Tarifat e ujit në Sarandë dhe Ksamil drejt ndryshimit, qytetarët furnizohen vetëm 2–5 orë në ditë

Tarifat e ujit në Sarandë dhe Ksamil drejt ndryshimit, qytetarët furnizohen vetëm 2–5 orë në ditë

Tarifat e furnizimit me ujë të pijshëm dhe të kanalizimeve në Sarandë e Ksamil mund të ndryshojnë. Çështja është përfshirë në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Sarandë, që do të zhvillohet të premten, më 30 tetor, ndërkohë që një pjesë e madhe e banorëve vazhdojnë të përballen me furnizim të kufizuar me ujë.

Pika e shtatë e rendit të ditës parashikon dhënien e mendimit të Këshillit Bashkiak për ndryshimin e nivelit të tarifave të shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm, si dhe për largimin, kanalizimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Megjithatë, në njoftimin e mbledhjes nuk jepen hollësi mbi tarifat që propozohen të ndryshohen, nivelin e tyre aktual apo vlerat që mund të aplikohen në të ardhmen.

Ende nuk dihet se çfarë kërkesash konkrete janë paraqitur për shqyrtim në Këshillin Bashkiak dhe nëse bëhet fjalë për rritje apo ulje të tarifave. Po ashtu, nuk ka informacion publik mbi argumentet ekonomike që mund të mbështesin ndryshimet e propozuara dhe ndikimin që ato do të kenë në faturat mujore të familjeve dhe bizneseve.

Nga ana tjetër, as këshilltarët e opozitës nuk kanë bërë deri tani ndonjë deklaratë publike për qëndrimin që do të mbajnë gjatë shqyrtimit të kësaj pike, pavarësisht se bëhet fjalë për një shërbim bazë që prek drejtpërdrejt qytetarët dhe aktivitetin ekonomik të zonës.

Diskutimi për tarifat vjen në një kohë kur furnizimi me ujë të pijshëm mbetet një nga problemet më të mëdha për Sarandën, Ksamilin dhe zonat përreth. Në shumë pjesë të qytetit, por edhe në Gjashtë, Metoq dhe lagjet periferike, furnizimi me ujë vijon të jetë i kufizuar në vetëm 2 deri në 5 orë në ditë.

Situata rëndohet veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur rritja e ndjeshme e popullsisë dhe e konsumit e bën furnizimin edhe më të pamjaftueshëm. Në zona të ndryshme të Sarandës dhe Ksamilit, familjet dhe subjektet akomoduese detyrohen të sigurojnë ujë përmes autoboteve, duke përballuar shpenzime shtesë për një shërbim që duhet të garantohet nga rrjeti publik.

Një ndryshim i mundshëm i tarifave, veçanërisht nëse parashikon rritje, kërkon edhe shpjegime të qarta për investimet që janë kryer dhe do të kryhen, dhe kryesorja: kur do të kenë qytetarët ujë 24 orë në çezmat e tyre. Saranda Web

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Tarifat e ujit në Sarandë dhe Ksamil drejt ndryshimit, qytetarët furnizohen vetëm 2–5 orë në ditë
Lexoni më shumë
Vrasja e Rexhep Ismailit në Gjashtë të Sarandës, kapen në Greqi dy të kërkuarit
Lexoni më shumë
Pronat në Volloder: Të djathtët bllokuan mbledhjen, Bashkia Sarandë rikthen për votim projektvendimin
Lexoni më shumë
Aksident në Sarandë, përplasen dy automjete, njëri përmbyset në rrugë
Lexoni më shumë
Protestat japin efektet e para: qeveria ul TVSH-në për ushqimet bazë në 6% 
Lexoni më shumë
Nga mobilizimi qytetar te zhvillimi: çfarë mund të mësojë Butrinti nga zonat e mbrojtura në Slloveni dhe Itali
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.