Rama: SPAK-u na ka ndërhyrë në kompetenca, nuk lë të punojnë në Limion

17/03/2419:54

Shperndaje:

“Në nuk komentojnë vendimet e drejtësisë së re”. Është ky truku që përdor shpesh herë kryeministri Edi Rama për të dalë nga situata sa herë gjendet përballë kërkesës për të shpjeguar korrupsionin e njerëzve të tij të afërt në qeveri që bien në pranga. Por këtë premtim “e harroi” këtë të diel në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, në një resort në gjirin e Lalzit. Rama nisi të fliste për sukseset në turizëm kur tha se ka investime në këtë sektor që po bllokohen në mënyrë absurde.

“Absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, rreth 200 milionë euro, në Limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për marinë turistike dhe është pjesë e programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej dy a tre vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata.

Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të NATO-s dhe të sigurisë kombëtare, duke e bërë NATO-n të qeshë, kur e dëgjon këtë histori dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare” – tha Rama.

“Ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët e huaj do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh, por e solla këtë këtu për faktin se kjo buron nga një arbitraritet që shkon shumë përtej horizontit të një hetuesi dhe lidhet me një mendësi të vjetër dhe të gabuar për mbrojtjen e kohëve të sotme dhe për atë që duhet të bëjmë ne në funksion të mbrojtjes” – tha Rama.

Pse është bllokuar investimi në Limion të Sarandës

Ish-baza detare e Sarandës u sekuestrua me vendim të GJKKO në shkurt të vitit 2023 pas kërkesës së SPAK me arsyetimin se privatizimi i saj kishte cenuar operacionalitetin e forcave detare. Kompania koncesionare e apeloi vendimin fillimisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Në 16 maj kompania e apeloi sërish vendimin, këtë herë në Gjykatën e Lartë. Por edhe kjo gjykatë vendosi në qershor të vitit të kaluar ta lërë në sekuestro bazën detare.

Në 1 korrik të vitit 2020, Ministria e Financave nënshkroi me kompaninë “Marina Bay Saranda” një kontratë qiraje me vlerën 1 euro për dhënien e 265 mijë metër tokë publike në Gjirin e Limionit, në Sarandë. Sipas projektit, kompanitë do të ndërtonin aty një port jahtesh si dhe një resort turistik me vila, hotele dhe apartamente.

Por brenda sipërfaqes prej 265 mijë metrash, gjenden dhe 40 mijë metër tokë, pjesë e bazës detare të Sarandës, që është në pronësi të Flotës Detare. Për këtë shkak, kontrata u kallëzua në SPAK nga ish-komandanti i Flotës Artur Meçollari, i cili pretendon se privatizimi i pronës së Flotës është bërë në kundërshtim me ligjin dhe cenon kapacitetet mbrojtëse të vendit. Për këtë çështje është thirrur disa herë në SPAK ish-ministrja Olta Xhaçka, por edhe funksionarë të lartë të forcave të armatosura, përfshirë ish-shefin e Shtabit, Bardhyl Kollçaku. ©LAPSI.al


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.