Pezullimi i Kardhiq-Delvinë, cili është prioriteti tjetër i ministrisë?

18/09/1917:25

Shperndaje:


“Tiranë-Sarandë do përshkohet për 3 orë me ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë përpara vitit 2021”, është premtimi që ministrat e qeverisë Rama përsërisnin të paktën deri në fund të qershorit. Por një vendim i beftë i ministres Balluku për pezullim të tenderit 19 milionë eurosh të lotit 7, rrezikon të shtyjë këtë afat. Cili është prioriteti i qeverisë që sakrifikoi “Kardhiq-Delvinë?

Rruga Kardhiq-Delvinë, aksi i planifikuar të afrojë Tiranën me Sarandën dhe i konsideruar nga Qeveria Shqiptare si një nga prioritetet e saj, është shtyrë zyrtarisht.

Në 13 shtator ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku konfirmoi ndërprerjen e ndërtimit të lotit 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë për t’u shtyrë pa afat, me shpjegimin se Ministria ka prioritete të tjera.

Ministria ka të drejtë që t’i japë prioritet disa nga çështjet emergjente që mund të ketë dhe kjo nuk ka lidhje nëse ka fonde apo nuk ka fonde. Këto janë prioritete momentale që ka Ministria. Po flasim për shtyrje të një procesi, duhet ta kuptoni që ARRSH-ja nuk bën vetëm rrugë të reja, kemi ura, rrugë që mund të kenë emergjenca dhe duhen mbuluar”, tha Belinda Balluku.

“Faktoje” përmes një verifikimi të deklaratave të bëra më herët nga kryeministri Rama dhe ministrat Gjiknuri e pasuesja e tij Balluku, konstatoi një qasje krejt tjetër me atë të ditëve të fundit, lidhur me projektin për “Kardhiq-Delvinë”.

Disa nga deklaratat për rrugën Kardhiq-Delvinë:

30 shtator 2018, Kryeministri Rama: “Ne do të kemi një lidhje Tiranë-Sarandë që nuk do të marrë më shumë se 3 orë kohë. E paimagjinueshme më parë”. 

30 shtator 2018, ish ministri Damian Gjiknuri: “Kjo rrugë do të përfundojë përpara vitit 2021 dhe qeveria shqiptare i ka marrë masat për këtë. Kemi siguruar të gjithë buxhetin e duhur dhe këtë rrugë e kemi të financueshme. Sot që flasim janë 3 lotet e para që nisin punën për të mos u ndalur më, vitin tjetër fillojmë edhe tunelin. 

23 shkurt 2019, kreu i ARRSH, Sonila Qato: “Ky është loti i 4 i punimeve të segmentit, janë 6,1 kilometra të cilat kanë filluar të ndërtohen dhe sot në këtë moment jemi duke realizuar mbi 50% të punimeve të planifikuara në grafikun e punimeve”.

7 prill 2019, ish ministri Damian Gjiknuri: “Ndërsa punimet  në 3 lote vazhdojnë, nxis Ministrinë e Infrastrukturës dhe ARRSH të çojnë përpara sa më shpejt edhe ndërtimin e tunelit , puna për projektin e të cilit u krye në kohë dhe fondet u parashikuan në Buxhetin e vitit 2019.

29 qershor 2019, ministrja Belinda Balluku: “Ecuria e punimeve këtu në rrugën Kardhiq-Delvinë duket se po shkon mirë. Po bëhet një punë e mirë e cila na jep shpresë se ndoshta do të mbarojmë para afatit”.

Nisur nga ky ndryshim i beftë i planit të qeverisë “Faktoje” iu drejtua me një kërkesë zyrtare Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për të mësuar se cili është prioritet i ri, por ende nuk ka një përgjigje.

Ndërsa ministria dhe ARRSH po marrin kohë për të thënë publikisht se cili është projekti që tejkalon përparësinë e Kardhiq-Delvinë, është faktuar tashmë konflikti mbi tenderin mes firmës Gjoka që ka kryer punimet për projektin në fjalë dhe ARRSH.

Në garën për këtë projekt morën pjesë gjashtë kompani, pesë prej të cilave u skualifikuan, sepse sipas ARRSH-së nuk përmbushnin kriteret.

Vetëm konsorciumi italian sipas ARRSH i plotësoi këto kritere duke u shpallur fitues. Vendimi u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik nga “Gjoka Konstruksion”, një nga kompanitë garuese, duke rrëzuar kështu konsorciumin që ishte shpallur fitues.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderi me vlerë 19 milionë euro është hapur në datën 25 prill të këtij viti dhe është mbyllur në 17 qershor. Megjithatë tenderi rezulton jo i pezulluar.

Në APP figuron edhe një tender për supervizimin e punimeve të këtij loti me një vlerë prej 16,5 milionë lekë.

 

Ky lot ka të përfshirë ndërtimin e tunelit me gjatësi 1.2 kilometra.

Në media dolën të dhëna se “Gjoka Konstruksion” sh.a, e cila po ndërton edhe Rrugën e Arbrit  kishte paraqitur të dhëna fiktive në përpjekje për të fituar tenderin për ndërtimin e lotit 7 të rrugës “Kardhiq-Delvinë” që përfshin edhe tunelin.

Pasi publikoi një deklaratë për media, kompania shkoi më tej duke kallëzuar kreun e ARRSH, Sonila Qato për prishje imazhi.

Rëndësia e Kardhiq-Delvinë 

Ky segment rrugor pritet të sjellë shumë më afër Tiranën me Sarandën duke shmangur kthesat e forta në Qafën e Muzinës dhe fuqizuar kësisoj edhe të ardhmen turistike të këtij rajoni.

Parashikimi është që kjo distancë të përshkohet për tre orë, duke llogaritur edhe investimet paralele që po bëhen në akse të tjera të jugut.

Kjo rrugë është konsideruar që në krye të herës si prioritet i Qeverisë bashkë me disa projekte të tjera si Rruga e Arbrit apo By-passi i Fierit.

Aksi Kardhiq-Delvinë është premtuar se do të mbarojë brenda 24 muajsh nga nisja e punimeve (tetor 2018), por me pezullimin e tyre ky afat rrezikon të shtyhet. Ndërkohë për qytetarët që u duhet të përshkojnë ende një distancë më të gjatë drejt Sarandës, ndryshe prej qeverisë, ndërtimi i këtij aksi mbetet prioritet. Nga Merxhan Daci, faktoje.al


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.