Birn Albania: Resortet turistike në bregdetin e jugut po ndërtohen në prona të grabitura
Birn Albania: Resortet turistike në bregdetin e jugut po ndërtohen në prona të grabitura.
Edhe pse qeveria ka qenë në dijeni të plotë, të një serie të gjatë falsifikimesh të pronave në bregdetin e Palasës, ajo ka miratuar ndërtimin e dy resorteve turistike, duke i dhënë njërës prej kompanive ndërtuese mburojën juridike si “investitor strategjik”.
Karabinatë e ndërtesave disakatëshe në bregdetin e Palasës po ngrihen ngadalë duke u ngjitur në faqen e Malit të Çikës dhe tashmë duken që nga qafa e Llogarasë. Plazhi me guralecë të imët dhe të bardhë, që shtrihet në të dy krahët e deltës së lumit Palasë, është kthyer në një kantier ndërtimi. Makinat e tonazhit të rëndë, të ngarkuara me materiale inertesh, lënë pas shtëllunga të bardha pluhuri duke trazuar peizazhin idilik të detit Jon.
Në plazhin dikur të virgjër, të njohur nga banorët e zonës me emrin Dhraleo, ose Rrugët e Bardha, në 7 mars, 2014 qeveria aktuale ka miratuar lejen e zhvillimit për resortin turistik “Green Coast” – një kompleks vilash dhe apartamentesh me investitor grupin Balfin, i shtrirë në një sipërfaqe prej 185 mijë metrash katrorë. (Kliko këtu dhe këtu për të parë vendimet e qeverisë për ndërtimet e fshatrave turistike.)
Pak kilometra më tutje, në të njëjtën datë, Këshilli Kombëtar për Rregullimin e Territorit, i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, ka dhënë një tjetër leje ndërtimi për një resort vilash të shtrirë në një sipërfaqe prej 8 mijë metrash katrorë, me investitor kompaninë Eurocol sh.p.k.
Kompleksi turistik “Green Coast,” ka marrë në vitin 2015, vlerësimin si investim strategjik në fushën e turizmit, duke i dhënë investitorit mbrojtje juridike nga problemet dhe pretendimet e pronësisë mbi tokën mbi të cilën ai po ndërtohet.
Megjithatë, dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga BIRN, tregojnë që ky resort, por edhe kompleksi i vilave i Eurocol sh.p.k, po ndërtohen në prona të cilat janë tjetërsuar nga pronarët e ligjshëm nëpërmjet falsifikimeve ose vendimeve të paligjshme, për të cilat strukturat më të larta të shtetit kanë pasur dijeni të plotë.
Në momentin kur lejet e ndërtimet për resortet janë miratuar në vitin 2014, tjetërsimi i pronave në Palasë ka qenë objekt hetimi i Prokurorisë së Vlorës dhe i Task-Forcës për Verifikimin e Ligjshmërisë dhe Mënyrës së Tjetërsimit të Pronave të Paluajtshme Shtetërore pranë Kryeministrisë. (Kliko këtu për të parë konkluzionet e hetimit të Task-Forcës). (Kliko këtu për të parë vendimin e kryeregjistruesit Ilirian Muho).
Edhe pse këto dy institucione kanë zbuluar se qindra hektarë tokë mbi të cilat resortet po ngrihen – në pronësi të katër familjeve – janë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme, autoritetet nuk kanë arritur t’i japin zgjidhje pretendimeve të tyre të ligjshme, duke hedhur dyshime mbi premtimin e kryeministrit Edi Rama, për të zgjidhur çështjet e pronësisë përgjatë bregdetit të jugut.
E pyetur nga BIRN mbi problemet e pronës mbi të cilën po ndërtohet resorti “Green Coast” në bregdetin e Palasës, ministria e Ekonomisë refuzoi të komentonte. Ndërsa, grupi Balfin, i hodhi poshtë akuzat se prona mbi të cilën resorti po ndërtohet kishte probleme.
“Green Coast është pjesërisht pronare e truallit në zhvillim dhe për një sipërfaqe trualli me pronësi private ka një kontratë sipërmarrje me pronarin e tokës,” i tha BIRN zëdhënësja e kompanisë Ersi Kasmi.
