KURBAN në vilën e Enverit – një reflektim për Sarandën që humb hapësirën publike

18/04/2610:45

Shperndaje:

KURBAN në vilën e Enverit – një reflektim për Sarandën që humb hapësirën publike
Nga Leonidha Papa

Nëse do të fotografonim të njëjtin vend disa vite më parë, do të shihnim gjelbërimin që mbizotëronte dhe bashkohej në harmoni me detin. Në këtë peizazh spikaste vila e njohur e diktatorit Enver Hoxha.

 

 

Duke biseduar vite më parë me kryetarin e parë të zgjedhur të rrethit të Sarandës, Vasil Cako, më tregoi një bisedë që kishte pasur me kryeministrin e atëhershëm Aleksandër Meksi, kur i paraqiti planin e zgjerimit të qytetit: “Bëni çfarë të doni, por mos prekni rezidencën.”

 

Natyrisht, kryeministri i parë i Shqipërisë postkomuniste nuk ishte i interesuar të mbronte një simbol të diktaturës. Por si arkitekt, ai kishte parashikuar bum-in ndërtimor që do të pasonte. Duke qenë se shteti nuk ishte në gjendje të vendoste rregulla elementare, ai synonte ta ruante hapësirën e vilës si një “rezervë” për nevojat publike të së ardhmes.

 

Degradimi urbanistik i Sarandës filloi të bëhej pjesë e debatit publik që në fillim të viteve 2000. Herë pas here u morën masa, por pa rezultat real. Anarkia ndërtimore përfundimisht tejkaloi çdo parashikim. Megjithatë, 40 dynymët e vilës mbetën deri vonë si frymëmarrja e fundit e hapësirës publike.

 

Në vitin 2016 ndodhi ajo që në thelb kishte parashikuar Meksi: në mungesë të një hapësire tjetër, u vendos përdorimi i një pjese të territorit për ndërtimin e një shkolle të re.

 

Në vitin 2013, Edi Rama, si kryetar i opozitës pas mandatit të tij në Bashkinë e Tiranës, botoi librin Kurban. Në të përshkruan përvojën e tij në drejtimin e kryeqytetit, por edhe vizionin për qeverisjen e vendit. Duke qenë se ai trajton gjerësisht ndërtimet pa leje në Sarandë, shumëkush besoi se ai ishte njeriu që do të sillte zgjidhje.

 

Nga rezultatet, duket se ai zgjodhi t’i japë fund çdo dileme duke e kthyer në “Kurban” gjithçka që kishte mbetur.

 

Qeverisja e Ramës vendosi:

 

Turizëm në vend të Arsimit. Godina e parashikuar për shkollë i jepet përdorimit turistik. Mesazhi është i qartë: arsimi tërhiqet, ndërsa nxënësit mbingarkohen në shkollat ekzistuese me 2-3 turne.

 

Betonizimi i ullishtes. Janë dhënë leje ndërtimi brenda ullishtes së vilës, duke ndryshuar përfundimisht karakterin e zonës.

 

Kontrolli i vijës bregdetare nga pushteti. Çdo ndërtim në një distancë deri në 300 metra nga deti kalon në juridiksion të drejtpërdrejtë (KKT) për miratimin e lejes.

 

Tejkalimi i kushteve të ndërtimit. Përmes planifikimit qendror (KKT), kushtet e ndërtimit ndryshohen sipas dëshirës. Në lagjen time, ku parashikoheshin ndërtesa deri në 6 kate, u dha leje për 11.

 

Fjala më e goditur që kam dëgjuar për politikën thotë se “kemi aq korrupsion sa mund të tolerojmë”. Në rastin e Shqipërisë, duket se shoqëria jo vetëm që toleron, por ka fituar një lloj imuniteti të rrezikshëm ndaj korrupsionit.

 

Kam shkruar edhe më parë se nuk mund të parashikoj se kur do të marrë fund kjo qeverisje absurde. Ajo që mund të them me siguri është se fundi do të jetë i dhimbshëm për të — dhe çlirues për vendin. Leonidha Papa

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

KURBAN në vilën e Enverit – një reflektim për Sarandën që humb hapësirën publike
Medusa Lounge Terrace në Sarandë kërkon Banakier/e, Kamarier/e dhe Ndihmës kamarier
ALYACHT PREMIUM HOTEL kërkon Sanitare dhe Nd. Kamariere në bufe për mëngjese
Lefter Nika: Qytetarët e Sarandës të përjashtuar nga vendimmarrja
Ilirjan Gërdhuqi: “A mban njeri përgjegjësi në këtë vend?!”
Grand Hotel Sarandë kërkon Recepsionist/e, Kamarier/e, Kuzhinier/e dhe Sanitare

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.