Sorrat, Flamingot dhe Peshkaqenët e Butrintit – Nga Auron Tare

18/06/2620:15

Shperndaje:

Sorrat, Flamingot dhe Peshkaqenët e Butrintit – Nga Auron Tare. Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka publikuar një shkrim të gjatë reflektues mbi historinë, trashëgiminë dhe zhvillimet e fundit në Parkun Kombëtar të Butrintit. Në tekstin e titulluar “Sorrat, Flamingot dhe Peshkaqenët e Butrintit”, ai ndërthur kujtime personale, episode historike dhe kritika të forta ndaj mënyrës se si, sipas tij, po administrohet dhe po zhvillohet sot territori i mbrojtur i Butrintit.

 

Sorrat, Flamingot dhe Peshkaqenët e Butrintit - Nga Auron Tare

 

Tare rikthen në vëmendje vlerat natyrore dhe historike të zonës, duke përshkruar lidhjen e tij me Butrintin që nga fillimi i viteve 2000, kur së bashku me ornitologun Taulant Bino vëzhgonte shpendët e lagunës, flamingot dhe biodiversitetin e pasur të parkut.

 

“Sorrat, Flamingot dhe Peshkaqenët e Butrintit”
(Nje rrefenje per Zonat e Mbrojtura)

 

Dikur, aty nga vitet 2003–2004, endesha kodrave të Parkut të Butrintit, së bashku me “shkencëtarin e zogjve”, siç e quanin fshatarët e zonës Toton, ose më saktë Taulant Binon. Vëzhgonim shpendët e lagunës, Ai si shkencëtar i vërtetë, unë si dashamirës. Aty pashë për herë të parë flamingot e bardha të Butrintit, por edhe sorrat e laraskat e zeza, apo shpendet e tjere qe nje mjeshter i kishte perjetesuar qe ne kohet antike ne Mozaiket e Butrintit.

 

Për shumë dashamirës të antikitetit, kjo zonë ndodhet në lindje të liqenit. Kodra e quajtur Kalivo, një qytet më i madh dhe më i lashtë se Butrinti, ende i pastudiuar siç duhet dhe kodra më e vogël ku gjendet një varrezë e madhe romake, ndahen nga një rrip uji. Dikur ky rrip ishte më i gjerë dhe liqeni i Bufit me atë të Butrintit shkëmbenin ujërat me njëri-tjetrin. Deri në mesin e shekullit XIX kjo zonë, e quajtur sot lagunë, ishte pothuajse e braktisur nga njerëzit, por e populluar nga koloni të shumta shpendësh e speciesh të rralla. Nga Korfuzi Oficerë britanikë e francezë vinin shpesh për gjueti në këto anë. Peizazhi i mrekullueshëm dhe vendbanimet antike e bënin Butrintin një nga vendet më të bukura të Mesdheut.

 

Zona ka ndryshuar që prej asaj kohe. Megjithatë, në vitin 2000, kur i gjithë peizazhi përreth qytetit antik u shpall Park Kombëtar dhe zonë e mbrojtur, natyra filloi të rikthehej. Liqeni i Bufit dhe ai i Butrintit nisën sërish të japin e të marrin si dikur. Kalivoja, ndoshta vendbanim i trojanëve ikanake, u mbulua nga pylli. Vila e madhe romake e Diaporit dëshmon ende madhështinë e arkitekturës romake që dikur zbukuronte këto brigje. Shpesh kur vozisnim ne Liqen kemi ëndërruar se vila e Diaporit mund të ketë qenë vendi ku Pompon Atiku, miku i Cezarit dhe Mark Antonit, kuvendonte me mikun e tij të vjetër Ciceron, i cili vinte shpesh në Buthrotumin romak për të shijuar peizazhet e mrekullueshme. Pompon Atiku, një nga njerëzit më me ndikim të kohës së tij, u përpoq me këmbëngulje që legjionet e Cezarit të mos e dëmtonin Butrintin e tij të dashur. Edhe pasi Cezari, Ciceroni dhe Mark Antoni u larguan nga kjo botë, Butrinti pati fatin të gëzonte mbrojtje perandorake. Vajza e Atikut u martua me Agripën, gjeneralin e famshëm romak, i cili e mbrojti qytetin dhe e zbukuroi me vepra publike.

 

Oktaviani, perandori i parë i Romës, e njihte mirë Butrintin, pasi poeti i pare latin Virgjili kishte shkruar në poemën e tij epike historinë e trojanëve dhe themelimin legjendar të qytetit nga Andromaka dhe Heleni, të cilët pritën Enean e famshem në shkallët e Portës Skea.

