SARANDA DIKUR “MBRETËRESHA” E NOTIT – Nga Xhorxhi Vasili

08/01/2522:50

Shperndaje:

Saranda dikur “Mbretëresha” e Notit – Nga Xhorxhi Vasili

Shpesh, me ish-mësuesin dhe mikun tim Xhorxhi Vasili diskutojmë për postimet e mia në rrjetet sociale, ku ndaj herë pas here mendime të ndryshme, të shoqëruara me fotografi. Nisur nga interesimi i saranditëve për qytetin e tyre, veçanërisht për vlerat kulturore dhe sportive që Saranda ka pasqyruar para viteve ’90, mendova se do të ishte me vlerë t’u bëjmë të njohura këto ngjarje brezave që nuk i kanë përjetuar dhe nuk kanë pasur mundësinë t’i njohin. I kërkova Xhorxhit të shkruajë për një temë ku ai ka përvojë të pasur, si në arsim, sport, kulturë apo jetë shoqërore. Profesor Xhorxhi, që nuk parapëlqen dhe nuk përdor rrjetet sociale, me mirësjellje e kishte shmangur këtë kërkesë. Por pas këmbënguljes sime të vazhdueshme, ai më solli këtë shkrim dhe disa fotografi për publikim në faqen e “Saranda Web”.

 

Pas shumë vitesh, më në fund vendosa të shkruaj për një ngjarje të paharruar, që ndodhi plot 60 vite më parë në Sarandë. Për një javë të tërë, qyteti përjetoi emocionet e kampionatit të 28-të kombëtar të notit. Për herë të parë, Saranda priti mbi 200 notarë, trajnerë e gjyqtarë, ndërsa qytetarët shijuan garat e notarëve të tyre të rinj. Paradite dhe pasdite, e gjithë Saranda — gra, burra, fëmijë e të moshuar — zbriste te Zadra e Re për të mbështetur vajzat e qytetit, të cilat konkurronin për herë të parë me një ekip të plotë vajzash 13-14 vjeçare, që do të bëheshin “Hirushet” e kampionatit.

 

Nga vitet ’50, notarë si Nebile Roboçi, Safie Demi, Polikseni Ilia, Rina Bala dhe Angjeliqi Jani i hapën rrugën suksesit të notit në Sarandë. Tani, një brez i ri nën drejtimin e trajnerit Stavri Caka u stërvit pa pushim dhe dhuroi një spektakël të jashtëzakonshëm. Ky kampionat u mbyll me një triumf të paprecedent — 42 rekorde kombëtare, 10 prej të cilave i përkisnin vajzave të Sarandës: Anthulla Ikonomidhi, Ermioni Nanaj, Donika Kaçupi, Suzana Mehmeti, Shresa Malile, Sashenka Shehu dhe Kozeta Seraj.

 

Pas këtij suksesi, titulli i parë kampion u pasua nga nëntë të tjerë rresht, duke koleksionuar gjithsej 20 tituj në 60 vite. Emrat e këtyre kampioneve, si edhe të Neli Aloçit, Natasha Samit, Kozeta Katundit, Sofie Mingos, Ludmilla Meçajt dhe Pranvera Rapushit, mbeten të paharrueshëm për sportdashësit. Më 1972, ekipi u vlerësua me vendin e tretë në anketën e sportistëve më të mirë të Shqipërisë, duke marrë gjithashtu edhe dekorata nderi.

 

Për këtë histori të lavdishme kam shkruar në librin tim “Mozaik noti në Sarandë”. Me respekt kujtoj punën e trajnerëve të palodhur: Stavri Caka, Esat Mamaca, Kasjani Gjika, Anthulla Ikonomidhi, Spiro Koça, Aleks Gjini, Eduard Mehmeti, Edi Vasi, Kozma Kote, Stefan Shendi dhe Suzana Mehmeti.

Mendoj se është nder dhe detyrë e Bashkisë së Sarandës dhe klubit sportiv “Butrinti” të shpallin vitin 2025 si “Viti i Ekipit të Vajzave të Notit”, duke e shoqëruar me veprimtari të shumta: fotoekspozita, emisione televizive, homazhe për kampionet që nuk janë më, dokumentarë, mbrëmje jubilare dhe takime brezash. E kam ndjekur këtë ekip për 60 vite, duke regjistruar çdo sukses, komentuar çdo garë dhe shkruar dhjetëra artikuj për to. Jam krenar që isha pjesë e këtij udhëtimi.

 

A mund të realizohet ky propozim? Po, mundet. Duhet vizion, punë, sakrificë dhe mbi të gjitha zemër. Koha do t’i jetë mirënjohëse atyre që do ta bëjnë realitet.

Faleminderit, Vangjel, që më shtyve të shkruaj për këto kampione që i dhanë Sarandës kaq shumë gëzime.

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

SARANDA DIKUR “MBRETËRESHA” E NOTIT – Nga Xhorxhi Vasili
Futi dorën te arka e donacioneve në Manastirin e Kostarit, procedohet 47-vjeçari nga Saranda
Shpallet tenderi 180,000 euro për shtrim me beton dhe asfalt të 1320 metër rrugicave
PROPER PIZZA SARANDË KËRKON TË PUNËSOJË MOTORIST
BURGER KING kërkon të punësojë Asistent Menaxher  dhe Pergjegjës Turni
BURGER KING KËRKON STAF RESTORANTI/ PUNONJËS KUZHINE

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.