Saranda, mes detit, historise dhe… gjelbërimit

24/12/1522:35

Shperndaje:

Saranda, mes detit, historise dhe… gjelbërimit

“… Këtu në Sarandë ndodhet vendbanimi i ardhshëm i evropianëve, ndoshta pasuria më e madhe e Shqipërisë …”. Kështu shkruante në vitin 1936 një nga revistat e njohura në botë “National Geografik”. Vitet ikën dhe ja, 80 vjet më pas, si është shndërruar Saranda? Kemi ndërtuar një qytet betonarme, me një zhvillim kaotik urban, ku koeficienti i ndërtimit është dy herë më i lartë se kufiri i lejuar, me gjelbërim thuajse tërësisht të munguar.

Saranda vlerësohej për tri gjera, për diellin (qytet me mbi 300 ditë me diell në vit) për detin e pastër dhe për gjelbërimin. Zoti i dhuroi një peizazh të mrekullueshëm – detin me ujëra të kristalta e plazhe, kodrat dhe malin me gjelbërim. Një bregdet i rrallë, me mbi 8 km gjatësi e me një brez bimësie të gjelbër të makies mesdhetare, me pllakat e gurta karakteristike milionavjeçare (monument natyre) krijonin kënaqësi të veçanta për vizitorët.

Gjendja e qytetit, e detit ku zhvillohet plazh dhe e kurorës së gjelbër deri në vitet 1990 qe përgjithësisht e mirë, ndonëse nuk kishte ndonjë plan të zhvillimit në perspektivën. Kurora e Gjelbër e Sarandës, krijuar nga pyllëzimet artificiale, filloi të mbillej në vitin 1968 e deri me 1992. Pyllëzimet filluan në pjesën jugore, në malin e Lëkurësit (pranë fshatit Çukë) deri në prerjen e malit mbi Limion. U pyllëzuan rreth 400 ha me lloje që duronin thatësirën, si pishë e egër, selvi, dafinë, etj. Falë kujdesit të ish-N. Pyjore, këto pyllëzime u zhvilluan mire dhe në pak vite sipërfaqet e gurta e me shkurre u veshën nga bimësia. Ato vite, sapo pylli krijonte hije e gjelbërim, banorët e Sarandës nuk shkonin vetëm drejt plazhit, por filluan të frekuentonin edhe pyllin, që qarkonte qytetin.

Saranda, mes detit, historise dhe… gjelbërimit

Më pas. Që nga viti 1992 nuk u bë asnjë mbjellje, por vetëm shkatërrim, masakrim i kurorës. Mbi 500 mijë pisha 20-30-40 vjeçare janë prerë e zhdukur, në emër të zhvillimit urban të qytetit, shtrirjes së tij për t’iu përshtatur “ritmeve bashkëkohore”!? Për të hapur troje banimi, shpesh pyjet digjeshin dhe një vit më pas fillonin ndërtimet me e pa leje. Pas viteve 1990 e sidomos pas vitit 2000, “betejën” në këtë qytet e fitoi aventura dhe jo logjika, e fitoi shkatërrimi i natyrës e i peizazhit dhe jo bashkëjetesa me të, betonizimi i hapësirave të gjelbra, ndërtimi i shtëpive të banimit, nga një deri 12 kate. Mjedisi urban gjatë këtyre 23 viteve ra në duart e aventurierëve dhe jo specialistëve e intelektualëve evropianë. Për rrjedhojë, sot mjedisi qytetas i Sarandës konsiderohet i papërshtatshëm për banim, pa kurorë e mjedise të gjelbëruara, ku mbizotërojnë ndërtimet kaotike dhe një qarkullim i pamundur, kudo beton, deri në shpërfytyrim.

Kurora e gjelbër dhe bregdeti sot mund të konsiderohen të dëmtuar rendë, diku dhe në mënyrë të pakthyeshme, ndërkohë që disa të quajtur “biznesmenë”, në fakt shkatërrues të mjedisit, mbushën xhepat në kurriz të qytetit tonë, të jetës sonë. Por, edhe këta zoti i dënoi, apartamentet i kanë të pa shitura. Harruan “biznesmenët”, në fakt jo ndërtuesit por shkatërruesit, që çdo apartamenti i duhet, e ka të domosdoshëm gjelbërimin, çdo ndërtim duhet të jetë në harmoni, por së pari të mos dëmtojë natyrën-mjedisin. Sot jemi dëshmitarë të shkatërrimit të vlerave të krijuara në natyrë për miliona vjet, gjë që me të drejtë mund të quhet marrëzi njerëzore, ku të gjithë jemi përgjegjës.

Vjen një çast, kur çmenduria duhet të marrë fund, kur e keqja nuk mund te vazhdojë më. Ka një shpresë të njerëzve, ka një besim e përkushtim intelektual për të marrë një kahje pozitive zhvillimi dhe jeta! Pra, ka akoma shpresë që qyteti ynë të mos vdesë, por të vazhdojë frymëmarrjen. Oksigjeni jetëdhënës është kusht i domosdoshëm për çdo organizëm të gjallë, përfshi dhe njerëzit, burimin ai e ka te bimësia.

