Zvarritje dhe korrupsion: Problemet e pronësisë në Sarandë ende larg zgjidhjes
Dhjetra qytetarë denoncuan në Saranda Web se tjetërsimi apo mbivendosjet si dhe neglizhenca e institucioneve përgjegjëse po mbanin peng prej vitesh procesin e legalizimit dhe të regjistrimit të pronave të tyre.
Pak vite më parë, Diana* mendoi se i mbylli hallet e pronës së saj në Ksamil me marrjen e certifikatës së legalizimit. Por kur iu drejtua hipotekës, i thanë se toka kishte mbivendosje në hartë dhe nuk mund të regjistrohej.
“Në hartat e ALUIZN-i prona del në rregull, ndërsa në atë të hipotekës me mbivendosje. Tani këto dy institucione janë një nën emrin kadastër. Pse duhet që një institucion të punojë me dy harta të ndryshme dhe të sjellë vërdallë njerëzit e shkretë,” tha gruaja në përgjigje të një pyetësori të publikuar nga Saranda Web.
“Lekët shtetit ia kemi dhënë, por këto institucione nuk përgjigjen fare,” shtoi ajo.
Kjo është historia e vetëm një prej dhjetëra banorët e bashkive të Sarandës, Delvinës, Finiqit dhe Konispolit që përballen prej vitesh me pasigurinë juridike të pronave të tyre, pavarësisht premtimeve të përsëritura të qeverisë dhe institucioneve lokale për përmbylljen e procesit të legalizimit.
Përmes një pyetësori të publikuar online, Saranda Web kontaktoi me 60 qytetarë, kryesisht nga Saranda dhe Ksamili, por edhe nga Delvina, Finiqi dhe Konispoli. Mbi 93% e tyre thanë se po përballeshin personalisht me probleme me legalizimet apo hipotekën, ndërsa vetëm 7% nuk raportuan probleme personale të pronësisë.
Shumica e qytetarëve ndanë përvojat e tyre personale, thanë se ishin të lodhur nga pritja e gjatë dhe nuk e dinin ende nëse problemet e tyre të pronësisë do të merrnin ndonjëherë zgjidhje.
Sipas të dhënave të mbledhura nga pyetësori, problemet kryesore në bashkinë e Sarandës lidhen me legalizimin e banesave private – ndërsa një përqindje e ulët raportoi probleme me apartamentet e banimit.
Tjetërsimi apo mbivendosja e pronave është një nga faktorët që po mban peng zgjidhjen e problemeve të pronësisë për banorët e Sarandës dhe Ksamilit. Qytetarët raportuan gjithashtu zvarritje apo neglizhencë nga Agjencia lokale e Kadastrës – nën ombrellën e së cilës ndodhen tashmë ALUIZN-i dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
“Jam emigrant në Kanada. Kam dorëzuar në bashki gjithë dokumentat e parcelës në Lëkurës dhe kur shkova për të marrë përgjigje, më thonë se parcela e juaj është tjetërsuar,” raportoi për Saranda Web njëri prej qytetarëve.
Një tjetër qytetar tha se priste më kot prej 10 vitesh legalizimin e shtëpisë së tij.
“Kam aplikuar për një shtëpi banimi, e cila është bërë në vitin 2010 dhe ende nuk kam asnjë përgjigje. Kanë ardhur, kanë bërë matjet dhe jam në pritje. Këtu e 10 vjet jam i dëshpëruar nga e gjithë kjo situate,” shtoi ai.
Rreth 83% e të anketuarve e vlerësuan me notën “keq” ecurinë e procesit të legalizimit në zonën e tyre, kundrejt 13% të qytetarëve që e vlerësuan atë mesatarisht dhe vetëm 3% të mirë.
Rreth 54% e pjesëmarrësve në pyetësor mendojnë se pengesë e këtij procesi është korrupsioni, ndërsa 27% e tyre mendojnë se procesin e pengon mosbashkëpunimi mes institucioneve qeveri-bashki-kadastër.
Banorët që morën pjesë në pyetësor thanë se janë në pritje prej vitesh për të marrë një përgjigje.
“Kam bërë vetëdeklarimin, kam plotësuar formularin dhe 4 fotografi në vitin 2014. Nga ky vit dhe deri tani, sa herë vete më thonë nuk është drejtori, nuk gjendet dosja, jo hajde nesër, jo hajde të premten e kështu kaq vite,” tha një kryefamiljar nga Lëkurësi.
Ndërsa një qytetar tjetër ankohet për regjistrimin e tokave që i ka fituar përmes ligjit 7501.
“Kam dorëzuar dokumentat për të marë pronësinë e tokave që na u dhanë në bazë të ligjit…Kam shkuar mbi 10 herë atje dhe nuk e di pse nuk na i japin,” përfundoi ai.
*Diana është emri i ndryshuar i njërës prej banoreve që e plotësoi pyetësorin në kushtet e anonimatit.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit