Turizmi në Sarandë sfidoi pandeminë, por Bashkia ngel në klasë me menaxhimin e sezonit

27/09/219:25

Shperndaje:

Turizmi në Sarandë sfidoi pandeminë, por Bashkia ngel në klasë me menaxhimin e sezonit Operatorët turistikë dhe dhjetëra qytetarë të Sarandës e vlerësuan përtej pritshmërive sezonin e fundit turistik.

Megjithatë, 62% e qytetarëve mendojnë se bashkia bëri një punë të dobët në zgjidhjen e problemeve me trafikun e rënduar, mungesën e parkingjeve, sigurimin e ujit të pijshëm apo pastrimin e qytetit.

VIDEO

Sezoni turistik në Bashkinë e Sarandës i tejkaloi pritshmëritë këtë vit, pavarësisht nisjes së
vonuar për shkak të pandemisë së COVID-19. Operatorët turistikë shprehen të kënaqur për
fluksin e turistëve të huaj që vizituan qytetin, por ata theksojnë se nevojiten më shumë
investime për të ofruar shërbime cilësore.
Sipas pronarit të restorantit “Centrale”, Vladimir Musej, Saranda përfitoi këtë vit turistë të rinj nga Arabia, Egjipti apo Dubai, pati një numër më të lartë turistësh nga Serbia si dhe prurje të reja nga Suedia apo Gjermania.
“Turizmi ishte me presion të lartë në një kohë shumë të shkurtër dhe ne nuk arrijmë dot në një kohë të shkurtër të servirim kaq shumë njerëz,” tha Musej për Saranda Web. “Darka ishte e shkurtuar, deri në orën 12, më vonë nuk kishim mundësi, kjo na hoqi 30% të biznesit,” shtoi ai.


Edhe biznesmeni në fushën e hotelerisë, Armando Magllara e konsideroi të mbarë sezonin turistik të këtij viti. Megjithatë, ai përmend edhe disa defekte, si rritjen me 25% të çmimeve nëpër supermarkete apo mungesën e ujit gjatë muajit të nxehtë të gushtit.
“Gjatë periudhës së dimrit të bëhen investimet e duhura. Nuk ka pasur probleme me energjinë, rendi ka qenë relativisht mirë, trafiku duhet rregulluar,” tha Magllara.
Ngjashëm me operatorët turistikë, edhe qytetarët kanë ndjesi të përziera për ndikimin e turizmit masiv në bashkinë e Sarandës. Ndërsa shumica vlerëson dobitë që turizmi sjell për ekonominë dhe punësimin në nivel lokal, të tjerë qytetarë ankohen për rritje të çmimeve, trafikun e rënduar apo mungesën e parkingjeve gjatë muajve të verës.
Në kulmin e sezonit turistik gjatë muajit gusht, Saranda Web ftoi qytetarët e Bashkisë së Sarandës që të ndanin mendimin e tyre mbi ndikimin e turizmit masiv përmes plotësimit të një pyetësori. Nga 104 qytetarë që e plotësuan pyetësorin, 66 për qind vlerësuan se turizmi ka ndikim pozitiv për qytetin, ndërsa 34% mendojnë se ndikimi është negativ.


Mes efekteve kryesore pozitive, rreth 27.6% e të anketuarve përmendin rritjen e të ardhurave dhe 27.1% rritjen e punësimit. Një pjesë e konsiderueshme prej 18% e të anketuarve vlerësojnë gjallërimin e qytetit dhe 10% aktivitetet kulturore dhe mundësitë për argëtim gjatë sezonit të verës.

Megjithatë, turizmi masiv sjell edhe një sërë problematikash për qytetarët e Sarandës, ku dy më kryesoret janë rritja e çmimeve dhe trafiku i rënduar. Qytetarët raportuan gjithashtu se përballen me mungesë parkingjesh, mungesë të ujit të pijshëm si dhe ndotje të lartë akustike.
Bashkia merr notën “dobët’
Ndërsa e vlerësojnë turizmin si burimin kryesor për zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit, shumica e qytetarëve të Sarandës i kanë dhënë notë ngelëse bashkisë për menaxhimin e sezonit turistik.
Rreth 62% e qytetarëve të anketuar e konsideruan “të dobët” punën e Bashkisë në ofrimin e shërbimeve publike gjatë sezonit të fundit turistik. Ndërkohë, 25% e vlerësojnë punën e saj si mesatare dhe vetëm 13% i japin notën “mirë” ose “shumë mirë”.


Valentina Selmani është një shitëse dhe një nga kritikat e saj lidhet me pastrimin e qytetit. “Problem kryesor ka qenë pastërtia e rrugëve, e shkallëve, e koshave. Kam patur shumë ankesa nga turistë,” tha ajo.
Operatorët e mëdhenj turistikë mendojnë se tashmë ka ardhur koha për zgjidhje të mëdha infrastrukturore për të garantuar turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm për Sarandën.
Sipërmarrësi Ilir Hysi i tha Saranda Web se mjetet turistike detare janë tashmë një trend i ri që e zhvillon turizmin, por për të funksionuar, ato kanë nevojë për infrastrukturë dhe mbështetje.


“…Këto subjekte që i kanë këto mjete detare, kanë nevojë për mbështetje, mbështetje nga pushteti vendor për infrastrukturë, mbështetje nga pushteti qendror… në pjesën e mirëmbajtjes së tyre, që është një problematikë, një industri do thoja më vete, që Shqipëria për fat të keq nuk e ka shumë të zhvilluar dhe shumë aspekte të tjera,” tha Hysi.
Prioritete të tjera sipas Hysit janë ngritja e qendrave të parkimit për mjetet detare, krijimi i parqeve dhe këndeve për fëmijët apo zhvendosja e jetës së natës nga qendra e qytetit.
“Gjithë zhurmën e muzikës që të gjithë kemi kontribuar pak në atë lloj zhurme, është përqendruar në qendër të qytetit. Duhet të krijohen në zona të tjera, të cilat do jenë për këto lloj argëtimesh, po janë mbase problematika ose prioritete që Bashkia duhet t’i shikojë dhe t’i rendisë për sezonin që vjen…,” shtoi Hysi.
Për sipërmarrësin Vladimir Musej, një investim kyç për të ardhmen e turizmit në Sarandë do të ishte ndërtimi i aeroportit, i ndjekur më pas me zgjidhjen e problemeve të brendshme që ka qyteti.
“Po erdhi turisti, ti duhet ta mirëmenaxhosh, si me rrugët, si me parkinget, që janë të domosdoshme,” tha Musej.
“Qyteti duhet me çdo kusht që të organizojë vendparkimin dhe t’i lehtësojë tatimet atyre që do bëjnë vendparkimin brenda një kuote të caktuar në qytet,” përfundoi ai.


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Deputeti Niko Kuri: Zgjedhjet për kryetarin e MEGA do të zhvillohen më 23 Nëntor
MEGA reagon pas zhvillimeve të fundit: Të respektohet statuti, s’ka zgjedhje në 23 Nëntor
Bashkia Sarandë gënjen jo vetëm qytetarët, por edhe këshilltarët – VIDEO
BURGER KING kërkon të punësojë Asistent Menaxher  dhe Pergjegjës Turni
Greqi plan masash për të mbështetur të rinjtë dhe të papunët
Tatimet sqarojnë bizneset/ Sipërmarrësit që s’kanë kontratë qiraje do t’u mbahet tatim në burim

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.