Manastiri i Dyzete Shenjtoreve, Sarande

28/06/1816:18

Shperndaje:

Manastiri i Dyzete Shenjtoreve, Sarande

Manastiri i Dyzete Shenjtoreve, Sarande – VIDEO nga Saranda Web

Manastiri i Dyzete Shenjtoreve gjendet në juglindje të portit në Sarande, në rrëzë të një kodre. Prej këtij manastiri e ka marrë emrin qyteti i Sarandës, Άγιοι Σαράντα, që do të thotë “Dyzetë Shenjtorët”. Manastiri i “Dyzetë Shenjtorëve” e ka pasur kulmin e zhvillimit në shekullin VI dhe ka shërbyer si qendër pelegrinazhi. Në manastir janë bërë ndërtime të shumta dhe modifikime të pjesëve të veçanta, në funksion të shtimit të numrit të pelegrinëve. Manastiri përbëhet nga kisha, portikët, baptisteri, vaskat e pagëzimit, qelat e murgjve, ambientet për akomodimin e pelegrinëve, sternat, parakliset, si dhe vendi për ruajtjen e relikeve të shenjta. Nga gërmimet arkeologjike të realizuara prej vitit 2002 deri në vitin 2013 nga Instituti i Arkeologjisë janë gjetur objekte të shumta, të cilat i përkasin fushave të arkitekturës, skulpturës, pikturës murale, mbishkrimeve kishtare, objekteve prej metali, kocke dhe qelqi, monedhave, qeramikës etj.

Bazilika madhështore e Dyzetë Shenjtorëve ka shërbyer si seli peshkopale. Kisha e manastirit ka përmasat 43 x 23 metra. Muret anësore të kishës janë ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje. Kisha përbëhet nga naosi dhe narteksi. Bazilika e manastirit është shtatëkongëshe, me nga tre konga në çdo nef dhe një apsidë të dalë. Çatia ka qenë madhështore me qemerë të kryqëzuar, të cilët mbështeteshin në gjysmëkupolat e shtatë apsidave. Në anën perëndimore të kishës qenë dy nartekse, prej të cilëve pelegrinët sodisnin panoramën e gjirit të Sarandës dhe ngushticës së Korfuzit. Hyrja në kishë realizohej nëpërmjet tri dyerve të mëdha. Muret e kishës janë rrënuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1944 nga artileria gjermane.

Në anën e jashtme të mureve perëndimorë dhe veriorë gjenden katër mbishkrime me tjegulla të kuqe, të cilat përmendim tre emra dhuruesish, Qirjakon, Theodhorin, Parigorin, ndërsa dhuruesit të katërt i dihet vetëm shkronja e parë e emrit (M). Në faqen e murit perëndimor të manastirit gjendet një mbishkrim i shkruar me tulla: +…….βοήθι τώ δούλω σου Κυριάκ(ο)σ “….ndihmo shërbëtorin tënd Qiriako”. Në fundin verior të fasadës perëndimore është një mbishkrim, i cili tashmë është mbuluar nga çatia e narteksit të jashtëm: +(Κ)ε βοηθι τω δουλω σου Θεοδορω. “Zot ruaje shërbëtorin tënd Theodhorin”. Disa fragmente të një mbishkrimi të tretë gjenden në fundin perëndimor të murit verior: +Κε βοηθι τω δουλω σου …..“Zot ruaje shërbëtorin tënd…. ”. Ky mbishkrim është evidentuar nga Evangjelidhis, i cili e ka vizituar manastirin në fillimet e shek. XX. Ndërsa Ugolini përshkruan një mbishkrim të shkruar në dy radhë me tjegulla të kuqe në murin verior të kishës: +Κε βοηθι τω δουλω σου M …..“Zot ruaje shërbëtoren tënde M…. ”. Mishkrimet janë shkruar me shkronja të formuzra nga tjegulla të kuqe dhe copa qeramike të vendosura në mur, të cilat kanë një lartësi që varion nga 44 cm deri në 13 cm. Shumica prej tyre janë rreth 20 cm. Bazilika e Dyzetë Shenjtorëve është shpallur monumet kulture në vitin 1970.

Kulti i Dyzetë Shenjtorëve të Sebastisë

Në vitin 320, në Sebasti të Armenisë u martirizuan 40 shenjtorë. Ata qenë ushtarë nga vende të ndryshme, por shërbenin në të njëjtin repart. Guvernatori i provincës Agrikola i kishte komunikuar armatës së tij një dekret të Likinit, i cili i urdhëronte të gjitha legjionet të bënin flijime për perënditë pagane. Grupi prej 40 ushtarësh u paraqit tek eprorët dhe deklaruan se ishin të krishterë. Guvernatori mendoi t’i ekzekutonte me anën e një torture të mundimshme. Ai urdhëroi që shenjtorët t‘i zhvishnin dhe t‘i hidhnin në liqenin e akullt të Sebastisë. Për t`i tunduar më shumë, pak më larg përgatitën një banjo të nxehtë. Ai që do të pendohej dhe do të pranonte t`i bënte fli idhujve, do të shkonte në banjo për t`u ngrohur. Martirët vrapuan drejt pellgut, u zhveshën dhe u krodhën në liqenin e akullt.

