Reforma territoriale depozitohet në Kuvend: 15 bashki shkrihen, çfarë parashikohet për Delvinën dhe Konispolin?
Reforma territoriale 2.0 depozitohet në Kuvend: 15 bashki drejt shkrirjes, çfarë parashikohet për Delvinën dhe Konispolin?
Deputetët e mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kanë depozituar sot në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, e cila parashikon një riorganizim të ndjeshëm të pushtetit vendor në Shqipëri. Propozimi u është përcjellë gjithashtu kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë.

Sipas modelit të propozuar, numri i bashkive do të ulet nga 61 në 46. Në praktikë, 28 bashki do të konsolidohen në 13 bashki të reja, ndërsa struktura e ardhshme territoriale parashikohet të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.
Delvina dhe Konispoli mbeten bashki
Për jugun e vendit, një nga çështjet me interes të drejtpërdrejtë është e ardhmja e Delvinës dhe Konispolit.
Në listën e propozuar të bashkive që shkrihen nuk përfshihen as Bashkia Delvinë dhe as Bashkia Konispol. Kjo do të thotë se, sipas propozimit të depozituar, të dyja ruajnë statusin e tyre si bashki më vete.
Edhe Bashkia Sarandë dhe Bashkia Finiq nuk rezultojnë në listën e njësive që propozohet të cënohen.
Krijohet niveli i ri “Qyteti”
Një prej ndryshimeve kryesore të reformës është krijimi i një niveli të ri të organizimit vendor, të quajtur “Qyteti”.
Skema aktuale:
Bashki – Njësi Administrative
propozohet të zëvendësohet me:
Bashki – Qytet – Njësi Administrative
Bashkia do të mbetet njësia e vetme e vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm.
Ndërkohë, “Qyteti” do të ketë rol në përfaqësim, planifikim dhe organizimin e shërbimeve, si dhe një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.
Cilat bashki propozohet të shkrihen?
Sipas propozimit të depozituar, ndryshimet përfshijnë:
- Dimal dhe Poliçan i bashkohen Beratit;
- Klosi i bashkohet Matit;
- Cërriku dhe Belshi i bashkohen Elbasanit;
- Prrenjasi i bashkohet Librazhdit;
- Patosi i bashkohet Fierit;
- Divjaka i bashkohet Lushnjës;
- Libohova i bashkohet Gjirokastrës;
- Memaliaj i bashkohet Tepelenës;
- Këlcyra i bashkohet Përmetit;
- Maliqi i bashkohet Korçës;
- Rinasi i bashkohet Tiranës, ndërsa Bashkia Vorë mbetet;
- Selenica i bashkohet Vlorës;
- Fushë-Arrëzi i bashkohet Pukës.
Nëse propozimi miratohet në këtë formë, harta administrative e Shqipërisë do të kalojë nga 61 në 46 bashki.
Për zonën e jugut, propozimi sjell një përgjigje të rëndësishme pas diskutimeve të muajve të fundit: Delvina dhe Konispoli nuk janë mes bashkive që parashikohet të shkrihen dhe, sipas variantit të depozituar, vazhdojnë të ekzistojnë si bashki më vete. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
Anija “Liburna” gdhendur në gur, punim nga Agur Kapo
30/07/2614:32
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 31
30/07/2614:32
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 33
30/07/2614:32
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 14
30/07/2614:32
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 25
30/07/2614:32