 

Pas Oktavianit erdhi Tiberi, i cili i shqetësua nga rrëfenja e vdekjes së Panit në Butrint, ogur i zymtë e shtyu perandorin të urdhëronte hetime për të zbuluar pse kishte vdekur Pani, mbrojtësi i barinjve dhe nimfave, në liqenin e Butrintit.

 

Për shekuj me radhë Butrinti nuk humbi si shumë qytete të tjera. Fati e ndihmoi të ruante peizazhin e vet. Barbarët nuk e shkatërruan. Bizanti e përdori si port të rëndësishëm dhe vetë Justiniani i Madh, ndertuesi i Shen Sofise, ndihmoi në ngritjen e bazilikës madhështore te Butrintit të mbushur me mozaikë shumëngjyrësh.

 

Pas Kryqëzatës së Katërt, Butrinti kaloi në duart e Venedikut. Kryqtarët ndalonin shpesh në këtë qytezë të vogël, por të rëndësishme. Rikard Zemërluani, sipas kronikave, ndaloi këtu dhe u lut në bazilikën e qytetit.

 

Aq zulemamadh ishte ky qytet i vogel sa murgu nga Uellsi Geoffrey of Monmouth vendosi te shkruante HIstorine e Mbreterve Britanike me 1116 te cilet i i vendosi si pasardhes te Butrotasve antike.
Mesjeta e rrudhi Qytetin , por nuk e fshiu nga historia.

 

Kur Sulltan Sulejmani i Madhërishëm ngriti kampin e tij në fushat e Butrintit gjatë sulmit kundër Korfuzit, malaria dhe lagështira e detyruan ushtrinë osmane të tërhiqej. Në atë fushatë ra edhe Myftar Bej Tepelena, gjyshi i Ali Pashë Tepelenës.

 

Ndoshta kjo ishte arsyeja që Ali Pasha e deshi aq shumë Butrintin. Ai ndërtoi këtu një saraj të vogël ku priste diplomatë dhe miq evropianë në lojën e tij të ndërlikuar politike. Pikërisht në Butrint, piktori francez Lui Dypre realizoi portretin e tij të njohur .

 

Edhe pse natyra dhe malaria e bënin jetën të vështirë, Butrinti nuk humbi. Në vitet 1920, një “Cezar” i ri në Romë, Benito Musolini, i kërkoi arkeologut Luigi Ugolini të gjente me çdo kusht qytetin për të cilin Virgjili kishte shkruar në Eneidë. Ducja financoi një pjesë të gërmimeve dhe Butrinti doli përsëri në dritë. Musolini pervec endrave te tij perandorake dëshironte t’u tregonte shqiptarëve se themeluesit e Romës dhe të Butrintit kishin të njëjtën origjinë, Trojane. Ne ate kohë Butrinti u vizitua nga figura të njohura të politikës dhe kulturës europiane. Ata hynin me vështirësi nga Kanali i Vivarit dhe zbrisnin në molin e vogël të ndërtuar në formën e germës “M” per nder te Musolinit Edhe Galeaco Çiano Ministri i famshem fashist vizitoi Butrintin jo shumë kohë pas vizites së Mbretit Zog me Geraldinën.

 

Për shumë vite më pas, Butrinti ra në heshtje. Derisa një nga njerëzit më të fuqishëm të botës i quajtur Hrushov, bëri një vizitë në qytetin antik. Për dy javë me radhë zona u spërkat kundër gjarpërinjve dhe u ndërtua edhe një udhe e vogël për vizitën e tij. Megjithatë Hrushovi nuk kaloi mbi të, por ndoqi rrugën ujore të trojanëve, duke hyrë nga Kanali i Vivarit deri në zemër të qytetit. Hrushovi i sovjeteve mendoi se nje baze e madhe detare mund te ndertohej ne Liqen por fati e shpetoi edhe kete here Butrintin.

 

Qyteti antik mbeti i paprekur për dekada me radhë, falë paranojës së regjimit komunist që nuk lejonte lëvizje pranë kufirit. Për këtë arsye, pas rënies së komunizmit, Butrinti ishte një nga vendet më të ruajtura në Mesdhe, i paprekur nga zhvillimet turistike.

 

Që prej vitit 1994 nisën përpjekjet serioze për të mbrojtur jo vetëm qytetin antik, por edhe peizazhin Homerik që e rrethon. E gjithë zona nen Saliun e Pare ishte planifikuar për resorte dhe ndërtime, por trazirat e vitit 1997 dhe Lufta e Kosovës i mbajtën larg këto projekte.

