Shpella e Ciklopit në Himarë, mes mitit të Homerit dhe një lavazhi makinash – Nga Auron Tare
Shpella e Ciklopit në Himarë, mes mitit të Homerit dhe një lavazhi makinash – Nga Auron Tare. Historiani dhe studiuesi i trashëgimisë kulturore Auron Tare ka publikuar një analizë të gjatë mbi gjendjen e Shpellës së Ciklopit në Himarë, duke ngritur shqetësimin se një nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë mitologjike në Shqipëri vazhdon të mbetet i nënvlerësuar, pikërisht në një kohë kur interesi botëror për “Odisean” e Homerit është rikthyer fuqishëm falë filmit më të ri të regjisorit Christopher Nolan.

Sipas Tares, filmi “The Odyssey” ka hapur një debat të gjerë në SHBA dhe Evropë mbi një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore. Në podcast-et dhe forumet më prestigjioze akademike, historianë dhe studiues të njohur kanë diskutuar mbi botën homerike dhe mënyrën se si ajo është sjellë në ekran.
Ai kujton se debatet nuk kanë munguar as në Greqinë moderne, ku disa zëra kanë kundërshtuar filmin, duke pretenduar se nuk paraqet mjaftueshëm kulturën helene. Megjithatë, sipas Tares, shumë prej studiuesve më të rëndësishëm të Homerit bien dakord se ngjarjet e “Odiseas” lidhen me Epokën e Vonë të Bronzit dhe me popullsitë parahelenike, ndërsa grekët e lashtë ishin ata që e ruajtën dhe e transmetuan këtë kryevepër brez pas brezi.
Tingujt shqiptarë që po dëgjohen në mbarë botën
Në analizën e tij, Auron Tare ndalet edhe te një element që e konsideron një arritje të rëndësishme për kulturën shqiptare.
Ai vlerëson faktin se në filmin e Nolan janë përdorur fyejt e Gramshit, interpretimi i mjeshtrit Vendim Kapaj dhe elementë të polifonisë shqiptare, të cilët, sipas tij, po prezantojnë trashëgiminë muzikore shqiptare në një nga produksionet më të mëdha të kinematografisë botërore.
Historiani thekson se kjo dëshmon se kultura shqiptare ka vlera që mund të bëhen pjesë e skenës më prestigjioze artistike ndërkombëtare.
Shpella e Ciklopit, një pasuri me rëndësi ndërkombëtare
Nisur nga ky interes i madh botëror për mitologjinë homerike, Tare rikthen në vëmendje Shpellën e Ciklopit në Himarë, një vend që prej brezash në traditën lokale lidhet me Odiseun, Polifemin dhe rrëfimet e Homerit.
Ai thekson se askush nuk mund të pretendojë se miti i Odiseut i përket vetëm një kombi, pasi ai është pjesë e trashëgimisë kulturore të gjithë Mesdheut. Megjithatë, fakti që në Himarë vazhdon të ruhet emërtimi “Shpella e Ciklopit”, si edhe tradita gojore që e lidh këtë vend me botën homerike, i jep zonës një rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe turistike.
Sipas Tares, kjo është një mundësi që Shqipëria nuk duhet ta humbasë, pasi vende të tilla mund të shndërrohen në pika të rëndësishme të turizmit kulturor dhe historik.
“Çfarë kemi bërë ne me këtë pasuri?”
Në analizën e tij, historiani shtron disa pyetje që, sipas tij, duhet t’i drejtohen institucioneve:
Si i trajtojmë ne këto vlera? Çfarë kemi bërë për t’i mbrojtur? Çfarë mund të bëjmë më mirë me një vend që mund të ishte një pikë referimi kulturore me jehonë ndërkombëtare?
Përgjigjja, sipas Tares, është zhgënjyese.
Ai thekson se pranë Shpellës së Ciklopit funksionon një lavazh automjetesh, ndërsa mungon një qendër interpretimi, një itinerar kulturor, sinjalistikë moderne apo një hapësirë e denjë pritjeje për vizitorët.
Sipas tij, në vend që kjo pasuri të promovohej si një simbol i trashëgimisë shqiptare dhe mesdhetare, ajo është lënë në harresë.
Thirrje Ministrisë së Kulturës
Në fund të analizës, Auron Tare i drejtohet Ministrisë së Kulturës me një apel të drejtpërdrejtë.
Ai shprehet se trashëgimia kulturore nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por një investim për të ardhmen, një burim identiteti kombëtar dhe një mundësi reale për zhvillimin ekonomik përmes turizmit kulturor.
Historiani nënvizon se ndërsa filmi “The Odyssey” po prezantohet në kinematë e botës dhe tingujt tradicionalë shqiptarë po dëgjohen nga miliona shikues, Shqipëria nuk duhet të lejojë që një vend si Shpella e Ciklopit në Himarë të identifikohet me një lavazh makinash, por duhet ta kthejë atë në një destinacion të denjë kulturor dhe turistik.
Në përfundim, Tare thekson se, pavarësisht debateve dhe polemikave të ditës, fakti që elementë të kulturës shqiptare janë bërë pjesë e një produksioni të përmasave botërore duhet të shërbejë si një nxitje për të mbrojtur dhe promovuar më mirë trashëgiminë tonë. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 29
19/07/2611:04
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 6
19/07/2611:04
Suvenire nga Saranda
19/07/2611:04
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 8
19/07/2611:04
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 16
19/07/2611:04