
Manjola Nikollo paralajmëron rikthimin në krye të PD Sarandë pas humbjes së thellë në zgjedhje
Manjola Nikollo paralajmëron rikthimin në krye të PD Sarandë pas humbjes së thellë në zgjedhje
Manjola Nikollo ka lëshuar një sinjal të fortë për rikthimin e saj në drejtimin e Partisë Demokratike në Sarandë. Në një status të publikuar ditën e sotme, Nikollo ka kujtuar momentin e rizgjedhjes së saj si kryetare e degës lokale të PD një vit më parë, duke lënë të kuptohet se është e gatshme të marrë sërish drejtimin e partisë në një kohë kur kjo e fundit po përjeton një krizë të thellë pas humbjes në zgjedhjet e fundit.
Manjola Nikollo ishte zgjedhur për herë të parë kryetare e PD Sarandë pas rithemelimit të partisë dhe më pas u rizgjodh, duke triumfuar ndaj kundërshtarëve të brendshëm, në një proces që, sipas saj, kishte për qëllim ta largonte nga drejtimi i degës nën pretekstin e ristrukturimit.
Më vonë, ajo dha dorëheqjen nga posti i kryetares për të garuar në primaret për kandidate për deputete, një proces që është përfolur për parregullsi të shumta. Një nga rastet më të komentuara ishte ai i kutisë së votimit në Konispol, ku u numëruan mbi 20 vota më shumë sesa kishte votues.
Në statusin e saj të fundit, Nikollo shkruan:
“Një vit më parë, kur u rizgjodha për herë të dytë Kryetare e Partisë Demokratike Sarandë. Doja të shkëputja një pjesë nga statusi im:
‘…Ishte këmbëngulja juaj që më riktheu dëshirën dhe preokupimin për të garuar sërish për drejtimin e degës sonë. Një proces i nisur shtrembër, me ndërhyrje të padrejta e deri në kufijtë e absurdes, natyrisht që mund të më mbante larg. Por dhjetra e qindra mesazhe e takime me ju, më dhanë forcë për t’i shkuar deri në fund asaj që vërtetë mendoja se ishte jo thjesht fitorja ime, por triumf i së drejtës. Për mua fundi i këtij procesi nuk është fitore beteje e as e ndonjë ‘lufte’ imagjinare, nëse ndokush e ka quajtur të tillë prej fillimit…’
Falenderoj nga zemra, të gjithë ju që më keni mbështetur në rrugëtimin tim politik prej 15 vitesh, mirënjohje pa fund.”
Ky status shihet nga shumë demokratë në Sarandë si një paralajmërim i qartë për rikandidim të mundshëm të Nikollos në krye të PD-së lokale, në një kohë kur dega përballet me rënie të mbështetjes dhe kaos organizativ.
Rikthimi i Manjola Nikollos, një figurë me përvojë dhe mbështetje në bazë, mund të shënojë një përpjekje për rimëkëmbjen e partisë në këtë zonë strategjike të jugut.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
