Oltion Çaçi premtoi rikonstruksionin e Kinoteatrit në 2026, tetori po mbyllet pa punime dhe pa tender
Kinoteatri i Sarandës vijon të mbetet jashtë funksionit, ndërsa premtimi për nisjen e rikonstruksionit gjatë vitit 2026 ende nuk është shoqëruar me hapa konkretë. Tetori po shkon drejt fundit dhe nuk kanë nisur as punimet, madje as procedura e tenderimit për investimin e paralajmëruar.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetit të vitit 2026, kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, deklaroi se gjatë këtij viti do të niste rikonstruksioni i plotë i Kinoteatrit. Ai theksoi se investimi do të realizohej me të ardhurat e vetë bashkisë, duke marrë një angazhim publik për rikthimin në funksion të godinës.
Prej vitit 2018, në Kinoteatrin e Sarandës nuk zhvillohet asnjë aktivitet për shkak të kushteve në të cilat ndodhet godina, si brenda, ashtu edhe jashtë. Për tetë vite, qytetit i ka munguar kjo hapësirë kulturore, ndërsa gjendja e saj vijon të presë ndërhyrjen e premtuar.
Kur kanë mbetur pak më shumë se dy muaj nga përfundimi i vitit, mungesa edhe e procedurës së tenderimit ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e angazhimit të Çaçit.
Bashkia Sarandë duhet të bëjë publike se në çfarë faze ndodhet projekti, sa është fondi i parashikuar dhe përse nuk është hapur ende tenderi. Nëse financimi do të mbulohet nga të ardhurat e bashkisë, siç u deklarua, qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse këto para janë siguruar dhe kur do të përdoren për investimin.
Pas tetë vitesh pa aktivitete, Kinoteatri nuk ka nevojë për një tjetër premtim, por për një afat të qartë dhe punime konkrete. Oltion Çaçi duhet të sqarojë nëse rikonstruksioni do të nisë brenda vitit 2026 apo nëse edhe ky angazhim do të shtyhet, duke e lënë sërish qytetin të presë. Saranda Web