Qeveria s’ka mbaruar akoma punë me bregdetin, kërkon shtyrje të re për Investimet Strategjike
Qeveria s’ka mbaruar akoma punë me bregdetin, kërkon shtyrje të re për Investimet Strategjike
Me një projektligj të firmosur nga deputetja e Vlorës, Pranvera Resulaj, mazhoranca po përgatitet të shtyjë afatet e ligjit për “Investimet Strategjike” deri në dhjetor 2026.
Kjo është e disata herë që PS shtyn efektet e ligjit, ndërsa në relacion nuk argumentohet arsyeja e shtyrjes së re.
Bazuar në këtë ligj kontravers, qeveria e kryeministrit Edi Rama ka ndjekur praktikën e dhënies së pronave publike me vlerën simbolike 1 euro ose në këmbim të çmimeve shumë herë më të ulëta sesa ato të tregut për biznesmenët që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik.
Përveç ndryshimit të nenit 10 për afatin e aplikimeve, Resulaj propozon një sërë ndryshimesh të tjera në këtë ligj që lidhen me mënyrën si do të funksionojë Komiteti i Investimeve Strategjike, i cili drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ka në përbërje disa ministra.
Një nga propozimet lidhet me dhënien e atributit këtij komiteti për të vendosur për dhënien në përdorim për investitorët strategjikë të brigjeve të deteve, lumenjve dhe liqeneve për stacione plazhi.
Deri tani kjo ishte një e drejtë eskluzive e Këshillit të Ministrave.
Resulaj propozon dhe afate që lidhen me përfitimet që do të vijnë nga përdorimi i këtyre pronave publike që nisin sipas propozimit pas lidhjes së kontratave me autoritetin publik dhe pas ndërtimit të strukturës akomoduese.
Sipas parashikimeve të projektligjit, efektet e ndryshimeve të reja nëse miratohen do të shtrihen edhe mbi investimet strategjike në proces.
Nismëtarja Resulaj i tha BIRN-it se nxitja për të propozuar këtë shtyrje të re afati lidhej me ‘interesin e shtuar’ për këto investime dhe ritmin e ngadaltë të shqyrtimit të dosjeve të aplikuesve. “Ka rreth 40 aplikime në proces,” tha Resulaj për BIRN.
Ligji i cili u miratua si një masë e përkohshme ligjore në vitin 2015, ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve. Sipas ekspertëve të ekonomisë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.
Vendimet e miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i kanë ofruar ‘investitorëve strategjikë’ qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse; si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.
Edhe pse qëllimi i deklaruar ishte thithja e investimeve të huaja deri më tani ky ligj ka ‘shpërblyer’ shumë biznesmenë shqiptarë apo persona të afërt me qeverinë apo Partinë Socialiste në pushtet.
Rasti më flagrant është ai i dhënies së statusit “investitor strategjik’ për biznesmenin Artan Gaçi, bashkëshort i deputetes socialiste Olta Xhaçka dhe miratimin nga qeveria të dhënies në përdorim të brigjeve të detit për kompaninë e tij, duke ngritur shqetësime për një konflikt interesi dhe favorizim të njerëzve në pushtet. Botuar në REPORTER.AL
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit