Fondet IPARD III ende pa u hapur, BE kërkon garanci për administrimin e tyre. Fondet europiane të programit IPARD III për bujqësinë dhe zhvillimin rural mbeten në pritje të plotësimit të kushteve nga Shqipëria. Raporti i progresit për vitin 2026 evidenton nevojën për kontrolle më të forta, administrim financiar të besueshëm dhe masa për mbrojtjen e financimeve nga parregullsitë.
Sipas raportit të Komisionit Europian, autoritetet shqiptare dorëzuan kërkesat për marrjen e përgjegjësisë së administrimit të programit më 1 prill dhe 18 qershor 2026. Megjithatë, ky hap nuk është i mjaftueshëm për të mundësuar nisjen e financimeve.
Përpara autorizimit, institucionet duhet të dëshmojnë se mund të kontrollojnë shpërndarjen dhe përdorimin e parave sipas kërkesave europiane. Kjo nënkupton verifikimin e përfituesve dhe të investimeve, si dhe identifikimin e raportimin e shkeljeve.
Në vlerësimin për sektorin bujqësor evidentohen përparime në përgatitjen e strukturave administrative, por kërkohet forcimi i personelit dhe i kapaciteteve teknike. Një prej detyrave është zhvillimi i Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit, që ndihmon në verifikimin e të dhënave të fermerëve dhe të mbështetjes financiare.
Raporti kërkon gjithashtu vijimin e masave kundër mashtrimit dhe zbatimin e planeve të veprimit të dakordësuara me Komisionin Europian. Forcimi i kontrolleve dhe transparenca në raportimin e parregullsive mbeten pjesë e kushteve për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Për fermerët dhe sipërmarrjet rurale, vonesa e programit shtyn mundësinë e mbështetjes së investimeve përmes IPARD III. Çelja e financimeve mbetet e lidhur me përmbushjen e kërkesave për administrimin dhe kontrollin e tyre. Saranda Web