BIRN: “Investime strategjike”, resortet kërcënojnë zonat e mbrojtura në bregdet

10/05/2218:41

Shperndaje:

Në skajin më jugor të Shqipërisë, në Kepin e Stillos, mund të shkohet ose në një rrugë këmbësorësh që nis nga fusha e Vrinës, që shtrihet poshtë qytetit antik të Butrintit, ose nëpërmjet detit në një rrugëtim që zgjat pak më shumë se 1 orë me motorskaf.

Ishujt e vegjël dhe plazhet që e rrethojnë këtë masiv shkëmbor mbeten një nga oazet e fundit të pazhvilluara në bregdetin shqiptar. Por qetësia e këtij peizazhi natyror të mbrojtur shumë shpejt mund të prishet, pasi Komiteti i Investimeve Strategjike i dha dritën jeshile më 4 shkurt 2021, ndërtimit të një kompleksi turistik me 636 vila, struktura akomoduese turistike dhe ambiente shërbimi.

Projekti “Jonian Heaven” e ka gjurmën brenda Parkut Kombëtar të Butrintit në një zonë “Ramsar”, pasi konsiderohet si ligatinë e rëndësisë ndërkombëtare. Megjithë argumentet kundër të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, AKMZ, ky projekt zhvillimor ka marrë statusin “projekt me potencial strategjik” nga komiteti i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Projekti ‘Jonian Heaven’ nuk është i vetmi vendim i Komitetit të Investimeve Strategjike, KIS, për të cilin AKZM ka ngritur shqetësime. Nga 17 projekte të miratuara si investime strategjike gjatë vitit 2021, katër gjenden brenda ose afër zonave të mbrojtura natyrore.

Sipas ekspertëve, këto projekte rrezikojnë të sjellin dëmtim pa kthim të pasurive natyrore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke kërcënuar speciet e rralla që i popullojnë ato nën presionin e zhvillimit urban.

“Të ndërtosh një fshat turistik apo një qytet të ri është krejtësisht në kundërshtim me të gjitha rregullat e mbrojtjes së natyrës,” tha Taulant Bino, drejtues i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare (AOS).

Përveç ekosistemit të pasur, zona e Parkut Kombëtar të Butrintit ka edhe potencial arkeologjik.

“Në rastin e zonës që diskutohet, përveç parashikimeve e kufizimeve të mundshme të aspektit natyror duhet patur një vëmendje e veçantë për aspektin kulturor,” tha arkeologu Olsi Lafe.

Projekti “Jonian Heaven” do të zhvillohet nga kompania “JH Group” – ku 85 përqind e aksioneve zotërohet nga biznesmeni Arben Taipi, aksioner dhe ish-administrator i platformës televizive numerike ‘Digitalb’.

Përfaqësuesi ligjor i ‘Jonian Heaven’ Group, Indrit Bakalli i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se siç kërkohet nga ligji, kompania ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin dhe projektin e hartuar nga një studio ndërkombëtare si dhe do të realizojë vlerësimin për shtresëzimin arkeologjik, ndikimin mjedisor dhe social ekonomik, përpara se të merret një vendim përfundimtar.

“Projekti ka në bazë të tij përdorimin e teknologjisë ekologjike në mbrojtje të mjedisit si dhe hapjen e 819 vendeve të reja të punës, me qëllim parësor vitalizimin socio-ekonomik të zonës,” tha Bakalli.

I pyetur nga BIRN, drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga tha se Komiteti i Investimeve Strategjike ka marrë parasysh në vendimarrjen e vet realitetin e ri pas rifreskimit të hartave të zonave të mbrojtura, çka sipas tij është vendosur si kusht paraprak për lejet e mëtejshme të zhvillimit.

“Disa prej projekteve që ju listoni në pyetjen tuaj nuk prekin monumentet e mbrojtura, disa projekte të tjera janë lënë pezull në vendimarrje deri në sqarimin e plotë të impaktit të tyre,” tha Fuga.

Vendime kontradiktore

Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Shuaip Beqiri shpjegon në hartë zonën ku planifikohet të ndërtohet resorti “Jonian Heaven”. Foto: Rezart Shehu/ BIRN.

