Rriten çmimet e referencës edhe për fshatin. Harta e çmimeve në Sarandë, Delvinë, Konispol, Finiq dhe Himarë

16/01/2613:04

Shperndaje:

Rriten çmimet e referencës edhe për fshatin. Harta e çmimeve në Sarandë, Delvinë, Konispol, Finiq dhe Himarë

 

Qeveria po përgatitet të bëjë një ndryshim thelbësor në mënyrën se si vlerësohen ndërtesat për banim në rrethe, duke përfshirë për herë të parë të gjitha zonat rurale në hartën zyrtare të çmimeve të referencës. Sipas projektvendimit të rishikuar, fshatrat do të trajtohen njësoj si qytetet, pa ulje dhe pa përjashtime, duke i dhënë fund praktikës shumëvjeçare të çmimeve të reduktuara. Ky vendim prek drejtpërdrejt edhe zonën e jugut, përfshirë Sarandën, Himarën, Delvinën, Konispolin dhe Finiqin, ku deri më sot bashkitë aplikonin ulje deri në 35% për çmimet e referencës në zonat jashtë qytetit.

 

 

Fundi i uljes për zonat rurale

Aktualisht, sipas VKM nr.132 të vitit 2018, çmimi i referencës për fshatrat ishte më i ulët se ai i qyteteve. Me ndryshimet e reja që po përgatiten, bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të aplikojnë ulje, por do të detyrohen të zbatojnë çmime të njëjta me ato urbane.

Në praktikë, kjo do të thotë se një banesë në fshat do të tatohet dhe rivlerësohet njësoj si një banesë brenda qytetit.

Çfarë ndodh konkretisht në zonën e Sarandës?

 

 

 

Në hartën e re të çmimeve të referencës:

 

 – Qyteti i Sarandës ndahet në 5 zona kadastrale, me çmime që shkojnë deri në 100 mijë lekë për metër katror në zonat më të shtrenjta.

 – Ksamilit i përfshihet vija bregdetare me çmime reference nga 60 mijë deri në 100 mijë lekë/m², duke reflektuar zhvillimin intensiv turistik.

 – Fshatrat e Bashkisë Sarandë (Gjashtë, Metoq, Çukë, Shelegar, Ksamil – pjesa rurale) përfshihen si zonë e veçantë, me çmim reference 56 mijë lekë/m², i barabartë me çmimin aktual të qytetit.

 

Ky ndryshim pritet të sjellë rritje të ndjeshme të detyrimeve për banorët dhe bizneset në zonat rurale përreth Sarandës.

 

Himara: rritja më e fortë e çmimeve

 

Himara është ndër bashkitë që përjeton rritjen më të madhe të çmimeve të referencës:

– Qyteti ndahet në 5 zona kadastrale

– Zona më e shtrenjtë arrin në 140 mijë lekë/m², nga 58 mijë që ishte më parë

– Rritja në disa zona shkon deri në 141%

 

Ndërkohë, fshatrat e Bashkisë Himarë – Pilur, Qeparo, Vuno, Dhërmi, Palasë, Borsh, Lukovë, Sasaj, Piqeras, Nivicë, Kuç, Tërbaç e të tjerë – përfshihen në një zonë rurale të vetme, me çmim reference 58 mijë lekë/m², pa asnjë reduktim.

 

Delvina dhe Konispoli

 

Edhe për Delvinën dhe Konispolin, logjika është e njëjtë:

Delvinë

– Qyteti: 34,700 lekë/m²

– Fshatrat (Bamatat, Vergo, Senicë, Kopacez, Vanë, Qafë Dardhë, Bajkaj, etj.): 26,750 lekë/m²

Konispol

 

– Qyteti: 57,000 lekë/m²

– Fshatrat (Xarrë, Mursi, Shkallë, Vrinë, Dishat, Markat, Ninat, Janjar): 28,000 lekë/m²

 

Edhe pse shifrat janë më të ulëta krahasuar me zonat bregdetare, ndryshimi qëndron te heqja e të drejtës për ulje, duke rritur automatikisht bazën e taksimit.

Finiqi: një hartë e gjerë, një çmim unik

 

Bashkia Finiq përfshihet në hartën e re me:

 

– Qyteti Finiq: 31,800 lekë/m²

– Zona rurale, që përfshin dhjetëra fshatra (Livadhja, Dhivër, Mesopotam, Bistricë, Krongj, Muzinë, Neohor, Dermish, etj.): 28,000 lekë/m²

 

Edhe këtu, çmimi rural është i njëjtë me atë urban, duke rritur ndjeshëm detyrimet për pronarët në fshat.

Çfarë do të thotë kjo për qytetarët?

 

Çmimet e reja të referencës do të përdoren për:

 

 – Taksën e ndërtesës

 – Taksën e ndikimit në infrastrukturë

 – Rivlerësimin e pasurive të paluajtshme

 

Si pasojë, detyrimet fiskale do të rriten automatikisht, në të njëjtën masë me rritjen e çmimeve të referencës, si për individët ashtu edhe për bizneset.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, nga këto ndryshime pritet të arkëtohen rreth 2.6 miliardë lekë në vit, kryesisht nga taksa e ndërtesës dhe ajo e ndikimit në infrastrukturë.

 

Projektvendimi i rishikuar pritet të miratohet nga qeveria në muajt në vijim. Me hyrjen në fuqi, epoka e çmimeve të ulura për fshatrat mbyllet, ndërsa banorët e zonave rurale në jug do të përballen për herë të parë me të njëjtën barrë fiskale si qytetet.

Një vendim që pritet të sjellë debate, sidomos në zonat ku të ardhurat nuk pasqyrojnë ende realitetin e tregut të pasurive të paluajtshme.

 

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Rriten çmimet e referencës edhe për fshatin. Harta e çmimeve në Sarandë, Delvinë, Konispol, Finiq dhe Himarë
Unioni i Gazetarëve Sarandë ndan çmimet “Gazetar i Vitit 2025”: Media si mision, jo privilegj
DPSHTRR njofton: Pagesa e taksës së automjeteve bëhet online nga telefoni ose kompjuteri
LUSSO CLEAN SARANDË KËRKON AGJENT SHITJESH NË TERREN
Policia e Sarandës shpall në kërkim 3 persona, dy prej tyre të moshuar 75 dhe 85 vjeç
Dy fëmijë pa shkollë prej gjashtë muajsh në Sarandë, prindi kërkon zgjidhje

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.