Artizanët e Butrintit: Kumbaro na bëri presion, kërkon marrëveshje për përfitimin e bizneseve private

18/10/1715:22

Shperndaje:


Nga Julia Vrapi
Ministria e Kulturës presion ndaj artizanëve për të firmosur në marrëveshjen për tregtimin e produkteve në këndin SAL. Zëri i tyre nuk u dëgjua nga ministrja Mirela Kumbaro, dhe përmes një letre i janë drejtuar UNESCO-s. Në letër ata pohojnë se përfaqësojnë rreth 50 familje vendase të cilat janë përgjegjëse për krijimin e të gjitha objekteve artizanale, që më pas shiten në dyqanin Community Handicraft Shop të ndërtuar në parkun kombëtar të Butrintit, që prej vitit 2004. Në letrën e shoqatës “Artizanët dhe Zejtarët e Butrintit” ata pohojnë se produktet e punës së dorës të shitura në këtë treg përmirësojnë jetën e familjeve dhe ndihmojnë në ruajtjen e aftësive artizanale tradicionale. Por presioni që ministrja Kumbaro i bëri artizanëve të Butrintit për të firmosur kontratën me kompani private për tregtimin e produkteve në këndin SAL ka bërë që ata ti drejtohen UNESCO-s. “Kohët e fundit Ministria e Kulturës ka nxjerrë një dekret që na kërkon t’ia lëmë produktet tona për të shitur disa kompanive private, që nuk e kanë idenë e punës artizanale. Na është bërë presion për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Parkun e Butrintit, Ministrinë e Kulturës dhe kompanive private, marrëveshje gjatë hartimit të së cilës ne nuk kemi qenë prezentë. Ne sigurisht nuk kemi pranuar të nënshkruajmë pasi kjo na mohon të drejtën për prezantuar punën tonë te vizitorët e parkut kombëtar”, thuhet në letër. Sipas tyre, marrëveshja nuk përputhet me rregullat e konkurrencës së lirë e të ndershme për produkte të vërteta artizanale të komunitetit lokal. “Duket qartë që ajo ka si qëllim vetëm përfitimin e bizneseve private që kërkojnë të nxjerrin fitime në mënyrë të pandershme. Sigurisht që ne nuk e kundërshtojmë monitorimin nga autoritetet për cilësinë e produkteve tona, por besojmë se nuk duhet të na hiqet e drejta për të tregtuar produktet tona me anë të përfaqësuesve tanë. Kjo është gjithashtu në kontradiktë me projektin fillestar të përfaqësimit të komuniteteve të punës artizanale dhe mbështetjes së ekonomisë lokale”, vijon më tej letra drejtuar UENSCO. Në kohën kur ministrja Kumbaro për tregimin e produkteve në këndin SAL përzë artizanët ata pohojnë se edhe pse kanë kohë që kanë kërkuar për zgjidhjen e këtij problemi kjo nuk është dëgjuar. “Kjo çështje nuk po merr vëmendje nga palët qeveritare në nivelet lokal apo qendror, prandaj po e sjellim çështjen te ju për t’ju informuar për situatën e sikletshme, dhe rrezikun e prishjes së projektit në këtë vend të mbrojtur nga trashëgimia e UNESCO-s. Shpresojmë të kuptoni situatën dhe të kemi vëmendjen tuaj për zgjidhjen më të mirë dhe kontributin në zgjidhjen finale me autoritetet shqiptare”, përfundon letra e shoqatës së artizanëve drejtuar UNESCO-s.
Gënjeshtra e drejtoreshës së IMK
Artizanët e Butrintit kanë pohuar se urdhri i ministres Kumbaro, që ka miratuar kërkesën e tre operatorëve është një dëshirë për ti hedhur ata në rrugë. Urdhri që mban datën 31 maj me miratimin e kërkesës së bashkimit të tre operatorëve për krijimin dhe funksionimin e këndit “SAL” pranë parkut arkeologjik Butrinti kundërshtohet fort prej tyre, pasi kanë prej 13 vitesh që zhvillojnë aktivitetin në park. Përfaqësues i artizanëve Agur Kapo shprehet se askush nuk pyetet por bëhet vetëm siç kërkon ministrja e Kulturës. “Ne i jemi drejtuar me letër UENSCO-s sepse po na largojnë, nuk na kanë pyetur për asgjë. Çdo gjë si do të dojë ministrja Kumbaro. Ne kemi firmosur më parë për një marrëveshje dy mujore, por na kanë bërë presion dhe ne nuk deshëm. Vetëm na kanë mashtruar deri tani. Ne na kanë përzënë nuk është marrëveshje bashkëpunimi, por mashtrimi”, pohon Agur Kapo. Më tej ai shton se drejtoresha e IMK gënjeu në një emision. “Drejtoresha e IMK në emision tha që kanë pranuar vetë artizanët për të nënshkruar marrëveshjen, kjo është gënjeshtër. Ne patëm presion. Ne këtë e kemi dhe me video”, vijon artizani Kapo.
Kumbaro shkatërron traditën
Komuniteti zë një vend të veçantë në Konventat e UNESCO-s për trashëgiminë materiale dhe jo materiale. Por me përzënien e artizanëve nga Butrinti, duket se ministria ka shkelur konventat ku vendi jonë është firmëtar. Ministria duhet të sqarojë pse ky urdhër që detyron artizanët të largohen nga “prona” e tyre në mijëvjeçarë. Një urdhër që duket dhe përcakton arbitrarisht se kush blen e kush shet në Butrint? A është ulur ministria me “pronarët” natyrorë të Butrintit për të sqaruar shqetësimet lidhur me shërbimin artizanal në Butrint? Artizanët janë shprehur të pamundur për të realizuar standardin e kërkuar nga MK? Cili është në fakt konkretisht standardi që kërkon të vendosë ministria? “Siguria e produktit”, që do shitet nuk duket argument shumë bindës! Në një kohë kur në parqet me në zë artizanet jo vetëm i shesin vetë, por edhe i prodhojnë në vend produktet artizanale për të rritur nivelin e kënaqësisë së vizitorit dhe eksperiencat që merr me vete pse ky qëndrim për të zbuar krejt artizanët? Në vend të ndihmojë ministria tregon përvojën për të shkatërruar një traditë të fortë tashmë të krijuar nga projekte dhe ekspertizë ndërkombëtare? Por në momentin kur UNESCO dhe gjithë shtetet anëtare janë angazhuar për një respektim të integruar të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore (Konventa 1972 dhe 2003) Ministria e Kulturës shkon ndesh me këtë tendencë dhe angazhim mbarëbotëror. Pse ministrja Kumbaro krijon hallka ndërmjetëse mes artizanëve dhe vizitorëve? Kush vendos për çmimin e blerjes dhe të shitjes? E në këtë situatë duke përzënë artizanët, Ministrja Kumbaro a do të bëjë të njëjtën gjë me artizanët në pazarin e Krujës? Ministrja Kumbaro përzë artizanët kur ata janë shprehur se kanë bërë çfarë iu është kërkuar? Kanë nënshkruar kontratën me parkun, zbatojnë me korrektesë gjithë kushtet e parashikuara, i paguajnë qera mujore parkut, janë regjistruar në zyrën e taksave dhe janë pajisur me kasë fiskale. Botuar në gazetën Sot

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.