Shpëtim Ahmeti: Bashkia solli dje një projekt-vendim klientelist kundër taksistëve të Sarandës

01/08/2415:46

Shperndaje:

Reagimi i Shpëtim Ahmetit ndaj Projektvendimit të Bashkisë Sarandë për Shërbimin Taksi

 

 

Në një reagim për Saranda Web ditën e sotme, anëtari i Këshillit Bashkiak të Sarandës, Shpëtim Ahmeti, ka shprehur kritikat e tij të ashpra ndaj projektvendimit të fundit të paraqitur nga Bashkia Sarandë për shërbimin taksi në Sarandë dhe Ksamil. Ahmeti e ka quajtur këtë projektvendim si një veprim klientelist dhe diskriminues, që kërcënon jetesën e taksistëve lokalë dhe ndihmon në krijimin e monopoleve në këtë sektor.

 

Ahmeti theksoi:

 

“Në vend t’u bëhet krah taksistëve, Bashkia kërkon t’ua fut sa krahu. Klientelizmi e monopolet po mbysin dynjanë. Kjo frymë diskriminuese shkallë-shkallë, është duke zbritur nga lart-poshtë. Argumenti më i fundit i kësaj që po ndodh, ishte projektvendimi i ofruar nga administrata e Bashkisë, për shërbimin taksi Sarandë Ksamil.

Si qytetar, si anëtar i Këshillit Bashkiak, por edhe si një nga operatorët më të vjetër në sektorin e transportit publik, e ndjej obligim të shpreh publikisht opinionin tim për atë projektvendimin me nr. 41, miratimi i të cilit do bënte që të hapej një gropë e madhe për taksistët e një Bashkie me profil të spikatur turistik.

Siç e thash edhe në fjalën time në mbledhjen e Këshillit, në vlerësimim tim ai ishte një projektvendim totalisht klientelist dhe diskriminues për shumicën e operatorëve taksistë, që operojnë në qytetin e Sarandës e Ksamilit. Sepse edhe qëllimi pse u bë, ishte që t’u hapet rruga klientëve, të cilët Bashkia i ka në listën e të përkëdhelurve dhe i trajton si monopolistët e vet.

 

Ai projektvendim do të nxirrte shumë shpejt shumë taksistë jashtë në rrugë të madhe. Ndryshimet që kërkonte ekzekutivi nuk nxisin por mbysin kriterin e konkurrencës dhe po ashtu nuk kishin pikën e frymës sociale, duke harruar që kjo Bashki është votuar t’u shërbejë shtresave të ndryshme, në një realitet ku sektori transportit publik, përfshi taksi dhe autobusa, është më i diskriminuari në çdo pikëpamje, sidomos nga institucionet shtetërore, në të gjitha nivelet.

Prandaj ndodh që Bashkia, në vend t’u bëhet krah, ua fut sa krahu profesionistëve të kësaj fushe. Dhe merr anën e klientëve dhe të atyre që duan të shtrijnë monopolet. Qëllimi është i qartë: që një ditë të bukur gjithë taksistët e vetëpunësuar ta shikojnë veten dhe familjet e tyre në rrugë të madhe. Ata i mbron legjislacioni, mund të thotë dikush. E vërteta është që legjislacioni i transportit publik në Shqipëri, vlerësohet i kompletuar dhe mbrojtës i të drejtave. Por e keqja na vjen se ai nuk gjen zbatim nga organet administrative dhe ligjzbatuese të shtetit e të qytetit tonë.

 

Këtu informaliteti funksionon “sahat” duke prodhuar skandale. Sepse këtu janë shkatërruar vendqëndrimet e taksive apo terminalet e improvizuara të transportit me autobusa. Organet ligjzbatuese janë të forta jo me “të fortët”, por vetëm me njerëzit e punës dhe ata që djersijnë ditën e natën për të mbajtur familjet e tyre me bukë.

