Ndahet nga jeta shkrimtari, humoristi dhe ish libretisti i Estradës së Sarandës Enver Isufi
Enver Isufi është ndarë sot nga jeta mbas një sëmundje të rëndë.
Ai ka lindur në vitin 1941 në qytetin e Delvinës. Kreu studimet e larta në Institutin Pedagogjik në Tiranë, më 1964. Ka punuar për disa vite si mësues i letërsisë në qytetin e Delvinës e më pas është emëruar shefi i Seksionit të Arsimit në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Sarandë.
Nisi të shkruajë dhe të botojë poezi qysh në fillim të viteve ‘60, por prirja e tij e natyrshme qe humori, çka e çoi vetiu drejt gjinive letrare që lidheshin me Teatrin e Estradës sikurse qenë skeçet, komedia me një e shumë akte, parodia, monologu, dialogu, libreti e deri te komeditë muzikore.
Fillimisht jep kontributin e tij si autor, por edhe si regjisor, me estradën amatore të Shtëpisë së Kulturës Delvinë, e me pas për estradën profesioniste të Sarandës, që në ato vite kishte filluar të trajtonte me sukses në skenë materialet letrare të muzikuara.
Kështu duke ruajtur natyrën e saj, trupa jonë e estradës spikati për disa premiera të tipit të varietesë, ku elementi muzikor në interpretimin e pjesëve humoristike mbeti nga më të parapëlqyerit. Kësisoj, u bënë pjesë e natyrshme e shfaqjeve edhe vallet, kupletet, paroditë, recitativi dhe skeçi muzikor etj. Një kontribut të veçantë në krijimin e këtij profili të estradës pati dhe libretisti i saj, humoristi Enver Isufi me komeditë muzikore dhe skeçet e gjata, si dhe me shkrimin e vargjeve të kupleteve, të parodive etj. Për mbi 30 vjet ai ishte shkrimtari humorist dhe libretisti i trupës.
Në periudhën 1980-1987, u emërua pranë Estradës Profesioniste të Sarandës si libretist, dhe më pas deri në vitin 1991 drejtoi me shumë profesionalizëm estradën, duke përcjellë në skenë subjekte aktuale për kohën, tipa e karaktere, ide e probleme të larmishme e origjinale. Shquhej për krijimin e vargjeve të bukura e me humor, që shërbenin për këngët, kupletet, paroditë, skeçet e muzikuara dhe komeditë muzikore, të cilat zinin një vend të rëndësishëm në premierat e ndryshme.
Përveç llojeve të shkurtra humoristike për estradën, duke parë prirjen muzikore të regjisorit Milaj dhe të vetë trupës, ai shkroi edhe disa komedi muzikore siç qenë vodëvili “Ditë plot Diell”, komeditë muzikore “Me plot Dëshirë”, “Alarm në postëkomandë” dhe “Flokë dëbore në Prill”, kjo e fundit në bashkëpunim me regjisorin dhe shkrimtarin Pëllumb Kulla. Gjithashtu, E. Isufi ka dhënë kontribut në ndërtimin e disa libreteve me krijimtarinë e përzgjedhur të shkrimtarëve të njohur humoristë, ndër të cilët spikati libreti me krijimtarinë humoristike të Qamil Buxhelit.
Skeçet e shkruara nga Enver Isufi kanë pasqyruar një gamë të gjerë e të mprehtë të problemeve të kohës dhe situatave sociale, ekonomike, politike. Humori shpesh herë vinte edhe nga mënyra e të interpretuarit të parodive e kupleteve, si dhe nga stili i trajtimit komik të tyre, gjithnjë i ndryshëm dhe i zgjedhur me kujdes e sens të spikatur artistik. Ai është gjithashtu bashkautor i skenarit të filmit “Operacion Zjarri” me të cilën ka fituar edhe çmim.
Me tekstin e këngës “Hidhe hapin vogëlush”, të kompozuar nga Thoma Gjoni, kënduar nga këngëtarja Liljana Kondakçi ka qenë pjesëmarrës në Festivalin e 19-të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Janë me dhjetëra tekstet e këngëve të tij, kompozuar nga kompozitorët L. Disdari, Th.Gjoni, M.Leka e tjerë. Ka qenë pjesëmarrës në festivale të ndryshme të rretheve, por edhe në anketat e Radio-Televizionit.
Krijimtaria e tij letrare humoristike është dalluar për praninë e mendimeve dhe ideve të rëndësishme në dialog, si dhe problemeve social-politike, të mprehta për kohën. Humori i tij sado që nuk linte mënjanë elementet gazmore e argëtuese, operonte e procedonte me shumë sukses, në të shumtën e rasteve, nëpërmjet satirës dhe sarkazmës si arma e tij me e fort. Enver Isufi gjatë punës së tij krijuese ka qenë vazhdimisht një inkurajues dhe mbështetës i talenteve te reja në trupën e estradës.
Enver Isufi krahas talentit si krijues në fushën e humorit, është karakterizuar gjatë punës edhe nga korrektësa, pasioni dhe dashuria për kolegët. Me ndarjen e tij nga jeta familja humbi njeriun e tyre të dashur. Krijuesit dhe artistët e skenës, kolegun mendje prehtë dhe inkurajuesin e tyre. Për kontributin e dhënë ai është vlerësuar nga presidenti i republikës më urdhrin ”Naim Frashëri i Artë” dhe nga Bashkia e Delvinës me titullin “Qytetar Nderi”.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 26
22/02/2320:42
Anija Liburna, punim në dru nga Agur Kapo
22/02/2320:42
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 25
22/02/2320:42
Pelikani i Butrintit – Imitim mozaiku i Butrintit, punim nga Agur Kapo
22/02/2320:42
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 24
22/02/2320:42