Reagimi: “Paketa e Maleve” shkel ligjin, favorizon abuzimet me pronën! Skemë për të shpërblyer klientët politikë

10/03/2514:34

Shperndaje:

Tabaku kundër “Paketës së Maleve”: “Ligj klientelist dhe antikushtetues, legalizim i vjedhjes”

Në një debat të ashpër sot në Komisionin e Çështjeve Europiane, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar fort të ashtuquajturën “Paketë e Maleve”, duke e cilësuar si një projektligj të pastër klientelist, të papajtueshëm me Kushtetutën dhe në kundërshtim të hapur me parimet e një tregu të lirë dhe konkurrues.

 

Tabaku e akuzoi mazhorancën për krijimin e një skeme të re, në prag të zgjedhjeve, që synon shpërndarjen e pronave publike tek klientët politikë, pa asnjë mekanizëm kontrolli apo transparencë. Sipas saj, ky ligj jo vetëm që shkel normat e prokurimit publik dhe parimet e barazisë në treg, por është në kundërshtim edhe me ligjet që vetë qeveria ka miratuar në vitin 2020.

 

PAKETA E MALEVE - Tokat pa tapi do shiten 1 euro. 10 vjet pa taksa për investimet

 

Ju sot po sillni një projektligj që bie ndesh me ligjet që keni miratuar më parë dhe me të gjitha rregullat e prokurimit publik që kërkojnë transparencë dhe garë të hapur. Ky nuk është as integrim europian, as një reformë që çon përpara Shqipërinë – ky është një ligj i pastër korruptiv!” – deklaroi ajo.

 

Favorizim klientelist dhe përjashtim nga konkurrenca e ndershme

Gjatë fjalës së saj, deputetja demokrate ngriti shqetësimin për mënyrën se si ky projektligj u jep përparësi grupeve të interesit pranë pushtetit, ndërsa përjashton nga procesi qytetarët e zakonshëm dhe investitorët e huaj.

Pse një qytetar nga diaspora nuk mund të marrë pjesë në këtë proces? Pse prona u jepet atyre që e kanë zaptuar për 10 vjet dhe jo nëpërmjet një gare të hapur? Kjo nuk është as reformë, as zhvillim ekonomik – kjo është legalizim i vjedhjes dhe favorizim i klientëve tuaj!” – u shpreh ajo.

 

Tabaku paralajmëroi se ky projektligj rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, ku prona publike shpërndahet përmes vendimeve politike dhe jo përmes një procesi të drejtë dhe të hapur. Ajo akuzoi qeverinë për shpikjen e një mekanizmi të ri të ngjashëm me skemën e Korporatës së Investimeve, e cila, sipas saj, u prezantua fillimisht si një reformë, por më pas rezultoi të ishte një tjetër skemë klienteliste për shpërndarjen e pasurive publike.

 

Kundërshtim me angazhimet e integrimit europian

Tabaku theksoi se ky ligj bie ndesh me angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të integrimit europian, veçanërisht me kërkesat e Kapitullit 5 të negociatave, i cili flet për garantimin e një klime të drejtë dhe të hapur për bizneset dhe investitorët.

Ju vetë keni deklaruar se do të hiqni dorë nga përjashtimet me ligj, por sot sillni një projektligj që krijon pikërisht përjashtime. Ky nuk është integrim europian, kjo është hipokrizi politike!” – deklaroi deputetja e PD-së.

 

Sipas saj, mazhoranca po tenton të përdorë pushtetin vendor për të miratuar vendime që favorizojnë një grusht njerëzish, pa asnjë mekanizëm real kontrolli dhe pa llogaridhënie. Ajo ngriti pyetje mbi rolin e institucioneve mbikëqyrëse dhe mekanizmat që duhet të garantojnë një proces të ndershëm dhe transparent.

Kush do të bëjë kontrollin? Çfarë roli ka KLSH? A ka këtu transparencë? Apo thjesht po i varni një kumbonë në qafë pushtetit vendor për të larë duart?” – tha ajo.

 

Kapje e shtetit përmes vendimeve të njëanshme

Deputetja demokrate paralajmëroi se ky projektligj është një tjetër hap në drejtim të kapjes së shtetit dhe largimit të Shqipërisë nga standardet demokratike dhe ekonomia e lirë.

Ky është një ligj që shkel çdo normë të shtetit të së drejtës dhe të ekonomisë së tregut. Me këtë ligj, ju po e ktheni Shqipërinë në një vend ku prona shtetërore shpërndahet me vendime politike dhe jo me rregulla të qarta e të drejta. Kjo nuk është reformë, kjo është kapje e shtetit!” – përfundoi Tabaku.

 

Në fund, ajo u bëri thirrje qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar të monitorojnë nga afër këtë proces dhe të ushtrojnë presion ndaj qeverisë për të ndaluar atë që ajo e quajti “një tjetër skandal të shpërndarjes së pasurisë publike tek klientët politikë”.


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

EKSKLUZIVE: Gjergji Mërkuri, kandidat i PS për zgjedhjet e 11 majit
Gjendet trupi i pajetë i Naim Likometit në plazhin e Gjirit të Hartës
Reagimi: “Paketa e Maleve” shkel ligjin, favorizon abuzimet me pronën! Skemë për të shpërblyer klientët politikë
Mister në Ksamil: Rrobat dhe telefoni i Naim Likometi gjenden në breg të detit
Luftëtari mposht Butrintin, Delvina merr barazim dramatik në transfertë
BUZË Hotel kërkon Recepsionist/e, Kamarier/e dhe Punonjës për mirëmbajtje

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.