Në fjalën time para këshilltarëve u paragjykova, se po bëja politikë me njerëzit që kishin nevojë. Por nuk është aspak kështu. Po sjell në kujtesën e të gjithëve se kur e ka lënë pushtetin lokal PD e 2011-ës, taksitë në Sarandë ishin vetëm 75. taksi të licencuara, ndërsa tani janë bërë 125. Me licencat e taksive bëhet dhe rregullohet tregu i militantëve të fushatave elektorale.

Askush nuk është kundra që në territorin e Bashkisë sonë të mbizotërojnë taksitë elektrike apo hibride. Por është detyrim i kësaj Bashkie që të mos lejojë dhe të mos bëhet palë me ata që investimin 30-vjeçar të shumë taksistëve vendas duan ta shohim të shkojë në landfill. Këtë bënte projektvendimi Nr. 41, që ia bënte rrugën autostradë klientelizmit dhe monopolizmit.

 

Është në detyrimin e kësaj Bashkie që para se të marrë vendime të bëjë dëgjesa me grupe interesi, të krijojë kushte dhe mundësi lehtësuese për këtë shtresë që në vite i ka vënë shpatullat shërbimit taksi dhe me shumë sakrificë i kanë rezistuar tregut. Por jo, Bashkia mund të vijë tani e t’i godasë për vdekje me një projektvendim klientelist. Aq më tepër që edhe momenti që u zgjodh për ta bërë këtë, është më i paduhuri, pikërisht kur sezoni turistik është në pikun e tij dhe kur ky qytet ka njëqind halle më të mëdha e më urgjente sesa “reformimi” i shërbimit taksi.

As Saranda e as Ksamili nuk e kanë luksin të merren me “buzëkuqin” e taksive, kur nuk afrohen për turistët dhe banorët shërbime bazike. Qyteti ngjan me një sokak të të marrëve, lahet e pastrohet vetëm shëtitorja, ndërkohë që blloqet e banimit janë kthyer si lagje lufte nga pisllëku. Rrugët janë akoma të shqepura dhe pa ndriçim e pa sinjalistikë. Dhe askush nuk po jep shërbime, të cilat qytetarët i paguajnë si frëngu pulën.

 

Është e thjeshtë llogaria, zotërinj e zonja të administratës së Bashkisë: ju paguajmë taksën, që të na e ktheni në shërbim. E keni detyrim ligjor dhe kushtetues që paratë që mblidhni nga taksat t’i ktheni në shërbim për ata që paguajnë. I rendita këto problematika, sepse janë të lidhura ngushtësisht edhe me projektvendimin e taksive. Sepse nuk thonë kot që çdo e keqe nuk vjen kurrë e vetme.

 

Unë kam qenë dhe jam këshilltar që kam votuar dhe do të votoj çdo projektvendim që Bashkia do të sjellë në dobi dhe në shërbim të qytetarëve. Ashtu siç do të kundërshtoj me forcë çdo projekt, që u sjell dëm qytetarëve dhe grupeve të interesit, të çdo sektori qofshin.”

Ahmeti u shpreh se do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e qytetarëve dhe të taksistëve, duke i bërë thirrje Bashkisë të rishikojë qëndrimet e saj dhe të veprojë në interes të komunitetit.


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

ABZHR lajm të mirë për 699 fermerë nga Saranda, Delvina, Konispoli dhe Finiqi
Tifozët e Butrintit apelojnë: Shpëtoni Onuh, ai është pjesë e Familjes tonë!
Publikohen Çmimet e Referencës për Shtëpitë dhe Apartamentet në Sarandë, Delvinë, Himarë dhe Konispol
100 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës “Pandeli Boçari” në Sarandë
Arrestohen 11 persona në Sarandë dhe Delvinë, akuzohen për shpërndarje ‘malli’ – VIDEO
Operacion i Policisë gjatë natës: 15 të shoqëruar në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.