Mjerisht njeri prej tyre u tundua, braktisi ujin e ftohtë të liqenit dhe u hodh në banjon e nxehtë, por në vend të shpëtonte gjeti vdekjen. Njerit prej rojeve iu shfaq një vizion. Ai vuri re se prej qiellit po zbrisnin kurora mbi kokat e 39 ushtarëve, që gjendeshin në ujrat e ftohta të liqenit. Njera prej kurorave qëndronte në qiell, pra ishte ajo e ushtarit që dezertoi, prandaj roja u zhvesh dhe u hodh në ujë. Kështu u plotësua numri i 40 martirëve. Emrat e tyre janë: Kirion, Klaud, Domn, Sevirian, Eftik, Kirill, Theudhul, Vikrat, Agiu, Isik, Evnoik, Meliton, Ilia, Aleksandër, Saqerdon, Ual, Prisik, Hudhion, Irakli, Ekdhiq, Joan, Filoktimon, Flavio, Ksanth, Valer, Nikolla, Athanas, Theofil, Lisimak, Gai, Klaud, Smarad, Sisin, Leont, Aet, Akaq, Domet, Gorgon, Julian dhe Agall. Të krishterët pasi i dogjën trupat e shenjtorëve, hirin e tyre e hodhën në lumë.

Nga Sebastia kulti i Dyzetë Shenjtorëve është përhapur në Mesdheun Lindor. Shën Grigori i Nisës në librin e tij “Jeta e Makrinës” përmend një martirium të Dyzetë Shenjtorëve të Sebastisë. Dyzetë Shenjtorët e Sebastisë nderoheshin edhe në Qesari, ku reliket e shenjta mbaheshin në një martirium. Këtë fakt e përmend Shën Vasili i Madh (330-379) në shkrimet e tij. Manastire të dedikuar Dyzetë Shenjtorëve gjendeshin në Kalcedoni dhe në Theodosiopolis të Armenisë. Ndërsa në Kostandinopojë qenë nëntë kisha detikuar Dyzetë Shenjtorëve. Rrethanat se si u sollën reliket e Dyzetë Shenjtorëve nga Sebastia në Sarandë janë të panjohura. Gjithsesi, prania e manastirit dhe pelegrinët e shumtë që vinin nga vise të largëta për të nderuar martirët vërteton faktin që reliket kanë ekzistuar. Pelegrinët hynin në dhomën e nëndheshme nëpërmjet një kalimi në anën veriore të kishës. Në vijim nga një korridor mbërrinin pranë një porte të vogël. Pelegrinët duhet të futeshin në pesë paraklise të vogla dhe në fund arrinin në vendin ku mbaheshin reliket e shenjta të Dyzetë Martirëve të Sebastisë. Pasi faleshin para relikeve të shenjta pelegrinët ktheheshin nëpërmjet korridorit oval, i cili i shpinte në katër paraklise të tjerë dhe më pas dilnin në nga kompleksi i jashtëzakonshëm nëntokësor.

Përhapjen e kultit të Dyzetë Shënjtorëve në viset shqiptare e vërtetojnë ikonat e afresket e shumtë që paraqesin martirizimin e tyre. Një afresk gjendet në bazilikën e rrënuar të Peshkëpisë, në Nivicë, ndërsa një afresk tjetër është në konkat anësore të manastirit të Kakomesë. Gjatë punës për studimin dhe katalogimin e objekteve që gjenden në fondet e Muzeut Historik Kombëtar kemi mundur të evidetojmë një ikonë të Dyzetë Shenjtorëve. Ikona është pikturuar në shek. XIX nga Mihal Anagnosti dhe ka qenë në kishën “Lindja e Shën Mërisë” në Elbasan. Aktualisht ikona është pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar dhe identifikohet me numër inventari 6109.

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Twitter Saranda Web

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

BURGER KING kërkon të punësojë Asistent Menaxher  dhe Pergjegjës Turni
Greqi plan masash për të mbështetur të rinjtë dhe të papunët
Tatimet sqarojnë bizneset/ Sipërmarrësit që s’kanë kontratë qiraje do t’u mbahet tatim në burim
Shitet Apartament 1+1 në Sarandë, Sipërfaqja 54 m²
Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për heqjen e sekuestros së Bazës Detare të Limionit
Kishte dëgjuar se këtu s’ka shtet, arrestohet 24-vjeçari nga Belgjika

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.