Për vete nuk kursehen: 1,300 euro një karrige deputeti, 400,000 euro për udhëtime dhe 250,000 për karburant

17/08/2614:15

Shperndaje:

Për vete nuk kursehen: Deri në 1,300 euro një karrige deputeti, 400 mijë euro për udhëtime dhe 250 mijë për karburant

Kur bëhet fjalë për nevojat e qytetarëve, shpesh dëgjohet e njëjta përgjigje: “nuk ka fonde”. Por kur paratë planifikohen për komoditetin dhe funksionimin e institucioneve, shifrat marrin një tjetër përmasë. Kuvendi i Shqipërisë planifikon procedura prokurimi me vlerë rreth 265 milionë lekë, ose afërsisht 2.9 milionë euro, deri në fund të vitit. Mes tyre spikasin disa shpenzime që vështirë të kalojnë pa ngritur pikëpyetje.

 

 

Rreth 200 mijë euro janë parashikuar për karrige dhe poltrone, me një kosto të përllogaritur që mund të shkojë nga 1,000 deri në 1,300 euro për një karrige.

 

Ndërkohë, rreth 400 mijë euro parashikohen për bileta avioni për udhëtimet ndërkombëtare, ndërsa 250 mijë euro të tjera për karburant.

 

Pra, vetëm për karrige, bileta avioni dhe karburant bëhet fjalë për rreth 850 mijë euro.

 

Në listë qëndron edhe një tjetër shpenzim i madh: rreth 400 mijë euro për platformën “MediaHub”, e cila synon të krijojë një paketë të integruar komunikimi dhe shihet si një hap drejt televizionit të Kuvendit.

 

Kontrasti është i fortë. Në shumë komunitete shqiptare vazhdojnë kërkesat për ndërhyrje elementare: një rrugë, një strehë autobusi, ndriçim, mirëmbajtje të hapësirave publike apo shërbime më të mira. Për investime të tilla, qytetarët jo rrallë përballen me justifikimin e mungesës së fondeve apo duhet të presin me vite.

 

Ndërsa për një karrige mund të planifikohen deri në 1,300 euro, për udhëtime 400 mijë euro dhe për karburant 250 mijë euro, është legjitime të shtrohet pyetja: a janë këto prioritete në përputhje me mënyrën se si duhet të përdoren paratë publike?

 

Fondet publike janë para të taksapaguesve. Për këtë arsye, çdo shpenzim, qoftë për një karrige apo për një biletë avioni, duhet jo vetëm të jetë ligjërisht i rregullt, por edhe i arsyeshëm dhe i justifikueshëm përballë qytetarëve.

 

Sepse kur ka para për karrige mijëra euroshe, udhëtime dhe qindra mijëra euro karburant, argumenti “nuk ka fonde” për problemet e vogla të komunitetit bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u pranuar. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Për vete nuk kursehen: 1,300 euro një karrige deputeti, 400,000 euro për udhëtime dhe 250,000 për karburant
Qytetari denoncon kushtet te stacioni i autobusave te “9 Tetori”: Presin në diell dhe në shi
Arben Llangozi denoncon Policinë e Sarandës: “Me armë në dorë për presion dhe terror”
Pasticeri Bleta Premium në Sarandë kërkon Bukëpjekës (Furxhi)
Aldo Sulollari sjell “03:47”, thrillerin psikologjik mes misterit, sekreteve dhe ankthit
Zjarr i fuqishëm në Mesopotam Agroturizëm, shkrumbohet restoranti i resortit – VIDEO

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.