Ligji për ‘investimet strategjike’ ka për qëllim thithjen e kapitalit të huaj ose ‘zgjimin’ e kapitalit vendas për të përthithur investime në sektorë të rëndësishëm ekonomikë, duke krijuar vende të reja pune dhe zhvillim rajonal. Në praktikë, ligji kritikohet se po favorizon klientelizmin dhe një grusht biznesmenësh dhe investimet e tyre në bregdet.

Për projektin ‘Jonian Heaven’, KIS ka dhënë dy vendime në dukje kontradiktore. Në aplikimin fillestar në dhjetor 2020, projekti u rrëzua duke iu referuar argumenteve kundërshtuese të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Por vetëm dy muaj më pas, në shkurt 2021, projekti mori miratim paraprak në të njëjtat koordinata, duke shpërfilluar këtë herë mendimin e AKZM-së.

“Kjo zonë kërkon hartim Plani të Detajuar të Zonës së Rëndësisë Kombëtare (PDZRK), pasi sipërfaqja ku propozohet të zhvillohet projekti “Jonian Heaven” shtrihet brenda zonës së mbrojtur në Parkun Kombëtar të Butrintit,” shprehet KIS në vendim e parë që e rrëzonte projektin, ndërsa shton se kjo zonë është shpallur edhe zonë “Ramsar”, si dhe bën pjesë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.

“Sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore, duhet njoftuar gjithashtu Komiteti i Trashëgimisë Botërore për çdo projekt që ndërmerret në zona që mbrohen nga kjo konventë,” shton KIS.

Ndërkohë, në vendimin e dytë që i jep statusin e “projektit me potencial strategjik”, KIS vendos detyra për agjencitë dhe institucionet shtetërore që të gjejnë zgjidhje për “kategorizimin e zonës në funksion të investimit”.

AKZM-së i kërkohet rishikim i kategorizimit të zonës së mbrojtur, bashkisë Konispol i kërkohet rishikim i Planit të Përgjithshëm Vendor, ndërsa Ministrisë së Kulturës i lihet detyrë që të marrë një vlerësim dhe rekomandim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

AKZM i tha BIRN se në të dyja rastet, qëndrimi i saj kishte qenë i njëjtë, duke e vënë në dijeni Komitetin se gjurma e investimit bie në një zonë të mbrojtur ligatinore “Ramsar” dhe që vijon të jetë e tillë edhe pas ndryshimit të hartës së zonave të mbrojtura, të bërë në fillim të këtij viti nga qeveria “Rama”.

“Mbas shqyrtimit dhe verifikimit të planvendosjes dhe koordinatave, AKZM është shprehur se sipërfaqja e kërkuar për zhvillimin e këtij projekti prek në zonën e mbrojtur të PK “Butrint”, dhe sipas zonimit të brendshëm, është në zonën qëndrore (ZQ), shënuar në hartë me A2,” tha AKZM.

“Gjithashtu, kjo zonë është shpallur edhe “Zonë Ramsar” si dhe bën pjesë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s,” shkruan agjencia mjedisore duke iu referuar raportimit të bërë pranë Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve, (AIDA) për vendimin e parë.

Në një përgjigje të dytë, AKZM rithekson se i njëjti argumentim është dhënë dhe në rastin e vendimit që ka miratuar projektin në shkurt 2021.

“AKZM ka mbajtur të njëjtin qëndrim që ka shprehur dhe më parë në formatin e raportit të vlerësimit për subjektin “Jonian Heaven”, pasi nuk ka ndryshim të planvendosjes dhe koordinatave për sipërfaqen ku do te zhvillohet projekti,” theksoi agjencia.

Pavarësisht qëndrimit që mban AKZM si institucion përgjegjës për zonat e mbrojtura, ajo nuk ka fuqi detyruese ndaj vendimmarrjeve të qeverisë për të ndryshuar gjurmën e këtyre zonave apo vendimmarrjes së KIS për investimet strategjike.

Ish-drejtori i kësaj agjencie gjatë kohës që janë dhënë këto rekomandime, Zamir Dedej, i tha BIRN se “AKZM shikon përputhshmërinë me ligjin, që të mos tjetërsohet toka.

“Por ne jemi administratorë, jo pronarë të tokës,” tha Dedej.

Sipas tij, projektet që vijnë nga KIS merren parasysh nëse nuk dëmtojnë zonën.

“Ka pasur ndërtime në zona të mbrojtura, por nuk ka ndarje me thikë, duhet të jenë të pranueshme që të mos dëmtojnë zonën,” shtoi ai.

Përfaqësuesi i JH Group, Indrit Bakalli i tha BIRN se kompania duhet të realizojë disa detyra, përpara se projekti të kalojë në fazën përfundimtare të shqyrtimit për të fituar statusin e investitorit strategjik.

“Shoqëria jonë do të përgatisë gjithë dokumentacionin lidhur me trashëgiminë natyrore, i cili do i bashkëlidhet vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe atij socio-ekonomik. Aktualisht është kontraktuar eksperti arkeolog dhe eksperti gjeolog dhe puna është në proces,” tha Bakalli.

Ai shtoi gjithashtu si hapa të mëtejshëm vlerësimin e dokumentacionit të kompanisë nga dy Këshilla Kombëtarë pranë Ministrisë së Kulturës dhe në varësi të këtyre vlerësimeve- Ministria e Kulturës e dërgon zyrtarisht kërkesën në UNESCO.

Parajsa natyrore e kërcënuar

Taulant Bino, drejtues i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare, AOS. Foto: BIRN.

Kepi i Stillos është një zonë që ka disa nivele të mbrojtjes. Së pari hyn në Parkun Kombëtar të Butrinit, një nga kategoritë më të forta të mbrojtjes së natyrës.

Sipas Taulant Binos, ky nivel mbrojtje do të thotë se e gjithë zona vlerësohet për larminë e habitateve dhe specieve.

“Në Kepin e Stillos ka disa lloje shpendësh që popullojnë të gjithë Parkun Kombëtar të Butrintit, madje një nga shqiponjat që është zhdukur nga Shqipëria si folezuese, shqiponja e detit,  është parë për herë të fundit pikërisht në Kepin e Stillos,” tha Bino.

Po ashtu, sipas tij, në këtë zonë ka edhe specie detare të kërcënuara globalisht si foka e Mesdheut apo breshka e detit.

Zona ku janë planifikuar të ndërtohen godina deri në 8 metra të larta ka dhe nivele të tjera të mbrojtjes, sipas Binos, si; “zonë e rëndësishme për shpendët e njohur ndërkombëtarisht; zonë kyçe për biodiversitetin po ashtu e njohur ndërkombëtarisht; zonë kandidate Emerald e shpallur zyrtarisht nga vetë Shqipëria pranë Këshillit të Evropës dhe si zonë pilot për Natyra 2000”.

Bino shtoi se humbja e këtyre pasurive nën presionin e urbanizimit do të jetë jo vetëm humbje për shqiptarët, por dhe ndërkombëtare.

“Po të flasim për nivelin kombëtar ne humbasim një territor të pashqetësuar, pasurinë natyrore dhe përfitimi ka për të qenë fare i vogël krahasuar me humbjet. Përfitimi ka për të qenë për një grusht njerëzish, ndërsa larmia biologjike i takon gjithë popullit shqiptar, një pasuri që duhet ta ruajmë,” theksoi ai.

Potenciali arkeologjik i anashkaluar

Amfiteatri i Butrintit i filmuar nga ajri. Foto: Rezart Shehu/ BIRN.

Përveç biodiversitetit, zona e Kepit të Stillos ka edhe potencial arkeologjik, pasi ndodhet pranë qytetit antik të Butrintit.

Megjithatë, drejtori i Parkut të Butrintit, Eri Sulo thotë se investimi nuk bie në zemrën arkeologjike për të cilën institucioni që ai drejton ka kompentencë administrimi dhe beson se projekti u rrëzua herën e parë, pasi besohej se ishte brenda zonës A3.

