Denoncimi i PD Sarandë: Makineria shtetërore përdoret në shërbim të kandidatit të imponuar

20/04/2321:07

Shperndaje:

Të nderuar bashkëqytetarë! Kishim besuar, në respekt të ligjit, se përballja elektorale e 14 majit dhe ditët e fushatësqë do ta paraprinin atë do të vinin përballë kandidatë, alternativa politike, programe elektorale dhe projekte zhvillimore që në kushte të barabarta do të shkonin tek zgjedhësit, do të dialogonin me ta dhe ata si qytetarë të lirë, pa trysni, pa shantazh, pa makinacione do të bënin zgjedhjen e tyre në të mirë të mirëmenaxhimit të qytetit.

Por, pas tenderave elektoralë nga të gjitha institucionet e pushtetit, në nivel kombëtar, rajonal dhe vendor, pas premtimeve bombastike për rritje pagash dhe pensionesh me gojën e vet kryeministrit në kundërshtim me kodin zgjedhor, pas fryrjes së stafeve dhe borderove me punonjës me kontrata sezonale, ditën e djeshme dhe të sotme pamë me sytë tanë sesi nxënësit e shkollave dhe mësuesit e tyre u përdorën, në shkelje të ligjit mbi arsimin, për promovimin e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë Sarandë,Dje Festivali Folklorik Rajonal “Gurra Folk Fest” në Kalanë e Lëkurësit me pjesëmarrës nxënës nga shkollat e rajonit u përdor nga institucionet organizatore për t’i dhënë mbështetjen kandidatit të katapultuar, në përpjekje për të kompensuar mbështetjen e munguar edhe nga vetë anëtarët dhe simpatizantët e partisë së tyre.

Sot ishte radha e mësuesve të shkollave të qytetit të cilët përdoren politikisht dhe kësisoj cënohen në dinjitetin dhe autoritetin që duhet të kenë në misionin e tyre fisnik për edukimin e brezave të rinj të këtij qyteti. Përdorimi i individëve me një pozicion të caktuar në shoqëri në këtë qytet për t’i kuadruar brenda një fotoje në mediat sociale bashkë me kandidatin e imponuar është denigruese për ta dhe nuk mund ta zbus dhe jo më ta çbëjë faktin që kandidati nuk e njeh qytetin, nuk mund të identifikohet me asnjë qytetar dhe se sa pak i njeh problemet dhe hallet, nuk njeh të shkuarën dhe nuk ka për të patur të ardhme.

Në emër të Partisë Demokratike dhe Koalicionit “Bashkë Fitojmë” denoncojmë këto veprime në kundërshtim me ligjin, madje zyrtarisht do t’i përcillen edhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe KQZ-së, dhe ftojmë qytetarët që pa frikë dhe me besim tek demokracia t’i kthejmë këto zgjedhje në një manifestim të vlerave më të larta qytetare dhe të lirë dhe të pandikuar të bëjmë zgjedhjen më të mirë për drejtuesit e rinj të bashkive tona pas 14 majit.


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Të shtunën dhe të dielën bllokohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Abedin Dino”
Përkujtohet 35-vjetori i vrasjes në kufi të 4 të rinjve nga Aliko – VIDEO
U kapën në Greqi dhe dyshohen si vrasës me pagesë, Policia kontroll në shtëpitë e tyre, njëri nga Saranda
Ministria e Turizmit reagon për  ekskavatorët në Finiq: “Nuk ka gërmime të paligjshme, po kryhen punime restaurimi të miratuara”
260 mm shi në 72 orë, bilanci nga çarja e argjinaturës: 800 krerë bagëti të ngordhura dhe 1350 ha të përmbytura
Ekskavatorët në Parkun e qytetit antik të Finiqit ngrenë alarmin! Çfarë po ndodh?

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.