Tumat në Bajkaj: Çfarë zbuluan arkeologët në kodrat që banorët i quanin “kokojka”?
Tumat në Bajkaj, të zbuluara nga arkeologu Dhimosten Budina në vitet 1970–1971, ruanin dëshmi të periudhës së Bronzit të Vonë rreth 1200 vite para Krishtit. Në njërën prej tyre u zbuluan rreth 44 varre, së bashku me poçeri dhe objekte të tjera. Sot, në vendin ku u kryen gërmimet, nuk ka asnjë tabelë që t’u tregojë kalimtarëve historinë e tyre.
Dy tumat ndodheshin në fushën e Bajkajt, në luginën e lumit të Kalasës në Delvinë. Sipas studiuesit Auron Tare, gjetjet dëshmojnë rëndësinë arkeologjike të kësaj zone. Ai thotë se zbulime të tjera varresh janë bërë edhe drejt Qafës së Skërficës dhe e lidh luginën me rrugët e hershme të lëvizjes nga Saranda e Butrinti drejt brendësisë së vendit.
Banori Kosta Sinani i kujton tumat si kodra të vogla që vendasit i quanin “kokojka”. Ai ishte fëmijë kur arkeologët mbërritën në Bajkaj. Pas përfundimit të gërmimeve, thotë se pa në terren copa qypash, tjegulla dhe fragmente të tjera, por banorët nuk mësuan me hollësi çfarë ishte zbuluar.
Në gërmimet e kryera më vonë në zonë ka punuar edhe Ilirjan Liçaj, sot kryetar i fshatit Bajkaj. Ai kujton kujdesin me të cilin arkeologët mblidhnin çdo objekt që dilte nga toka. Vite më pas, gjatë mbjelljes së ullinjve në parcelën e familjes, Liçaj thotë se ndeshi sërish pjesë tjegullash.
Banorët e njohin këtë vend edhe si Qafa e Breshërit. Sipas një gojëdhëne që rrëfen Liçaj, emri lidhet me një breshër të fuqishëm që dikur u shkaktoi dëme të mëdha banorëve si në bagëti, ashtu edhe në shtëpitë e tyre, duke i detyruar ta braktisin fshatin.
Ndërtimi i rrugës Kardhiq–Delvinë ndryshoi një pjesë të terrenit që banorët mbanin mend nga koha e gërmimeve. Sot tumat në Bajkaj nuk dallohen më si dikur. Për Auron Taren, pranë rrugës mund të krijohet një vendndalim i thjeshtë me tabela shpjeguese për zbulimet e Budinës. Kështu, historia e vendit do të bëhej e njohur edhe për vizitorët që kalojnë çdo ditë nëpër luginë. Saranda Web