Vrasja e Rexhep Ismailit në Gjashtë të Sarandës, kapen në Greqi dy të kërkuarit

Vrasja e Rexhep Ismailit në Sarandë, arrestohen në Greqi Lulëzim Tabaku dhe Idriz Çela

Lulëzim Tabaku qëlloi për vdekje 66-vjeçarin në lokalin e tij në Gjashtë. Idriz Çela, i dyshuar për përfshirje në konfliktin që parapriu vrasjen, është kapur në Korfuz, ku sipas policisë përdorte identitet të rremë.

Dy persona të shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë të 7 majit 2026 në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku u vra me armë zjarri Rexhep Ismaili, janë arrestuar në Greqi. Në pranga kanë rënë Lulëzim Tabaku, 37 vjeç, dhe Idriz Çela, 40 vjeç.

Sipas Policisë së Shtetit, arrestimet janë realizuar gjatë një tjetër faze të operacionit të koduar “The Wanted”, si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit operacional me autoritetet greke.

Lulëzim Tabaku akuzohet si autor i vrasjes së 66-vjeçarit. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, ai ka qëlluar me pistoletë ndaj Rexhep Ismailit në ambientet e lokalit të këtij të fundit, pas një konflikti me sende të forta mes disa personave.

Gjykata e Sarandës ka caktuar ndaj Tabakut masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim.

Në lidhje me konfliktin që i parapriu vrasjes është arrestuar edhe Idriz Çela. Ai është kapur në ishullin e Korfuzit, ku, sipas policisë, përdorte identitet të rremë për qëndrimin e tij.

Për Çelën, Gjykata e Sarandës ka caktuar gjithashtu masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Sipas hetimeve, 40-vjeçari dyshohet se ka qenë mes personave të përfshirë në përplasjen me sende të forta përpara të shtënave fatale.

Të dy janë arrestuar provizorisht në Greqi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Athinën dhe autoritetet homologe greke, po punon për përfundimin e procedurave të ekstradimit.

Ndërkohë, operacioni për zbardhjen e plotë të rastit dhe kapjen e të kërkuarve të tjerë vijon. Policia e Shtetit njofton se po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje. Saranda Web

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Vrasja e Rexhep Ismailit në Gjashtë të Sarandës, kapen në Greqi dy të kërkuarit
Lexoni më shumë
Pronat në Volloder: Të djathtët bllokuan mbledhjen, Bashkia Sarandë rikthen për votim projektvendimin
Lexoni më shumë
Aksident në Sarandë, përplasen dy automjete, njëri përmbyset në rrugë
Lexoni më shumë
Protestat japin efektet e para: qeveria ul TVSH-në për ushqimet bazë në 6% 
Lexoni më shumë
Nga mobilizimi qytetar te zhvillimi: çfarë mund të mësojë Butrinti nga zonat e mbrojtura në Slloveni dhe Itali
Lexoni më shumë
Policia nën akuza për dhunë terrorizuese, avokatët kërkojnë hetim të plotë për zinxhirin komandues
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.