Kuvendi miraton me debate marrëveshjen për menaxhimin e Butrintit

23/05/2223:40

Shperndaje:

Pas disa orë debatesh Kuvendi miratoi projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

Me vota 75 pro, 18 kundër dhe 1 abstenim marrëveshja krijoi polemika gjatë diskutimit në komisionet parlamentare dhe në seancën e votimit.

Disa deputetë të opozitës e kundërshtuan hapur duke e cilësuar modelin e menaxhimit si dhënie me konçension të pasurive kombëtare, por nuk munguan dhe kritikat nga brenda mazhorancës.

Deputeti i PS, Pandeli Majko, kërkoi përgjigje nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, lidhur me atë që ai e quajti një problem ligjor.

Sipas tij plani i menaxhimit është bërë mbi bazën e Vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2002, ndërsa marrëveshja ka si bazë ligjore një VKM të miratuar në 2022.

“Plani i menaxhimit, koncepti i marrëveshjes, gjithçka është bërë mbi vendimin e 2002, ndërsa marrëveshja është bërë mbi bazën e një VKM që ka kaluar para dy muajsh. Tani nuk e kuptoj pse nuk është trajtuar baza legale me të cilën dhe ndërkombëtarët kanë bërë planin e menaxhimit, edhe negociatat janë bërë mbi këtë bazë legale, dhe keni marrë si bazë legale një VKM numër 59, ku ka vetëm një paragraf, ndryshohen kufijtë ?”- pyeti ai ministren.

Gjatë fjalës së saj, Margariti, si nismëtare e nismës,  nuk i përgjigj shqetësimit konkret të Majkos, por u fokusua më shumë tek qëndrimet e opozitës për këtë marrëveshje.

Ajo i cilësoi akuzat për dhënie me konçension privatëve dhe për shkeljen e konventave ndërkombëtare si “teatrore”.

“Nuk lidhet me asnjë komplot të fshehtë, po vetëm për një menaxhim të mirë”- u shpreh Margariti. Ajo tha se projektligji  ishte në respekt të Kushtetutës, konventave ndërkombëtare dhe rekomandimeve të UNESCO-s.

Si Margariti, dhe deputetët e tjerë të mazhorancës e mbrojtën marrëveshjen me emrin e Fondacionit Amerikan, duke e cilësuar kundërshtimin e opozitarëve si anti-amerikanizëm.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila e ka kundërshtuar në të gjitha diskutimet në komisione këtë marrëveshje, e cilësoi atë si antiligjore dhe në dëm të pasurive kombëtare.

Sipas saj, ajo që fshihet pas marrëveshjes është “dhënia me koncension për 10 vjet një fondacioni privat”. Zhupa renditi disa nga modelet e menaxhimit të siteve botërore për të kundërshtuar argumentet e Margaritit se modeli shqiptar ishte i ngjashëm me ta.  “Asgjëkundi nuk është ky model sepse nuk ka shtet të papërgjegjshëm që ja kalon pasurinë kulturore, trashëgiminë kulturore një privati”- shtoi ajo.

Ndërsa deputeti Edmond Spaho foli dhe për konflik interesi të AADF-së me këtë marrëveshje, pasi fonadacioni ka financuar ekspertizën ligjore për ndryshimin e ligjit për trashëgiminë kulturore që i hap udhën këtij menaxhimi.

Qëndrimet e opozitës, kryeministri Edi Rama, i përktheu si akuza për AADF-në dhe drejtuesit e fondacionit.  “Butrintit, Fondacionit, Fondit dhe gjithë këtij plani ju thjesht i merrni të keqen”- iu drejtua ai deputetëve të opozitës, duke shtuar se kjo që po bënte qeveria e tij ishte gjëja e duhur.

Fondacioni i posaçëm për Butrintit që do të marrë në menaxhim këtë sit kulturor do të ketë në bordin drejtues përfaqësues nga ministria e Kulturës dhe nga AADF. Marrëveshja mes ministrisë dhe fondacionit  ka një afat 10-vjeçar dhe parashikon investime për promovimin turistik dhe mirëmbajtjen e Butrintin në vlerën 5 milionë USD nga AADF dhe 2 milionë USD nga të ardhurat e deritanishme e Butrintit.

Para zhvillimit të seancës një grup aktivistësh dhe ekspertësh të arkeologjisë e historisë protestuan jashtë Kuvendit kundër kësaj marrëveshje. REPORTER.AL


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.