Carlo Bollino: Propozim për të mbrojtur edhe ata 81 mijë pensionistë në “arrest shtëpie”

30/03/2020:46

Shperndaje:


Sipas qeverisë, këta pensionistë “do të marrin ndihmë nga shteti”. Po si? Sa njerëz do të vejë në dispozicion shteti për të asistuar derë më derë dhjetëra mijëra të moshuar të vetëm? E pastaj, çfarë lloj asistence do t’u jepet? Do të shkojnë t’u bëjnë atyre pazarin, duke blerë sipas porosisë bukë, fruta, djathë, fasule apo atë çka të moshuarit zgjedhin të hanë? Dhe kush e paguan në një rast të tillë shpenzimin? Apo të gjithë të moshuarit e vetëm do të marrin pakon ushqimore të ndihmës sociale? Edhe një pensionist në gjendje të mirë financiare që jeton i vetëm, por që sot nuk ka më të drejtë të shpenzojë paratë që ka vënë mënjanë? Të gjithë pensionistët e vetëm do të trajtohen nga dita e hënë e tutje si të varfër dhe me asistencë?

Dhe kush do të shkojë për ta që të marrë në farmaci ilaçet, për të cilat janë nevojë? Rastet që do të kërkojnë zgjidhje do të ishin me mijëra e kështu që në fund nuk do të zgjidhej asnjë.

Duhet te jemi koshiente qe shteti nuk ka as mjete financiare dhe as burime njerëzore të mjaftueshme për të perballuar këtë detyrë jashtëzakonisht të madhe. Kështu është e qartë që tani se urdhërin ekstrem për të mbyllur në shtëpi të gjithë pensionistët, duke përfshirë ata që jetojnë vetëm, shumë do të jenë ata që do ta shkelin. Po atëhere pse e bë? Përse të shkaktosh panik mes atyre të moshuarve që normalisht respektojnë rregullat, por që nga nesër do të jenë të detyruar t’i shkelin ato për të mbijetuar? Përse të detyrohen gjyshërit tanë të dalin në rrugë si klandestinë, me frikë në zemër se do t’i ndalojë policia, vetëm për të blerë një copë bukë e një kile qepë, sikur të ishin rikthyer në partizanë të rrethuar nga armiku?

Të moshuarit janë kategoria më e dobët në shoqëri dhe me e rrezikuar e kësaj pandemie, por vendimi i qeverisë për t’i mbrojtur duke u vënë “prangat” rrezikon të jetë për ata më e dhimbshme se vetë sëmundja. Besoj se Edi Rama është ende në kohë për ta menduar edhe një herë. Për shembull, duke u rezervuar të moshuarve një fashë orare daljeje të ndryshme nga ajo e të gjithë të tjerëve. Në rast se në orën 13.00 të rriturit e fëmijët kthehen në shtëpi, nga ora 14.00 deri në 17.00 (për shembull) mund të dalin vetëm të moshuarit, edhe ata si gjithë të tjerët pa shoqërues, pa makine dhe vetëm në itinerarin shtëpi-dyqane. Kjo do të kufizonte kontaktet e tyre të afërta dhe do t’u jepte edhe supermarketeve pak frymëmarrje, duke e zmadhuar, edhe pse pak, fashën orare të hapjes.

E dimë që nuk ka receta magjike në këtë emergjencë dhe askush prej nesh nuk e zotëron. Qeveria deri tani ka vepruar me kurajo e shpejtësi, duke arritur deri në këto momente ta minimizojë përhapjen e epidemisë, por të dëgjosh opinione të ndryshme ndihmon të korrigjosh gabimet e të bësh më të mirën në interes të të gjithëve.

Të gjithë i duam të moshuarit dhe duhet të bëjmë të pamundurën për të mbrojtur mushkëritë e tyre, por me të njëjtën brishtësi siç ata jetojnë, duke vazhduar të përdorim krah strategjive shkencore, edhe zemrën tonë


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.