Rrëfimi që të këput shpirtin i Alida Metaj në Sarandë: “Djalin e lë të mbyllur me çelës në shtëpi që të shkoj në punë”
Mes zërave të protestuesve që u mblodhën pasditen e sotme në Sarandë, një nënë solli një rrëfim që vështirë të dëgjohet pa u tronditur. Alida Metaj foli për jetën e saj dhe të birit 24-vjeçar me epilepsi dhe autizëm, për varfërinë, vetminë dhe betejën e përditshme për t’i siguruar fëmijës së saj një jetë dinjitoze. Vetëm 210 mijë lekë të vjetra në muaj. Kaq është ndihma që Alida thotë se merr nga shteti për djalin e saj. Me këto para, një nënë që jeton me qira duhet të përballojë nevojat e një fëmije me autizëm, ndërsa kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme.
Por pjesa më e dhimbshme e rrëfimit të saj është ajo që detyrohet të bëjë për të siguruar bukën e gojës. Alida tregon se duhet të shkojë në punë dhe, në mungesë të dikujt që të kujdeset për të birin, detyrohet ta lërë atë të vetëm, të mbyllur me çelës brenda shtëpisë.
Një realitet i rëndë për një nënë që, ndërsa përpiqet të sigurojë të ardhurat për të jetuar, duhet të përballojë edhe ankthin për fëmijën që ka lënë pas derës së mbyllur.
E megjithatë, mes gjithë dhimbjes dhe vështirësive, Alida flet me krenari për djalin e saj. Ajo e quan një mrekulli, dhuratën më të çmuar të jetës së saj. Nuk ankohet për të birin, por për kushtet në të cilat janë detyruar të jetojnë dhe për mungesën e mundësive që edhe ata të përjetojnë sadopak lumturi.
Në rrëfimin e saj, Alida denoncon mungesën e interesimit nga institucionet për familjet që rrisin fëmijë me autizëm. Sipas saj, këta prindër përballen pothuajse të vetëm me vështirësi ekonomike, sociale dhe emocionale, pa mbështetjen që u nevojitet.
Dhimbja e saj shndërrohet edhe në një akuzë ndaj indiferencës njerëzore. Alida e cilëson shoqërinë si «të paskrupullt», duke shprehur zhgënjimin për mungesën e solidaritetit dhe të ndjeshmërisë ndaj njerëzve që përballen çdo ditë me situata të tilla.
Pas rrëfimit të saj qëndron historia e një nëne që nuk kërkon luks, por mundësinë për të punuar pa pasur frikë për fëmijën, për të paguar qiranë, për t’i siguruar të birit kujdesin e nevojshëm dhe për t’i dhuruar atij sadopak gëzim.
Alida është krenare për djalin e saj. Por ajo që e dhemb është se, ndërsa përpiqet t’i japë gjithçka që mundet, jeta nuk i ka lënë shumë mundësi për t’i dhuruar atë që çdo nënë dëshiron për fëmijën e vet: një fëmijëri të lumtur.
Rrëfimi i Alida Metaj në protestën në Sarandë ngre një pyetje të dhimbshme: Sa nëna të tjera jetojnë çdo ditë mes detyrimit për të siguruar bukën e gojës dhe frikës se çfarë mund t’u ndodhë fëmijëve të tyre ndërsa ato janë në punë? Saranda Web