“Për sa i përket ndërtimeve në Kepin e Stillos ka pasur një vendim të mëhershëm të KKT-së i cili shprehej në pozicionin e parë dukej sikur ishte në zonë të mbrojtur të parkut kombëtar të Butrintit,” tha Sulo.

“Por nga hartat tona dhe nga informacionet që ne kemi, subjekti privat që është miratuar për të ndërtuar këtë resort nuk përkon me asnjë nga pozicionet tona gjeografike apo zonën tonë që e ka në administrim Parku Kombëtar i Butrintit,” shtoi ai.

Sulo i cilëson me vlerë edhe zonat A2 dhe A1 që kanë të bëjnë me mjedisin natyror ose ligatinat e Butrintit, por e cilëson gjurmën e investimit jashtë tyre.

“Investitori strategjik nuk përkon brenda rrethimit në këtyre nënzonave, nuk përbën cënim përsa i përket arkeologjisë apo qoftë dhe mjedisit natyror,” theksoi ai.

Gjithsesi, Sulo tregohet i kujdesshëm të theksojë se janë instanca të tjera që e vlerësojnë rëndësinë e këtyre zonave dhe se drejtoria e tij do të mbikqyrë procesin.

Për arkeologun Olsi Lafe, para çdo hapi që mund të ndërmerret për projekte zhvillimore në Butrint duhen zbatuar format e kontrollit dhe testimit arkeologjik.

“Butrinti dhe rrethinat e tij kanë qenë dhe vijojnë të jenë në fokusin e kërkimeve shumëvjeçare arkeologjike dhe rezultatet – një pjesë e madhe e të cilave janë tashmë të publikuara, tregojnë për një intensitet të lartë të jetës nga periudhat prehistorike e deri sot,” tha Lafe.

“Si rrjedhim, është e padiskutueshme, që në çdo rast dhe për çdo vendimmarrje për çështje zhvillimore, vlerat kulturore e arkeologjia në veçanti të jenë denjësisht në diskutim, me qëllim që jo vetëm të zbatohet ligji, por të hulumtohet me imtësi çdo gjurmë e të kaluarës në territor për të cilin Butrinti është shpallur si pasuri botërore e njerëzimit në vitin 1992,” theksoi ai.

Në marrjen e vendimit për miratimin e projektit, KIS nuk ka kërkuar mendimin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore – institucioni përgjegjës për vlerësimin e potencialit arkeologjik të njollës ku do të ndërtohet.

Rudina Zoto, drejtoreshë e institutit i tha BIRN se prej IKTK-së “nuk është administruar asnjë kërkesë aplikim në lidhje me investimin strategjik Jonian Heaven”.

KIS ia ka lënë në dorë subjektit investues që “të realizojë vlerësim trashëgimie kulturore ku të përfshihet vlerësim arkeologjik, mjedisor dhe impakt social ekonomik”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti nuk dha një përgjigje të qartë nëse projekti në fjalë kishte marrë miratimin nga kjo ministri, duke e parë rolin e saj vendimmarrës vetëm për bërthamën arkeologjike të parkut.

“Në rastin konkret ne shikojmë ndërlidhjen me bërthamën arkeologjike,” tha ajo. “Vendimmarrjet që shkojnë përtej këtij aspekti kalojnë në organe të tjera, si AKZM,” shtoi Margariti.

Kryetari i bashkisë së Konispolit, Shuaip Beqiri, bashki ku investimi ka marrë miratimin për “përputhshmërinë” me masterplanin lokal, beson se turizmi elitar që do të sjellë investimi do i shërbejë banorëve për punësim.

“Brenda këtij studimi është përfshirë dhe pjesa e bregdetit dhe pjesa e Stillos, ku është studiuar një zonë rreth 128 hektarë për turizëm elitar,” tha ai.

Sipas Beqirit, zona ku do të investohet nuk është ndonjë zonë me rëndësi arkeologjike apo natyrore dhe se ka mbetur pa zhvilluar deri më sot vetëm sepse nuk ka pasur infrastrukturë rrugore.

“Asnjëra nuk qëndron. Nuk ka gjëra të rralla. Ka qenë e ndarë me klon dhe e mbronte ushtria gjatë komunizmit,” theksoi ai.

