BIRN: Ligji për investime strategjike cilësohet si mjet klientelist
Në vitin 2015, parlamenti i Shqipërisë miratoi një projektligj të projektuar për të tërhequr investime të mëdha, por shtatë vjet më vonë, është e qartë se bizneset vendase që synojnë fitimet afatshkurtra kanë korrur shumicën e përfitimeve.
Kur parlamenti i Shqipërisë miratoi një ligj për investimet strategjike në vitin 2015, shpresa ishte se ai do të tërhiqte më shumë Investime të Huaja Direkte, IHD, në vend.
Shtatë vjet më vonë, të dhënat tregojnë se bizneset vendase kanë përfituar shumicën e përfitimeve nga procedurat e favorizuara, të lehtësuara dhe të përshpejtuara që ofron ligji.
“Fakti që vetëm vendasit dhe jo investitorët e huaj përfituan nga ligji është kompromentues”, tha për BIRN Selami Xhepa, një ekspert ekonomik shqiptar, duke iu referuar “klientizmit” dhe “përdorimit të ligjit nga grupe të preferuara dhe individë të caktuar”.
BIRN ka gjetur se, nga 35 projekte të shënuara si investime strategjike nga viti 2016 deri në vitin 2021, vetëm dy kanë ardhur plotësisht nga jashtë.
Katër të tjera janë investime të përbashkëta nga Shqipëria dhe jashtë saj. 29 të tjerat janë vendase.
I miratuar në vitin 2015, ligji caktoi një afat në dhjetor 2018 për palët e interesuara për të marrë statusin e “investitorit strategjik”.
Por më pas afati është shtyrë disa herë, me argumentin se Ministria e Financave synon të hartojë një ligj të ri.
Shumica e investitorëve fokusohen vetëm te turizmi
Sektorët e identifikuar fillimisht si me “rëndësi strategjike” ishin të shumtë: energjia dhe minierat; transporti; infrastruktura e komunikimeve elektronike; mbetjet urbane; turizmi; bujqësia dhe peshkimi.
Por të dhënat e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, AIDA, një agjenci shtetërore që ofron shërbime për investitorët, tregojnë se fokusi kryesor për investitorët ka qenë turizmi.
Nga 35 projekte të cilësuara si “investime strategjike”, 26 ishin të orientuara drejt turizmit.
Më i madhi është Durrës Yachts & Marina e planifikuar, nga kompania Symphony Real Estate Development sh.p.k nën drejtimin e Symphonie Group of Companies, themeluar nga Mohamed Ali Alabbar, një biznesmen nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Është një projekt që e ka vlerësuar edhe vetë kryeministri Edi Rama. Investimi ishte planifikuar të zgjaste gjashtë vjet, por ende nuk ka filluar.
Një projekt shumë më i diskutueshëm sipas ligjit të 2015-ës u shpall në fillim të marsit, kur Këshilli i Ministrave, qeveria, i dha leje partneres amerikane të vëllait të Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, të merrte në përdorim një plazh në Dhërmi, në jug të Shqipërisë, për 30 vjet.
Vendimi ngriti akuza për nepotizëm dhe konflikt interesi. Kompania e leasing-ut, AGTCC Hotel Management, u shpall “investitore strategjike” sipas ligjit të vitit 2015 që synonte joshjen e investimeve të huaja.
Kjo nuk është e vetmja polemikë e lidhur me ligjin.
Gjashtë vjet më parë, aktori shqiptar i humorit Gazmend Paja udhëtoi me makinë nga një qytet shqiptar në tjetrin për të kërkuar vota për Partinë Socialiste në pushtet të Ramës. Në vitin 2019, Paja bëri fushatë për të njëjtën parti në zgjedhjet vendore për kryeqytetin, Tiranën, duke kandiduar për një mandat këshilli, të cilin e fitoi lehtësisht.
Atë vit, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi një projekt me potencial strategjik, “Dhërmi Resort”, për ndërtimin e një kompleksi turistik në pikën turistike jugore shqiptare të Himarës.
Projekti kushtonte rreth 13.8 milionë euro dhe duhet të punësojë 200 persona. Kompanitë pas projektit ishin Startek sh.p.k dhe Ecotech Energy services.
Paja vitin e kaluar u bë administrator i Ecotech Energy Services. Paja nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të BIRN në lidhje me përfshirjen e tij në këtë projekt strategjik.
Ka kritika të tjera ndaj ligjit të 2015-ës, që nuk lidhen me korrupsionin, duke përfshirë se ai inkurajon llojin e gabuar të investimeve afatshkurtra.
Eksperti i turizmit Zak Topuzi thotë se sektori ka nevojë për strategji afatgjata 25 apo 30 vjeçare për t’u zhvilluar mirë, jo ato afatshkurtra, gjë që sipas tij e inkurajon ligji për investimet strategjike.
