armëmbajtjen pa leje, trafikun e narkotikëve dhe çdo aktivitet që cenon rendin dhe sigurinë publike. Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte edhe lufta kundër ndërtimeve pa leje, për të cilat Hita kërkoi koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e territorit.

 

Në takim u diskutua edhe për sigurinë në shkolla, të cilën ai e cilësoi si “prioritet mbi prioritete”, duke kërkuar angazhim maksimal deri në përfundim të vitit shkollor për mbrojtjen e nxënësve dhe parandalimin e fenomeneve kriminale pranë institucioneve arsimore.

 

Gjithashtu, Hita kërkoi më shumë kontrolle nga Policia Rrugore ndaj parkimeve të gabuara, automjeteve të modifikuara dhe shkeljeve që krijojnë kaos në qarkullim, ndërsa Forca e Posaçme “Shqiponja” u urdhërua të rrisë prezencën në terren për goditjen e elementëve kriminalë dhe rritjen e sigurisë në qytet.

 

Një mesazh të fortë ai dha edhe për efektivët e Policisë, duke deklaruar se çdo kërcënim apo presion nga grupet kriminale duhet të denoncohet menjëherë.

 

“Çdo kërcënim apo presion ndaj punonjësve të Policisë duhet të denoncohet menjëherë dhe do të përballet me forcën e ligjit”, theksoi Hita.

 

Në prag të sezonit turistik, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe ofrimin e një shërbimi profesional për qytetarët dhe turistët vendas e të huaj.

 

Në përfundim të takimit, ai theksoi se Policia e Sarandës duhet të rikthehet në standardet që qytetarët meritojnë, përmes profesionalizmit, reagimit në kohë dhe zbatimit të paanshëm të ligjit. Saranda Web


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Skënder Hita takim në Policinë e Sarandës: Denonconi çdo kërcënim apo presion që ju bëjnë bandat
Skënder Hita në Sarandë: Çdo polic i lidhur me bandat do arrestohet dhe do përjashtohet nga Policia
HERA Restaurant në Sarandë kërkon të punësojë Ndihmës Kuzhinier/e
Parku Kombëtar Butrint kërkon Shofer për transportin e stafit, Oficer i biletave dhe Guidë
Patrim Kimik KOZI në Sarandë kërkon Punonjë/e Lavanderie
Përgjimet për drogë në Sarandë çojnë në ndalimin e oficerit të policisë nga AMP

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.