Propozimi i Joseph J.DioGuardit për të shpëtuar Butrintin
Joseph J. DioGuardi i shkruan Kryeministrit të Shqipërisë Propozimin e tij për të shpëtuar Parkun Kombëtar të Butrintit.
Re: Propozim për menaxhimin shqiptar të Vendit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit
Z. Rama,
Edhe pse s’jemi takuar kurrë, as në Nju Jork dhe as në Tiranë, ne kemi shkëmbyer mesazhe disa vjet më parë për Dekretin grek të Gjendes së Luftës me Shqipërinë.
Po ju shkruaj lidhur me përpjekjet e AADF-së për të shtënë në dorë menaxhimin apo administrimin e Butrintit. Jam shumë i shqetësuar nga kjo shmangie e hapur nga një entitet amerikan, siç është AADF-ja, e politikave konsistente të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara lidhur me detyrimin sovran të një shteti për të menaxhuar parqet kombëtare të vendit të vet.
Mund t’ju them se i kam shkruar Drejtorit të UNESCO-s si dhe organizmave të tjera përkatëse. Po ashtu, kam informuar Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar për këtë situate të pakëndshme, si dhe synoj të punoj sëbashku me miqtë e mi në Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve të SH.B.A.-së për të hedhur dritë dhe për të kërkuar llogaridhënie e transparencë, përfshirë përmes dëgjesave publike, për të largim të pashembullt prej AADF-së nga politikat e SH.B.A.-së.
Megjithatë, mendoj se mund të gjendet një rrugëdalje poziitive nga situata, me kusht që qeveria tuaj të tërheqë projektligjin që do të finalizonte marrjen në dorë nga AADF-ja të menaxhimit të Butrintit.
Për këtë nuk kam aspak ndërmend modelin “e ri”, hibrid,për menaxhimin e Butrintit që Majkëll Granof thotë se kinse “do t’ia japë tërë botës”.
Nuk kemi pse të rishpikim rrotën. Përndryshe kam ndërmend modelin amerikan, të ndërtuar nga Presidenti Theodor Ruzevelt, sipas të cilit parqet tona shumë të çmuara dhe unikale menaxhohen vetëm dhe ekskluzivisht nga populli amerikan përmes Shërbimit Kombëtar të Parqeve [National Park Service – NPS]. Sikurse e dini, ne nuk lejojmë fondacione private që të menaxhojnë parqet tona kombëtare.
Zgjidhja me të cilën do të fitonin të gjithë [win-win] do të ishte një binjakëzim ose motërzim midis Parkut Kombëtar të Butrintit dhe një Parku Kombëtar Amerikan që është njëkohësisht edhe Vend i Trashëgimisë Botërore, dhe janë mëse një duzinë syresh në mbarën Amerikën..
Ju ose Ministrja tuaj e Kulturës, znj. Margariti, mund të zgjedhin një nga lista e Parqeve Kombëtare të SH.B.A.-së në fund të letrës sime, dhe ne mund të punojmë bashkë që të ndërtojmë një program të posaçëm motërzimi midis Butrintit dhe atij Parku Kombëtar Amerikan. Megjithatë, mund t’ju them se një urë bashkëpunimi midis Parkut Kombëtar të Butrintit dhe Shërbimit Kombetar të Parqeve [NPS] është ndërtuar qysh së paku në fillim të viteve 2000, kur drejtues të Parkut Kombëtar Jellouston [Yellowstone National Park] dhe Parkut Kombëtar të Luginës së Vdekjes [Death Valley National Park] vizituan Butrintin dhe shkëmbyen përvojë dhe dijenitë e praktikat e tyre me kundërpalën shqiptare.
Por cili do të jetë roli i AADF-së? Unë do t’i kërkoj USAID-it që t’i japë direktivë Bordit të AADF-së që ta japë si një grant, dhe pa kurrfarë kushti ndaj Shqipërisë mbështetjen financiare tashmë të premtuar prej rreth 5 milion dollarësh nga llogaria e tyre shumë e madhe, në favor të këtij motërzimit midis Butrintit dhe Shërbimit Kombëtar të Parqeve. AADF-së nuk do t’i lejohet të ndërhyjë në asnjëlloj mënyre, mase ose forme në menaxhimin e Butrintit..
Mirëpo përsëri, parakusht për gjithë sa më sipër është që qeveria tuaj të anullojë marrëveshjen me AADF-në dhe të tërheqë projektligjin përkatës që ndodhet përpara Kuvendit të Shqipërisë.
A do ta bëni dot ju këtë gjë?
Më duhet të shtoj se do ta informoj qeverinë e Shteteve të Bashkuara si dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara për çdo përpjekje të mëtejshme të AADF-së për të shtyrë qeverinë tuaj që ta mbyllë sa më parë këtë marrëveshje të keqe, ose për ushtrimin e trysnisë ndaj Kuvendit të Shqipërisë që ta votojë e ta miratojë projektligjin. Për arsyet e shpjeguara më lart, marrja në dorë e menaxhimit të Butrintit nga ana e një entiteti të Shteteve të Bashkuara paraqet rreziqe të konsiderueshme reputacionale për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, prandaj një gjë e tillë nuk mund të lejohet.
Sa i takon Shqipërisë, është thjesht e paimagjinueshme që një vend që po mbush 110 vjet pavarësi të jetë i paaftë që të menaxhojë parqet e veta kombëtare. Mirëpo kjo është edhe publicitet negativ edhe për 100 vjetorin e marrëdhënieve SH.B.A. – Shqipëri për shkak të përpjekjeve të një entiteti amerikan që të shtjerë në dorë menaxhimin e xhevahirit të kurorës së historisë, kulturës dhe turizmit shqiptar.
Për të gjitha arsyet e mësipërme, sugjeroj që t’i jepni vëmendjen e menjëhershme poropozimit tim prej të cilit fitojnë të gjithë [win-win proposal] dhe ta tërhiqni pa vonesë projektligjin tuaj për Butrintin të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisê.
Sinqerisht,
Joseph J. DioGuardi
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit