Publikohet projekti për rikonstruksionin e Kinoteatrit “Butrinti” në Sarandë. Është publikuar projekti për rikonstruksionin e Kinoteatrit “Butrinti” në Sarandë. Godina ka mbetur jashtë funksionit që prej vitit 2018, duke e lënë qytetin pa një sallë të dedikuar për shfaqje filmash, teatër dhe aktivitete kulturore.
Saranda Web ka raportuar më herët për gjendjen e godinës, si në ambientet e brendshme, ashtu edhe në pjesën e jashtme. Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetit të vitit 2026, kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, deklaroi se rikonstruksioni i plotë do të niste brenda vitit dhe se investimi do të financohej nga të ardhurat e bashkisë.
Mungesa e një salle funksionale u vu në dukje edhe në nëntor 2025, kur filmi “Golden Brothers 2” u shfaq në ambientet e Hotel Mediterrane. Një vit më vonë, kur Laert Vasili dhe Drilon Hoxha u rikthyen në Sarandë për shfaqjen e filmit “EGO 2”, ata ngritën sërish të njëjtin shqetësim dhe shprehën dëshirën që në vizitën e radhës ta gjenin kinoteatrin të hapur për publikun.
Me publikimin e projektit, mbetet për t’u sqaruar kur do të nisin punimet dhe kur qyteti do të mund ta përdorë sërish sallën e Kinoteatrit “Butrinti”. Saranda Web