Rrethimi i monumenteve të natyrës

Mjetet e rënda po bëhen gati të fillojnë punën në Gjirin e Manastirit. Foto: Rezart Shehu/ BIRN.

Rrjeti i zonave të mbrojtura të Shqipërisë shtrihet sot në rreth 18% të territorit të vendit, ku përfshihen ekosisteme të larmishme, pyje dhe kullota si dhe zona ligatinore në laguna, liqene, lumenj, ujëra bregdetare, pyje bregdetare, pyje breglumore, duna ranore etj.

Zonat e mbrojtura strehojnë thuajse tërësinë e specieve të natyrës shqiptare, ku shumë prej specieve dhe habitateve janë në mbrojtje nga konventat ndërkombëtare, direktivat e Komunitetit Evropian dhe nga legjislacioni shqiptar në fushën e mbrojtjes së natyrës.

Kepi i Stillos nuk është e vetmja zonë e mbrojtur dhe me trashëgimi kulturore që kërcënohet nga të ashtuquajturat ‘investime strategjike’. Një prej tyre është dhe gjiri i Manastirit në Ksamil, ku ndodhet manastiri i Shëngjergjit.

Emri i monumentit të kulturës është i shkruar në një tabelë ngjyrë kafe, e cila tregon rrugën këmbësore për në kodrën ku ndodhet kisha e shekullit të katërmbëdhjetë. Fare pranë kësaj tabele, një tjetër tabelë shkruan “pronë private” – e rrethuar me disa eskavatorë dhe punëtorë ndërtimi.

Peizazhi i gjirit të Manastirit, i vendosur në mes dy kodrave të gjelbëruara, nuk do të jetë më i tillë pas një viti. Një tjetër tabelë e madhe lajmëron ndërtimin e një resorti turistik në faqen e kodrës përballë kishës, ku do të ngrihen 33 ndërtesa, hotele dhe vila, pishinë e restorante, në një sipërfaqe prej 53,467 metrash katrorë.

Në dhjetor 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Rama ka firmosur statusin për projektin “Manastir Resort”, që do të realizohet nga kompania Alb-Star. Në pjesë e këtij investimi shtrihej në gjirin e Manastirit, zonë e mbrojtur e Parkut Kombëtar të Butrintit.

AKZM i tha BIRN se kishte vënë në dijeni agjencitë e tjera shtetërore të linjës se “një pjesë e vogël e sipërfaqes” ku do të zhvillohet projekti, prek në zonë të mbrojtur në Parkun Kombëtar Butrint.  AKZM shtoi se i kishte kërkuar Agjencisë së Zhvillimit të Territorit që në këto parcela mos të ndërtoheshin, pa u hequr nga Parku Kombëtar i Butrintit.

Më 26 janar 2022, qeveria miratoi heqjen e ngastrave nga zona e mbrojtur, duke i hapur përfundimisht rrugë ndërtimit të resortit.

Bino e quan këtë vendim një dëm të madh për vlerat që kishte zona në pasuri natyrore, ku shteti që duhej të ishte rojtari i këtyre pasurive, është sipas tij shkaktar i shkatërrimit të tyre.

Bino shtoi se zona është shpallur e mbrojtur për disa arsye dhe nuk ka kuptim që këto arsye të vihen në dyshim.

“Ka pasur një ministri, një grup ekspertësh dhe janë po këta që duhet ta mbrojnë dhe ne shohim me keqardhje se janë po këta që duan ta heqin nga zonat e mbrojtura,” tha Bino.

Idajet Ismailaj, pronar i kompanisë Alb-Star i tha BIRN se investimi në fjalë është pajisur me dokumentacionin mjedisor në përputhje me ligjin. “Ne do të zbatojmë standardet më të larta të industrisë në mbrojtje të mjedisit,” tha ai.

Nga investimet strategjike rrezikohen dhe monumente të tjera natyrore si “Faleza e Bardhorit” në Kavajë apo Shpella e Piratëve në Himarë.