Ndërkohë Eurocol Sh.p.k i tha BIRN se nuk mund të komentonte, sepse “personi përgjegjës brenda kompanisë ishte jashtë vendit për një kohë të pacaktuar.”
Tjetërsimi i 3 dynym tokë në 210 dynym
Kiço Nina ishte 50-vjeç kur në vitin 1996, filloi të kërkonte nëpër institucione pronat e gjyshit të tij, Foto Nina. Tani që po i afrohet të 70-tave, ai ka mundur të sigurojë vetëm një çantë të madhe me dokumente, pa arritur ta hipotekojë pronën e trashëguar.
Në nëntor të vitit 2009, gjykata e Vlorës i njohu pronësinë fisit Nina, mbi një sipërfaqe toke prej 4.8 hektarësh në plazhin Dhralea të Palasës, dhe urdhëroi Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluejtshme, ZRPP, në Vlorë ta regjistrojë atë.
Por kur Nina iu drejtua ZRPP-së për regjistrimin e pronës, ai zbuloi se ajo ishte regjistruar në emër të një familjeje tjetër, trashëgimtarë të bashkëfshatarit Polimer Beja.
“Kur shkojmë për të regjistruar pronën mësojmë se ajo ishte regjistruar në emrin e Kiço Bejës që në vitin 2009, ndërsa Agjencia e Trajtimit të Pronave refuzoi kërkesën me argumentin se ishim jashtë afateve të shqyrtimit,” tha Nina për BIRN.
Dokumentet që BIRN disponon, tregojnë që ngjashëm me Ninën edhe tre familje të tjera, kanë zbuluar se prona e tyre në plazhin e Palasës, ishte regjistruar në emrin e familjes Beja dhe të katërta i janë drejtuar Prokurorisë së Vlorës në vitin 2012, me një kallëzim për falsifikim dokumentesh.
Sipas një raporti të Task-Forcës për Pronat në Kryeministri, në Prokurorinë e Vlorës, kanë paraqitur kallëzim përveç Kiço Ninës, edhe anëtarë të familjeve Ruçi, Bifsha dhe Duni, kundër shtetasit Polimer Beja dhe përfaqësuesit të tij më prokurorë, dhëndrit Stefan Billa.
Nga procesi hetimor i kryer nga Prokuroria e Vlorës, ka rezultuar se Polimer Beja dhe dhëndri i tij Stefan Billa, kanë falsifikuar dokumentin e titulluar “certifikatë pronësie nga Kryepleqësia e fshatit Dhërmi,” për tjetërsimin e pronave në Palasë. Nëpërmjet këtij dokumenti të falsifikuar, ato kanë transformuar një pronë prej 3 dynymësh, në 210 dynym. (Vendimi i Gjykatës mbi tjetërsimin e pronës në Palasë)
“Dokumenti…, në pikën 12 bën fjalë për një sipërfaqe prej 3 dynymësh, ndërsa në pikën 15 për një oborr 18m x 20m, në emër të ish-pronarit Kiço Beja, ndërkohë në të njëjtat referenca dokumenti i paraqitur në Gjykatë dhe ZRKKP
Qarku Vlorë, pasqyron në pikën 12, të dhëna për një sipërfaqe 130 dynym dhe në pikën 15, të dhëna për një sipërfaqe 80 dynym të lidhur me këtë pasuri,” shkruhet në raportin e Task-Forcës.
Megjithëse është provuar falsifikimi, gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë në vitin 2013, dhe më vonë ajo e Apelit të Vlorës në vitin 2015, i kanë pezulluar hetimet kundër Billës dhe Bejës, me argumentin se prokurori ka kryer hetime dhe administruar dokumente përtej afateve procedurale.
Sipas Kiço Ninës, mbi këtë pronë të falsifikuar, e cila është përfshirë në një seri të gjatë transaksionesh imobiliare nga viti 2009 deri në vitin 2012, sot po ndërtohet kompleksi turistik “Green Coast.”
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, në vitin 2013 kjo pronë është regjistruar në emër të Gent Prizrenit, me 112 dynym në pronësi dhe Pullumb Petritajt, me 71.5 dynym në pronësi.
Prizreni është një biznesmen nga Tirana, kunati i i pronarit të grupit Balfin, Samir Mane. Ndërkohë, Pëllumb Petritaj është një shtetas nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në falsifikimin dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme në bregdetin e Vlorës dhe të Himarës.
“Certifikata e Bejës është në vitin 2009, dhe e njëjta pronë shfaqet në emër të [Gent] Prizrenit në vitin 2012. Këta persona që e kanë përfituar pronën e kanë përfituar me falsifikime,” tha Nina.
Familjet Duni, Nina, Ruci, dhe Bifsha kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrjen e institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, që nga kryeprokurori Adriatik Llala e deri tek kryeministri Edi Rama, për të zgjidhur mbivendosjet në pronave të tyre.
Nëpërmjet shkresave të njëpasnjëshme, ata venë në dijeni krerët e institucioneve për falsifikimet e bëra dhe uzurpimin të pronës, sipas tyre, nga kompania ndërtuese në Palasë.
Kiço Nina shprehet se tashmë e ka humbur shpresën që institucionet shqiptare do ta zgjidhin tjetërsimin e paligjshëm të pronës së tij; megjithatë, ai shton se sa të ketë frymë, do ta ndjekë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut.
“Shkresat që kemi dërguar bien në vesh të shurdhër, por unë sa të jem gjallë do të jetoj për të mbrojtur pronën e etërve të mi,” tha ai.
“E di që nuk do të gjej drejtësi këtu, por jam i sigurt që në institucionet ndërkombëtare po,” shtoi Nina.
Investimi strategjik
Në fillim të tetorit të vitit 2013, kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, miratoi një leje provizore të veçantë për kompaninë zhvilluese S.E.R.E sh.p.k dhe zbatues Mane T.C.I, me objekt “rrëthim provizor të pronës,” për sipërfaqen e regjistruar në emër të Prizrenit dhe Petritajt në plazhin Dhralea në Palasë.
Në lejen e lëshuar nga kryebashkiaku Goro, nënvizohet se zona është e “pamenaxhuar” dhe se Bashkia nuk mban asnjë përgjegjësi për vendndodhjen e saktë të pronës.
“Në rast pretendimesh të titujve të pronësisë do të bëhet pezullimi i përkohshëm i lejes, deri në një zgjidhje përfundimtare të pronës,” shkruhet në dokumentin e lëshuar nga bashkia Himarë.
Pa kaluar as pesë muaj nga leja vendore, në mars të vitit 2014, në të njëjtën zonë kadastrale, nr. 1481, kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, firmosi lejen zhvillimore komplekse për resortin turistik “Geen Coast.”
Me propozim të qeverisë në maj 2015, parlamenti miratoi ligjin për investimet strategjike, i cili i njeh këtë status projekteve në fushën e turizmit që investojnë më shumë se 5 milionë euro dhe punësojnë të paktën 80 punëtorë.
Sipas nenit 28 të këtij ligji: “për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike lejohet shpronësimi për interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private.”
Në dhjetor të vitit 2015, qeveria ka miratuar gjithashtu 10 vendime, me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjik.
Sipas këtyre vendimeve, shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore.
Po kështu, shteti merr përsipër veprimet ligjore për investitorët strategjik për konsolidimin e titujve të pronësisë, duke bërë regjistrimin fillestar të tyre në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Projektet e grupit Balfin në fushën e turizmit ishin ndër të parat që përfituan statusin e investimit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike, strukturë kjo e drejtuar nga Kryeministri Rama. Projekti “Green Coast” në Palasë ishte njeri prej tyre.
Nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi, BIRN kërkoi detaje nga ministria e Ekonomisë, për kushtet e përmbushura nga grupi Balfin për të marrë statusin e investitorit strategjik për projektin “Green Coast”, dhe nëse ky i fundit i kishte zgjidhur pretendimet mbi pronën në të cilën do të ndërtohej.
Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ministria e Ekonomisë refuzoi dhënien e informacionit duke nënvizuar se kompania Green Coast sh.p.k, ka kërkuar që dokumentet e dorëzuara, si plani i biznesit, studimi i fizibiliteti, pasqyrat financiare dhe preventivi i projektit “të mbeten konfidenciale.”
Ndërkohë që zëdhënësi i grupit Balfin, i tha BIRN që qeveria ishte bazuar në impaktin e projektit, në marrjen vendimit të saj për t’i dhënë statusin e investitorit strategjik.
“Komiteti i Investimeve Strategjike gjykoi që projektet në fjalë do të kenë një impakt pozitiv në zonën e tyre të zhvillimit, kryesisht duke rritur numrin e te punësuarve nga banorët e zonës dhe duke rritur fluksin e turistëve,” tha Ersi Kasmi.
Kasmi i tha BIRN se prona ku po ndërtohej kompleksi turistik “Green Coast” nuk kishte probleme me pronësinë.
“Ne nuk jemi në dijeni të banorëve që mund të pretendojnë tituj të pronësisë, të ndryshme nga ata me të cilët jemi nën kontratë sipërmarrje,” tha ajo. Në projektin në zonën Palasë, kompania Green Coast, përpos pjesës për të cilën është vetë pronare e truallit në zhvillim, Green Coast ështe zhvillues në zbatim të një kontrate sipërmarrje më pronarin e tokës Gerian Kuka,” tha ajo. (Kliko këtu për të parë kontratën).
Sipas dokumentave të ofruara nga kompania, po në të njëjtën zonë kadastrale në mars të vitit 2014, rezulton pronar i një sipërfaqeje prej 130,000 m2 në Dhralea të Palasës.
Megjithatë, familjet Nina, Ruci, Bifsha dhe Duni, të cilët kanë rënë pre e falsifikimeve, thonë që e vërteta është ndryshe.
Familjet që prej vitesh sfidojnë tjetërsimin e pronës së tyre në Palasë, i thanë BIRN se përfaqësues të kompanisë së ndërtimit të resortit “Green Coast”, kanë kontaktuar me ta për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi, edhe pse ata nuk kanë arritur ta regjistrojnë pronën e tyre ende.
Trashëgimtarëve të familjes Ruci u është ofruar një kontratë bashkëpunimi në fillim të vitit 2014, para se qeveria ta cilësonte projektin si investim strategjik. Që në krye të draft-kontratës ata njihen si pronar të ligjshëm, të cilët nuk kanë mundur ta regjistrojnë pronën për shkak se ajo ndodhet në proces administrativ në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Kompania i ofron 20 për qind si koeficent përfitimi, me kusht që pronarët të zgjidhin çështjen e pronësisë.
Jako Ruci thotë se nuk ka pranuar ta nënshkruaj marrëveshjen e bashkëpunimit me kompaninë “Green Coast,” e cila ka marrë dhe lejen për ndërtimin e resortit turistik.
“Ne nuk pranuam të firmosnim, pasi qëllimi kryesor i kësaj marrëveshje nuk ishte që të binim dakort, por që nëpërmjet nënshkrimit të saj ne të hiqnim dorë nga e drejta për të kërkuar pronën tonë,” tha Ruci.
Kiço Nina është i një mendje, duke nënvizuar që oferta që është bërë nga investitori, nuk ishte në favor të pronarëve.
“Na kërkonin pronën me çmime qesharake, me kusht që ne të hiqnim dorë nga e drejta e pronësisë,” tha Nina për BIRN. (Kliko këtu për të parë letrën e familjeve drejtuar kryeministrit).
Të tjera abuzime me fshatrat turistik në Palasë
Leko Lati ka afërsisht dy dekada që kërkon pronësinë e një sipërfaqe toke të trashëguar, në zonën që banorët e Dhërmiut e njohin si fusha e Simo Latit, në plazhin Dhraleo.
Në vitin 1998, ai siguron një vendim gjykate që e njeh si pronar të një parcele prej 4.2 hektarësh kullotë në Palasë. Në vitin 2006, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i njeh pronësinë mbi 2.2 hektarë të kësaj prone, ndërsa vendimi thotë se pjesa tjetër do t’i kompensohet.
Por kur shkon të apelojë vendimin e AKKP-së, zbulon se toka ishte regjistruar në emër të pronarëve të tjerë.
“Në këtë kohë, teksa po përgatisja të apeloja vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave, pasi prona ishte e lirë dhe nuk kishte arsye të kompensohej, mësoj se ajo ishte e regjistruar tek persona të tretë. Sot që po flasim ka katër palë që janë mbivendosur për të njëjtën titull pronësie, shtoji kësaj dhe një vendim qeverie për zhvillimin e një resorti turistik,” i tha Lati BIRN.
Sipas Leko Latit, abuzimet me pronën e tij nisin në vitin 2001, ku një vendim i ish kryeministrit Ilir Meta, urdhëron regjistrimin e sipërfaqeve të trojeve ku janë kryer investime nga shoqëritë huamarrëse të falimentuara.
Vendimi përfshin dhe pronën e Leko Latit, ku sipas qeverisë, shoqëria huamarrëse Kamberi kishte ndërtuar një objekt turistik, në një sipërfaqe prej 20,000 m2, me një vlerë prej 60 milion lekësh.
Pas këtij vendimi, kjo pronë e cila nuk dihet se si është përfituar nga shoqëria Kamberi, nxirret në ankand për tu shitur me 2,000 lekë metri katror. Blerësit e parë të pronës kanë qenë 8 persona, të cilët më pas ia shesin disa palëve të treta.
Në Prokurorinë e Vlorës, ka dhjetëra kallëzime të bëra nga Leko Lati për pronën e tij që nga viti 1998. Në disa raste prokuroria e Vlorës ka nisur hetime të cilat janë mbyllur me argumentin e se nuk gjendeshin dokumentet origjinale për të provuar falsifikimet. Kallëzimi më i fundit Latit është bërë disa javë më parë, dhe çështja është aktualisht nën hetim.
Në vitin 2008, një vendim i qeverisë Berisha e shfuqizon vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2001, por megjithatë, përpjekjet ligjore të Leko Latit por dhe të Bashkisë së Himarë, për të kundërshtuar trasanksionet e shitjes së kësaj pronë janë rrëzuar me vendime gjykate.
Vendimi më i fundit nga Gjykata e Lartë në shkurt të vitit 2010, ka hedhur poshtë kërkesë-padinë e Latit dhe atë të Këshillit Bashkiak Himarë, për të kundërshtuar transaksionet që kanë tjetërsuar pronën e tij.
“Shoqëria Kamberi në Dhralea nuk ka pasur asnjë pikë turistike dhe çuditërisht këtu fillon shitja e tokës tek të tretë, dhe pse nuk ka titull pronësie,” tha Lati. “Më pas nuk di kush e ka përfituar dhe së fundmi mësoj se qeveria ka miratuar dhe një resort turistik në pronën time,” shtoi ai.
Më 7 mars të vitit 2014, në tokën për të cilën Lati është endur prej vitesh në gjykata, Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit miraton lejen zhvillimore për ndërtimin e resortit turistik të shoqërisë Eurocol sh.p.k.
Me gjithë vendimin e fundit të qeverisë, Leko Lati i tha BIRN se nuk është i gatshëm të dorëzohet në betejën e tij për pronën.
“Unë do ta fal pronën, por jo atyre që po përpiqen të ma gllabërojnë,” tha ai.
“Unë do ia falë kishës, apo kujtdo tjetër, por jo atyre që përpiqen ta uzurpojnë duke përdorur dhe shtetin,” tha ai.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda po vijon hetimet për një grup të strukturuar kriminal, i krijuar me qëllimin e vetëm për të përfituar pasuri të paluajtshme në zonën bregdetare të qarkut të Vlorës.
Sipas dosjes hetimore, 33 ha tokë në Palasë të Himarës është vënë nën sekuestro ndërsa në kërkim është shpallur Pullumb Petritaj, e nën hetim ka dhe sërë zyrtarësh të vendor. Ky nuk është i vetmi hetim për tjetërsimin e pronave bregdetin e jugut që ka nisur prokuroria e Vlorës.
Gjatë vitit 2013, qeveria shqiptare ka miratuar dhe 6 projkete të tjera për ndërtimin e resorteve turistike. Sipas vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit, lejet zhvillimore janë dhënë në, Hamallaj, Kashar, Ishëm, Velipojë, fshatin Shetaj të Durrësit, dhe Dhërmi.
Nga Lindita Çela. Publikuar ne Reporter.al
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 4
20/09/1614:56
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 31
20/09/1614:56
Suvenire nga Saranda
20/09/1614:56
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 12
20/09/1614:56
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 13
20/09/1614:56