Një problem i madh në bregdetin jugor shqiptar janë certifikata e pronësisë për tokën. Ligji i vitit 2015 “lejon shpronësimin e pronës private sipas planit të zhvillimit të investitorit strategjik. Por zonat jugore vuanin nga problemet e pazgjidhura të pronësisë së tokës kur nisën investimet strategjike”, shpjegoi Topuzi.
Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa dyshon se ligji për investimet strategjike është “sponsorizuar nga bizneset e ndërtimit për t’u përdorur për të ndërhyrë në zonat turistike për investime që do të sjellin të ardhura të larta për investitorët”.
“Disa investitorë kanë përdorur ligjin për të ndërtuar apartamente për shitje … të cilat nuk përfaqësojnë asnjë interes publik”, thotë ai.
“Fakti që ligji është përdorur pothuajse vetëm për këtë aktivitet, jo për të stimuluar investime serioze në prodhim, industri apo bujqësi, e ka komprometuar nismën”, shtoi ai.
Ligjet speciale nuk tërheqin investime domethënëse
Ekspertët dhe opozita në Shqipëri e kanë kritikuar ligjin si një mekanizëm që i shërben vetëm interesave të investitorëve të caktuar dhe thonë se procesit të dhënies së lejeve i mungon transparenca.
Ata pretendojnë se ligji nuk ka sjellë zhvillim real dhe është përdorur më së shumti për ndërtimin e resorteve turistike.
Një studim monitorues, i publikuar në vitin 2021 nga një organizatë vendase, Qëndresa Qytetare, nxjerr në pah disa probleme në lidhje me investimet strategjike të kryera në pesë vitet e fundit sipas ligjit të 2015-ës.
Sipas gjetjeve të tij, investitorët e huaj kanë qenë shumë më pak se investitorët vendas dhe më shumë se gjysma e investimeve strategjike janë bërë në sektorin e turizmit.
Ata thonë gjithashtu se ligji ndërhyn në marrëdhëniet normale midis një investitori dhe një pronari të pronës private.
Ata thonë ai se u bën presion pronarëve që të pranojnë marrëveshje me investitorët sepse në të kundërt shteti do të ndërhyjë për të shpronësuar pronat e tyre me një vlerë që mund të jetë më e ulët se vlera e tregut.
Anila Salianji, nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike, studiuesja që kreu studimin, tha për BIRN se mënyra më e mirë për të tërhequr investime të huaja nuk është nëpërmjet një ligji specifik dhe procedurash lehtësuese, por përmes krijimit të një klime biznesi përgjithësisht miqësore që inkurajon bizneset të investojnë.
“Investimet e huaja në një vend nuk rriten duke bërë ligje të veçanta apo duke krijuar disa lehtësira procedurale për kompanitë e huaja”, tha ai.
“Kur një sipërmarrës vendos të investojë kapital në një vend të huaj, ai kërkon garanci shtesë, si klima e mirë e biznesit, stabiliteti makroekonomik, sistemi fiskal, nivelet e ulëta të korrupsionit, konkurrenca e drejtë dhe e barabartë dhe çështje të qarta të pronësisë”, shtoi ajo.
Sipas saj, Shqipëria ka performuar dobët në të gjitha këto standarde vitet e fundit.
“Sipas raporteve ndërkombëtare, klima e biznesit është përkeqësuar dhe perceptimi për nivelin e korrupsionit është rritur”, tha Salianji, duke shtuar se vetëm këtë vit Shqipëria ra gjashtë vende të tjera më pak në indeksin e Transparency International.
Raporti vjetor i Komisionit Evropian për Shqipërinë në 2021 thotë se vendi ka bërë “pak progres” në luftën kundër korrupsionit.
Por i njëjti raport vuri në dukje se ndikimi i masave kundër korrupsionit në zonat veçanërisht të cenueshme, si doganat, administrata tatimore dhe prokurimi publik, mbetet i kufizuar.
“Kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e inspektimit brenda administratës publike mbeten të dobëta dhe joefektive”, thotë ai.
Për Selami Xhepën, ndikimi i ligjit të 2015-ës në ekonominë në vështirësi të vendit ka qenë kryesisht negativ.
“Ka pasur ndikime negative, sidomos kur bëhet fjalë për të drejtat e pronësisë. Parlamenti duhet të kërkojë një auditim të plotë të kontratave dhe të vlerësojë ndikimet e tyre deri tani”, rekomandoi Xhepa./ REPORTER.AL
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
Suvenire nga Saranda
03/05/2217:29
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 17
03/05/2217:29
Anija Liburna, punim në dru nga Agur Kapo
03/05/2217:29
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 11
03/05/2217:29
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 24
03/05/2217:29