Në zonën e Plazhit të Gjeneralit në bashkinë Kavajë, ku ndodhet monumenti natyror “Faleza e Bardhorit” – i përbërë nga shkëmbinj të skulpturuar nga erozioni detar, pritet të ndërtohet resorti “Mediterranean Wave.”  Subjekt aplikues është shoqëria “Shijaku’ në pronësi të biznesmenit të skrapit, Shpëtim Shijaku.

Qeveria shqiptare i jep këtij subjekti 2000 metra katrorë bregdet dhe të drejtën e përdorimit dhe shfrytëzimit të një sipërfaqeje pyll prej 635,000 metra katrorë, duke i vënë kusht që “të zbatojë me korrektësi kushtet e lejes mjedisore, përgjatë vijës ndarëse me kufirin e monumentit” dhe mos të  “lejohet asnjë lloj veprimtarie brenda këtij monumenti”.

Investitori Shpëtim Shijaku i tha BIRN se  investimi i tij do të ruante monumentin natyror duke respektuar dhe detyrimin ligjor.

“Jam i interesuar personalisht që të mbrohet ky monument, por e kam dhe kusht ligjor,” tha Shijaku.

Në të njëjtën situatë ndodhet dhe “Shpella e Piratëve” në Himarë, ku do të ndërtohet projekti  “Banyan Tree Hotel Resort”, parashikuar si resort me disa kate, vila dhe një sipërfaqe zhvillimi prej 16,000 metra katrorë – vendosur mes Drimadhës dhe Palasës. Subjekti aplikues është shoqëria “DAST”, e njohur në fushën e import-eksportit të materialeve të ndërtimit.

AKZM ka shprehur rezerva për koordinatat e projektit, që sipas saj rezulton të jetë 180 metra larg monumentit natyror “Shpella e Piratëve”.

“Për të shmangur çdo impakt negativ në zonë, ndaj zhvilluesit të projektit është kërkuar distancimi nga zona buferike e MN “Shpella e Piratëve”, tha AKZM.

Agjencia ka kërkuar nga investitori që mbetjet e ngurta dhe ato urbane që gjenerohen të hidhen në vendet e përcaktuara jashtë zonës së mbrojtur, të ruhet dhe të mos dëmtohet shpella, si dhe rrugët e aksesit për linjat elektrike, të ujësjellësit dhe ato të kanalizimeve të mos prekin dhe te mos shtrihen në sipërfaqen e monumentit natyror.

Kompania investuese pretendon se AKZM e ka bërë gabim matjen e koordinatave të investimit.

“Investimi është më shumë se 1 km larg Zonës Buferike. Kemi bërë matjet me topograf dhe e kemi ankimuar tek AKZM,” tha Edmond Legisi, drejtori i Investimeve të kompanisë “Delta Group”.

Për ekspertin e mjedisit, Taulant Bino, çdo ndërtim i kryer pranë një zone të mbrojtur, edhe nëse nuk e prek atë, do të ketë ndikim të fortë në habitatin dhe speciet që e popullojnë.

“Çdo zhvillim shoqërohet me ndikim në vegjetacion dhe do të ndikohet vetë monumenti i natyrës,” theksoi ai.

Bino e konsideron ndërtimin e resorteve në një afërsi të tillë gjeografike me monumentet e natyrës si “impakt shumë të fortë”.

“Brenda Shpellës së Piratëve padyshim që ka pasuri të tjera të natyrës,” tha ai. “Nëse vihen nën presion, do të shkatërrohen,” përfundoi Bino. Blerina Gjoka, Reporter.al


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

PD ngre alarmin: Në Butrint po zhduket midhja! Apeli ndaj ministres Anila Denaj dhe bashkisë Sarandë
Projektligji për administratorët e pallateve: Nëse nuk e zgjedhin banorët, e cakton bashkia
Banorët e rrugës së 5-të kërkojnë largimin e kabinës elektrike nga trotuari
Banorët të paguajnë tarifa për administrimin e pallateve, gjoba 30% në muaj për vonesat
Kumbaro sqaron si do të funksionojnë plazhet gjatë vitit 2025 – VIDEO
Kumbaro: Në 2025 do kemi Prioritet plazhet publike, bashkitë të menaxhojnë hapësirat

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.