SHARE

rigels-balili-cv Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Delvinës, kryetari i bashkisë Rigels Balili flet në një intervistë për Birn Albania lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.
Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Delvinë?
Gjatë vitit të parë të mandatit tim si kryetar i bashkisë Delvinë kam realizuar dy premtimet kryesore mbi të cilat mbështeta fushatën time elektorale, siç janë heqja e antenave telefonike të ndodhura mbi tarracën e Kinoteatrit të Delvinës dhe sigurimin e fondeve nga KFV-ja për ndërtimin e ujësjellësit dhe zgjidhjen përfundimtare të ujit të pijshëm. Gjithashtu dua të përmend programin e ujësjellësve të zonave rurale, program i përbashkët ky mes KFV, FSHZH dhe qeverisë shqiptare, në të cilin kemi aplikuar dhe tashmë jemi pjesë e këtij programi.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Bashkia Delvinë është përpjekur të jetë mëse transparente me qytetarët. Theksoj këtu se të gjitha vendimet e këshillit bashkiak bëhen të hapura dhe vendimet pas zbardhjes së tyre afishohen në këndin e afishimeve pranë bashkisë. Gjatë hartimit e buxhetit dhe të paketës fiskale, u ftuan të gjitha bizneset për konsultë, për të shprehur mendim e tyre, është bërë dëgjesë publike në Kinoteatrin e qytetit për projektin e “Rijetësimit të qendrës së qytetit Delvinë”.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfida ime më kryesore është granti i akorduar nga buxheti i shtetit, i cili nuk është i mjaftueshëm për përballimin e shpenzimeve të bashkisë, për të cilin kemi bërë me dije edhe Ministrinë e Financave.
Çfarë po bën bashkia Delvinë për të zgjidhur problemin e ujit të pijshëm, i cili është ndotur nga gazi?
Siç e theksova edhe më lart, lidhur me problemin e furnizimit me ujë të qytetit të Delvinës, i cili ka qenë dhe është një shqetësim i madh i banorëve të këtij qyteti prej mëse pesë vitesh, dua të theksoj se ka qenë dhe është një ndër prioritetet e programit tim. Është e vërtetë se nisur nga kjo ndjeshmëri dhe ky shqetësim ka qenë një premtim i imi elektoral dhe si i tillë dua të informoj se gjatë vitit tim të parë si kryetar i bashkisë kam bërë të mundur sigurimin e një fondi prej 2,2 milion eurosh nga K.F.V (Banka Gjermane për Zhvillim), pjesë e projektit infrastruktura bashkiake III&IV, ratifikuar midis qeverisë shqiptare dhe K.F.V-së. Aktualisht, jemi në fazën ku K.F.F –ja ka përzgjedhur studion e cila po kryen studimin e fizibilitetit të sh.a Ujësjellës-Kanalizimeve Delvinë si dhe studim projektimin e furnizimit me ujë dhe rikonstruksionit të rrjetit të brendshëm të ujësjellësit të qytetit Delvinë, proces i cili përfundon brenda gjashtë mujorit të dytë të këtij viti. Me përfundimin e kësaj faze nga ana e K.F.V-së do të kryhet procedura e prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë e cila do të kryejë zbatimin e punimeve dhe zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi jetik.
Çfarë po bën bashkia Delvinë në ndihmë të komunitetit rom të qytetit?
Komuniteti rom është një pjesë e pandarë e komunitetit tonë, gjë e cila duket qartë në përfaqësimin që ata kanë pranë institucionit të bashkisë Delvinë. Gjithashtu një pjesë e familjeve të komunitetit rom të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara me aktet ligjore në fuqi, trajtohen me ndihmë ekonomike. Zyra e Shërbimit Social pranë bashkisë është duke hartuar projekte sociale në ndihmë të këtij komuniteti.
A mund të na jepni një listë të investimeve aktualisht në zbatim në bashkinë e Delvinës?
Investimet aktuale në zbatim janë, ndërtimi i trotuarit në rrugën hyrëse të qytetit, i cili përfshin ndërtimin e trotuarit prej kryqëzimit të rrugës në lagjen Papuçi deri në kryqëzimin e rrugës së varrezave publike, kangjella si dhe ndriçimin rrugor, i cili do t’i lehtësojë këmbësorëve vajtjen në varrezat publike të qytetit. Tjetër investim është rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Seit Gaci” në fshatin Stjar, rikonstruksioni i rrugës së vjetër të lagjes Xhermahall, rikonstruksioni i segmentit rrugor që të shpie në fushën e sportit, rikonstruksioni i pjesshëm i rrugës së fshatit Kopaçëz, rikonstruksioni i rrugës nga tregu fshatar deri te shkolla 9-vjeçare “Kosta Çavo”, projekte të cilat do të përfundojnë deri në fund të vitit 2016.
Rikonstruksion i rrugës në lagjen Kasapaj, duke filluar nga kopshti i kësaj lagjeje dhe projekti madhor i cili do t’i kthejë gjallërinë e munguar prej shume vitesh ose me saktë dekadash qytetit, që është “Rijetësimi i qendrës se qytetit Delvinë”, financuar nga FZHR-ja, projekt i cili do ta shndërrojë qendrën e qytetit të Delvinës në një qendër të integruar urbane.

loading...
loading...