KLGJ pezullon procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj

25/10/2116:25

Shperndaje:

Duke argumentuar se duhet pritur vendimi përfundimtar i institucioneve të vetingut për gjyqtarin e Apelit Vlorë Petrit Aliaj, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të pezullojë procedimin disiplinor ndaj dy magjistratëve, për të cilët Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon uljen e pagës për 1 vit për shkelje të Kodit të Procedurës Penale në një vendimarrje.

Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Vlorë, Petrit Aliaj dhe Nazmi Troka nuk ishin të pranishëm në mbledhjen plenare online të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ të hënën, kur u vijua shqyrtimi i kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD Artur Metani për caktimin e masës disiplinore “me ulje 40 për qind të pagës për 1 vit”, lidhur me marrjen e një vendimi për rishikim mase sigurie në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Po ashtu u relatura se nuk ishin të pranishëm për shkaqe papajtueshmërie në shqyrtimin e çështjes edhe anëtarët e KLGJ-së, Ilir Toska, Alban Toro, Fatmira Luli dhe Dritan Hallunaj.

Në seancën e mëparshme, më 11 tetor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani referoi se dy gjyqtarët kishin shkelur një dispozitë të Kodit të Procedurës Penale e cila nuk kishte nevojë për interpretim. Metani vuri në dukje se vendimi i Gjykatës së Apelit në Vlorë, për të lënë në fuqi masën e rishikuar të sigurisë ndaj një të akuzuari për heqje të paligjshme të lirisë në vitin 2016, ishte prishur nga Gjykata e Lartë e cila po ashtu kishte shënuar tërheqje vëmendje për gjyqtarët e Apelit të Vlorës.

Megjithatë, relatori i çështjes në KLGj, Maksim Qoku kërkoi të hënën më 25 tetor pezullimin e procedimit disiplinor ndaj dy gjyqtarëve Petrit Aliaj dhe Nazmi Troka, ku i pari është shkarkuar nga detyra prej Komisionit për mosjustifikimin e pasurive, ndërsa i dyti nuk është përballur ende me vetingun.

Qoku referoi se për Aliajn ka një vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që e ka shkarkuar nga detyra dhe se çështja pritet të shqyrtohet edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA. “Nuk mund të shprehemi pa u mbyllur më parë ky procedim”, tha Qoku dhe argumentoi se duhet pezulluar procedimi disiplinor edhe për gjyqtarin Troka pasi bëhet fjalë për të njëjtën vendimarrje nga ana e tyre. “Muk mund ti ndajmë pasi do paragjykoheshin nëse do të gjykoheshin të ndarë”, tha Qoku.

Ai shtoi se edhe gjyqtari Troka është objekt i rivlerësimit që po kryhet nga KPK dhe se një vendimarrje e parakohshme e kësaj natyre e KLGJ-së, mund të ndikonte në procesin e vetingut ndaj tij. Në fund Qoku kërkoi pezullimin e procedimit disiplinor derisa të marri formë të prerë vendimi nga institucionet e vetingut për magjistratët.

Qëndrimit të Qokut iu bashkua edhe anëtarja e KLGJ-së Brikena Ukperaj. Ajo e cilësoi pa sens që Aliajt ti ulej paga ndërkohë që ai ishte shkarkuar nga detyra prej KPK-së si dhe kërkoi që të pezullohej procedimi për të dy magjistratët me të njëjtin argument, pasi janë proceduar për të njëjtën vendimarrje.

Metani e konsideroi të pabazuar kërkesën për pezullimin e procedimit disiplinor ndaj Aliajt dhe Trokës. “Është rasti i dytë që kërkohet pezullimi. Si në rastin e Sinojmerit dhe në këtë rast mendoj se KLGJ e ka mundësinë për vazhdimin e procedimit disiplinor, pasi Aliaj është shkarkuar për të tjera shkelje dhe ajo për të cilat ka nisur procedimi disiplinor. Ai e ka statusin e magjistratit. I qëndroj mendimit se duhet të vazhdojë procedimi”, argumentoi Metani lidhur me Aliajn.

Ai theksoi se procedimi për gjyqtarin Troka nuk ka lidhje të pezullohet pasi nuk dihet se çfarë vendimi do të marri Komisioni. “Ne kemi dosjen tonë me shkelje konkrete dhe kërkesën konkrete dhe nuk e konsideroj të bazuar në ligj pezullimin”, këmbënguli Metani.

Megjithatë, anëtarët e KLGJ-së vendosën të pezullojnë procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve Petrit Aliaj dhe Nazmi Troka derisa sa të përfundojë çështja në KPA. Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami njoftoi se ky vendim i KLGJ është i pa apelueshëm. REPORTER.AL


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.