 

Më në fund, në vitin 2000, falë vendimeve të marra nga mendjet e ndricuara te kohës, u bë e mundur shpallja e zonës Park Kombëtar. UNESCO e përfshiu atë në listën e trashëgimisë botërore. Por pak veta e dinë se në Butrint lindi për herë të parë modeli i mbrojtjes së peizazheve historike përreth zonave arkeologjike, një model që sot përdoret në disa prej siteve më të rëndësishme të botës.Shqipëria, në kulmin e krizave të saj politike dhe ekonomike, hodhi atëherë një hap të rëndësishëm në mbrojtjen jo vetëm të trashëgimisë historike, por edhe të natyrës dhe peizazhit.

 

Tani le të kthehemi te Butrinti i sotëm.

 

Diku rreth vitit 2021, (për arsye të paqarta atehere por te qarta sot) Qeveria Rama i III vendosi t’ia besojë këtë mrekulli natyrore dhe historike një zoterie të quajtur Granoff. Ky zotëri, që kishte shkelur vetëm pak herë në Butrint, u bë papritur kujdestari i një pasurie që kishte mbijetuar mbi 3 mijë vjet histori a thua se shqipetaret kishin vdekur te gjithe.

Qyteti iu dorëzua Granoffit dhe bashkë me të edhe Qeseja. Shteti i shqiptareve u porosit qe askush nuk duhej ti afrohej kesaj Qendre se nga ketej e tutje atje do te valvitej Flamuri Amerikan, nje prej ofendimeve me te madhe qe mund ti behej nje Kombi normal

 

Por, kufijtë e kujdestarisë së re duket se përfundonin deri te muret venedikase.
Po Parku?
Po Kalivoja e Trojaneve?
Po fushat me vila romake?
Po varrezat antike?
Po ujësjellësi i Tiberit?
Po vila e Atikut?
Po liqeni i Panit dhe nimfat e tija?
Po laguna ku flamingot dhe laraskat jetojnë prej shekujsh?
Kush do t’i mbronte ato?
Granoffi dhe Langonjte e tij në Tiranë merren me Qesene.

 

Sot ne fakt po mesojme se nen Flamurin imagjinar Amerikan kjo Pasuri e madhe historike iu la në dorë Peshkaqenëve, një specie e panjohur më parë në historinë e Butrintit.
Dhe peshkaqenët, të mbledhur rreth tortës, kanë filluar të shqyejne pjesët e tyre. Peshkaqenët janë të rafinuar. Ata mbajnë kostum, flasin për zhvillim, organizojnë konferenca dhe përdorin fjalë të mëdha si “investim strategjik”, “modernizim”, “partneritet” dhe “vizion”.

 

Nderkohe njëri po shkatërron vijën bregdetare të mbrojtur nga Ksamili në Vivar.
Një tjetër po shqyen kodrën e Murit të Demës.
Një i tretë ka hedhur rrjetat ne liqenin e Bufit, ndërsa super peshkaqenë të tjerë po përgatitin një Mynxyrë të re mbi peizazhin Homerik të Butrintit.

 

Dikur, kur me Taulantin numëronim flamingot dhe laraskat, nuk do ta kisha besuar kurrë se Butrinti im i dashur do t’u jepej peshkaqenëve për t’u shqyer.
Atehere shikoja se si Flamingot e bardha dhe laraskat e zeza jetonin paqësisht së bashku prej shekujsh deri sa u shfaqen Peshkaqenët e Tiranës qe vendosën të sulmojnë shtepine e tyre. E pra , këto shpendë te paqte , Ti mund t’i tallësh apo edhe t’i përçmosh sa të duash, por ata nuk nuk e kanë plagosur kurre Butrintit homerik.

 

Peshkaqenet kjo rrace ere qe po perpiqen te hane Butrintin dhe e gjitha kjo gosti nen Flamurin Imagjinar Amerikan dhe perqeshjen shteterore. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Sorrat, Flamingot dhe Peshkaqenët e Butrintit – Nga Auron Tare
Shpallet tenderi 650 mijë euro për rikonstruksionin e Kopshteve Nr. 2 dhe Nr. 3 në Sarandë
Kërkohet kujdestare për t’u kujdesur për një të moshuar në Sarandë
Njoftim punësimi për personel në KAYAK GASTRONOMY në Sarandë
Aksident gjatë guidës turistike pranë Syrit të Kaltër, dy persona përfundojnë në spital
1CLICK kërkon të punësojë staf për shërbim klienti në Sarandë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.