Çfarë dhe si mund të ndreqet? Në kuadër të kësaj thirrjeje shprese, krahas disa masave të tjera, u hartua dhe Projekti për menaxhimin e territorit të Kurorës së Sarandës. Detyra që duhet të zgjidhte është të ringrihej, të gjelbërohej pjesa që mbeti nga shkatërrimi urban. Qeveria e vlerësoi këtë Projekt dhe akordoi fondin për pyllëzimin e Kurorës. Në fillim të dhjetorit të kaluar nisën punimet. 50 punëtorë me përvojë, kryesisht të ish-DSHP, për dy muaj e gjysmë hapen gropat dhe mbollën 22 mijë pisha e 4 mijë selvi, në një sipërfaqe prej 10.08 ha.

Si fazë e parë. Janë siguruar fondet që ky investim të shoqërohet me shërbime (ujitje, prashitje, plehërime) për dy vjet, që të garantohet Kurora. Ky pyllëzim nuk u krye vetëm nga subjekti i kontraktuar si zbatues i punimeve, por pati pjesëmarrje aktive nga shoqëria civile. Shumë aktive AJMM (Agjencia Joniane e Mjedisit), që sensibilizoi komunitetin, qytetarët, sidomos nxënësit e shkollave dhe studentët e Universitetit, të cilët hapën gropa e mbollën mjaft fidanë.

Nisma e AJMM për një “Ditë të Vullnetarizmit të Gjelbër” shërbeu dukshëm në zgjim të vetëdijes qytetare, për të ndërgjegjësuar opinionin për sfidat dhe emergjencat mjedisore përreth qytetit të Sarandës. Rikthimi i traditës së mbjelljes së pishave, bananeve, bukoviles, ullirit, manjolës, etj., duhet vlerësuar si ecuri në dinamikë, që i drejton komunitetet në krijimin e mjediseve të këndshme. Ndërgjegjësimi i komunitetit, krijimi i një mjedisi ekologjik, konceptimi më i drejtë, për te mbrojtur çdo pishë që ka shpëtuar nga prerja dhe çdo pishë që u mboll, ishte mesazhi që dhanë këto aktivitete të përbashkëta. Kënaqësi e veçantë për drejtuesit dhe për ata që ndoqën punimet, po dhe për vetë qytetarët pjesëmarrës vullnetarë.

Ky pyllëzim, i konsideruar si aksioni më masiv mjedisor, pati ndjeshëm vëmendjen e qytetarëve, duke shpresuar për një mjedis çlodhës e jetëdhënës, qe do t’i rikthehet Sarandës. Sjellim në vëmendje se sot jemi në kufijtë minimalë, kur Saranda ka më pak se 1 m2 gjelbërim për çdo banor, ndërkohë që qytetet evropiane kanë 20-30 herë më shumë. Po turistet dhe vizitorët e shumtë, qe e duan Sarandën e do të vijnë, ku e kanë gjelbërimin?! KSAMIL-7

Për vetë rëndësinë komplekse që patën punimet në Kurorën e Sarandës, në prag të “Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve – 21 mars”, këto punime i vizitoi dhe Kryeministri Edi Rama. Nga ballkoni i qytetit (Kurora e Sarandës) ai tha: “Projekte të tjera do të vijojnë për gjelbërimin e saj, për t’i dhënë ngjyrë, kontrast, oksigjen, qytetit”.

Investimi është i konsiderueshëm, faza e parë përfundoi, por puna vazhdon. Kurorën duhet ta mbrojmë me çdo çmim, çdo fidan i mbjellë tani e në vazhdim, duhet të rritet. Bashkia e Sarandës, me stafin e saj, duhet t’i dalin për zot vazhdimësisë se Projektit. Eshtë detyra e tyre për ta menaxhuar e administruar. Kullotja e bagëtive nga fshatrat e afërt duhet konsideruar rreziku më i madh për dëmtimin e fidanëve të mbjellë. Ndoshta rrethimi i përkohshëm i zonës do të qe garancia më mirë për të mbrojtur fidanët. Administrata e Bashkisë tashme ka një përgjegjësi të shtuar dhe përgjegjësi para ligjit. Nuk duhet lejuar më prerja dhe djegia e asnjë pishe.

Por ato të matrikullohen dhe të monitorohet e gjithë Kurora, bile dhe në kufijtë e shtrirjes urbane të qytetit. Një “vije e kuqe” duhet vendosur në shtrirjen urbane të qytetit drejt Kurorës. Ajo nga askush dhe me asnjë projekt ndërtimor nuk duhet cënuar. Ashtu si do të rriten pishat dhe selvitë e mbjella, do të rritet dhe shpresa e qytetarëve të Sarandës, për një mjedis më të mirë, për jetë më të lumtur. Duke i dhënë Kurorës së Gjelbër, përkushtimin dhe kujdesin tonë sot, ajo do të na i shpërblejë shumëfish me ajrin e pastër, me kënaqësinë e pafundme, që do dhurojë jo vetëm për ne, po për shumë breza që do të vijnë.

Ing. Kristo Kauri/ Specialist pyjesh, Sarandë

Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Anila Denaj: Në 2025 do të rritet mbështetja për fermerët, do investohet në ujitje dhe kullim
Njoftim Punësimi Vjetor në Restaurant Balcony mbi Shëtitoren e Sarandës
SHIJA E SAÇIT SARANDË
Luftëtari fiton 3-4 në Sarandë, Butrinti me 2 trajnerët me kartona të kuq – VIDEO
BUTRINTI – LUFTËTARI / LIVE NË SARANDA WEB
KSAMIL, RRUGËS I VIHET GARDHI – FOTOLAJM

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.