Tatimet kontrolle në kompani ndërtimi dhe agjenci imobiliare në Sarandë
Tatimet kontrolle në kompani ndërtimi dhe agjenci imobiliare në Sarandë
Administrata tatimore ka intensifikuar kontrollet në sektorin e ndërtimit dhe agjencitë imobiliare në Sarandë, në kuadër të aksionit për verifikimin e pagave të punonjësve dhe kontratave të shitjes së apartamenteve.

Sipas burimeve zyrtare, Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtoria e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren, ka evidentuar shkelje serioze nga subjekte të ndryshme që operojnë në këto dy qytete.
Agjenci dhe kompani ndërtimi me një NIPT të vetëm
Nga kontrollet në terren janë identifikuar agjenci imobiliare dhe kompani ndërtimi të regjistruara, të cilat operojnë me një NIPT të vetëm, pavarësisht volumit të aktivitetit dhe transaksioneve të kryera. Sipas tatimeve, kjo skemë ka prodhuar evazion fiskal në shuma të konsiderueshme.
Një tjetër shkelje e konstatuar lidhet me mosdeklarimin e punonjësve të ndërtimit në sistemin tatimor, si dhe deklarimin e pagave më të ulëta se ato reale. Për këtë arsye, disa subjekte janë konsideruar me risk të lartë për nëndeklarim dhe do t’i nënshtrohen hetimeve të thelluara.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe njësi kompjuterike me të dhëna financiare, të cilat aktualisht po analizohen nga strukturat e specializuara të tatimeve.
Kontrollet kanë nisur që prej 16 janarit, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur se verifikimet do të fokusohen edhe te respektimi i pagave dysheme, të përcaktuara që nga 1 dhjetori 2025.
Sipas listës zyrtare:
- paga minimale për punonjësit e ndërtimit nuk duhet të jetë nën 80 mijë lekë,
- përjashtim bëjnë sanitarët, për të cilët paga dysheme është 60 mijë lekë.
Me këtë vendim, paga mesatare në sektorin e ndërtimit rritet nga 68 mijë lekë në 85 mijë lekë, ndërsa çdo biznes që nuk respekton këto kritere do të konsiderohet subjekt me risk dhe do të përfshihet në kontrolle të vazhdueshme.
Hetime edhe për shitjen e apartamenteve
Hetimet janë shtrirë gjithashtu edhe në:
- shitjen e apartamenteve dhe parapagimet,
- lëshimin e faturave të rregullta për transaksionet,
- shoqërimin e mallrave me dokumentacion fiskal,
- deklarimin korrekt të kontratave të qirasë për ambientet e biznesit.
Administrata tatimore paralajmëron se aksioni do të vijojë edhe në javët në vijim, me fokus të veçantë në zonat turistike dhe sektorët me risk të lartë informaliteti.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit