Zona e Lëkurësit bëhet resort/ Leja e dhënë në tokën e ndarë për familjet sarandjote

04/11/2421:56

Shperndaje:

Zona e Lëkurësit bëhet resort/ Leja e dhënë në tokën e ndarë për familjet sarandjote

 

Thuajse e gjithë zona e mbetur pa ndërtime në qytetin e Sarandës do të shndërrohet në një resort gjigand, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 680 mijë metrash katrorë. Bëhet fjalë për zonën poshtë Kalasë së Lëkurësit, mbi të cilën do të ndërtohen mijëra vila dhe apartamente si dhe një hotel me 5 yje, i cili do të ketë rreth 140 dhoma gjithsej.

Ndërtuesi i resortit është kompania TDT & Partners, kompania që zotërohet nga dy vëllezërit Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi. Dajlan Avdia njihet ndryshe si ish pronari i kompanisë APEX dhe ndërtuesi i kullave ngjitur me sahatin e Tiranës.

Ky është një nga resortet më të mëdha që ndërtohet në Jug të vendit, për nga sipërfaqe e truallit në të cilin shtrihet i krahasueshëm me projektin e Alabbarit në Durrës. Por për shkak të intensitetit më të ulët, resorti i Lëkurësit do të ketë më pak sipërfaqe ndërtimore.

Resorti
Në Korrik të këtij viti, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi lejen e zhvillimit për projektin e Lëkurësit. Sipas lejes, resorti do të ndërtohet me dy faza. Faza e parë shtrihet mbi një sipërfaqe trualli prej 155 metrash katrorë. Ajo parashikon rreth 70 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimore mbi tokë dhe rreth 30 mijë metra katrorë të tjera nën tokë.

 

Pjesa tjetër e projektit ndërtohet në fazën e dytë. Sipas dokumentave të bëra publike nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, projekti parashikon ndërtimin e tipologjive të ndryshme të vilave me sipërfaqe nga 150 deri në 500 metër katrorë. Po kështu ai do të ketë palacina 5 katëshe, hotele si dhe njësi të ndryshme komerciale.

 

Resorti është projektuar nga studi spanjolle Bofill, ndërkohë që pjesë e tij ka qenë dhe studioja shqiptare Dalmat Architechture.

Kjo e fundit, kohët e fundit po shndërrohet në një nga firmat, emri i së cilës haset shpesh në lejet e projekteve madhore të firmosura nga qeveria. Studioja zotërohet nga Linda Loka, një arkitekte e re, e cila thuhet se ka miqësitë e duhura.

 

Toka e Vangjel Tavo
Në nëntor të vitit 2021 familja e Vangjel Tavos themeloi një kompani të quajtur Theap Konstruksion. Objekti i kompanisë ishte sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, ndërsa kapitali themeltar i saj ishte vetëm 100 mijë lekë.

Por pak muaj më vonë, në mars të vitit 2022, vlera e kompanisë u rrit. Familja Tavo kontriboi në natyrë duke bërë pjesë të aseteve të biznesit një sipërfaqe toke prej 33.5 mijë metrash katrorë. E regjistruar me numër pasurie 26/533, prona ndodhet në fshatin e Lëkurësit në Sarandë, poshtë kalasë së famshme të Lëkurësit, pikërisht në vendin ku do të ndërtohet resorti.

 

 

Në janar të këtij viti Vangjel Tavo ja dhuroi 100 për qind të aksioneve të kompanisë vëllait të tij Grigor Tavo. Ndërsa në maj, vetëm 2 muaj para zgjedhjeve të Himarës, kur zoti Tavo kishte marrë ndërkohë bekimin nga Edi Rama për të kandiduar në Himarë, familjarët e zoti Tavo e shitën kompaninë Theap Konstruksion për 3.6 milionë euro. Blerësi ishte TDT & Partners e Avdisë.

Origjina e pronës së shitur nga Tavo është e mbushur me përplasje dhe konflikte midis disa familjeve dhe shtetit. Agjencia Shtetërore e Kadastrës e ka kundërshtuar dhënien e saj tek privatët, për shkak se pretendonte se toka ishte shtet. Por falë gjykatës, Vangjel Tavo arriti të shtinte në dorë pronën, të cilët më pas ja shiti Avdisë 3.7 milionë euro.

 

Gjatë zgjedhjeve, teksa zoti Tavo premtonte se do të zgjidhte Çështjen e pronave në Himarë, ai u akuzua publikisht nga Omonia se tokën e Lëkurësit e ka marrë përmes dokumentave të falsifikuara. “OMONIA Himare i bën thirrje Goles të rrijë në Lëkurës qe e ka me letra fallco e të mos duket në këto anë,” thuhej në një deklaratë të shpërndarë nga kjo organizatë.

 

PUBLIKUAR NË KAPITAL.AL


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Butrinti Fiton në Cërrik dhe ngjitet në vendin e dytë, Delvina barazon në Këlcyrë
Saranda Lift kërkon punonjës për montim dhe shërbime ashensorësh
Aksident tragjik në Bypass-in e Fierit, humb jetën 30-vjeçari nga Saranda
Bar Caffe në Sarandë kërkon të punësojë Kamarier/e dhe Sanitare
TURBINA – BUTRINTI / LIVE NË SARANDA WEB
Policia Bashkiake: Shanset për kioska në Ksamil? Janë ZERO

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.